George W.Bushi, babai i pavarësisë së Kosovës  

George W.Bushi, babai i pavarësisë së Kosovës  
George W.Bushi, babai i pavarësisë së Kosovës  

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 16 August 2022 - 13:10

Barometri diplomatik

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

*** Kjo ngjarje epokale historike, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, duhet të figurojë në historikun e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) , në mënyrë që si brezat e sotëm, edhe ata, që do të vijnë nesër, të mësojnë të vërtetën historike të pavarësimit të Kosovës.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje në mënyrë objektive, së pari, duhet të mbajmë parasysh përpjekjet, sakrificat, viktimat, kryengritjet, betejat dhe luftërat e shumëta të të gjithë brezave shqiptarë brenda një shekulli (1909-1999) dëshmorë dhe heronj të rënë për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës dhe, së dyti, pavarësimin de fakto dhe de jure të Kosovës nga ana Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e aleatëve të saj evropianoperëndimorë, më 17 shkurt  2008. 

Në këtë vështrim, lind pyetja, kush ka meritat më të mëdha për pavarësimin e Kosovës?

Me gjithë kontributin e jashtëzakonshëm njëshekullor të shqiptarëve, që të pavarësojnë Kosovën nga Serbia kolonialiste, hegjemoniste dhe gjenocidale (1878-1999), me gjithë gjakun e derhdur, ata nuk ia arritën për ta pavarësuar Kosovën për shkak  të Fuqive të Mëdha të Evropës me Rusinë në krye, të cilat padrejtësisht e mbështetën Serbinë pushtuese kolonialiste dhe imperialiste, me ç’rast  e copëtuan territorin autokton të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan (1878; 1913; 1919).

Kur e gjithë kjo histori e jonë tragjike “përkthehet” në zhargonin e politikës ditore të dështakëtve të dikurshëm dhe të sotëm politikë, do të thotë se, shqiptarët brez pas brezi dhanë të gjitha provimet për të qenë të lirë dhe të pavarur nga sundumi shekullor kolinial dhe gjenocidal serb, por jo edhe “DIPLOMËN”  e njohjes së PAVARËSISË POLITIKE kombëtare dhe ndërkombëtare, mbase “arkitektët” e Koncertit të Fuqive të Mëdha të Evropës, ishin rreshtuar në anën e mbrojtjes së interesave koloniale dhe imperialiste të Serbisë së Madhe, të Malit të Zi, të Greqisë etj.

Një padrejtësi e tillë antishqiptare vazhdoi deri më 17 shkurt 2008, kur  Amerika e njohu PAVARËSINË e Kosovës de fakto dhe de jure, të vulosur dhe të nënshkruar nga Presidenti historik i saj, George W. Bush. Ky ishte një akt historik, politik, kombëtar dhe ndërkombëtar, që përligji dhe nderoi të gjitha kryengritjen, luftërat dhe betejat e dëshmorëve dhe heronjve shqiptarë, që luftuan dhe derdhën lumenj gjaku brez pas brezi vetëm për çlirimin dhe pavarësimin e Repubikës së Kosovës.

George W. Bushi e pavarësoi Kosovën , ndryshe UNMIK-u ende  do të luante "cicmic" me fatin e saj sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së

Kjo e vërtetë historike, duhet të figrojë edhe në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), edhe në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15 qershor 2008).

Pra, babai i Kosovës sovrane dhe të pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008), është ish-Pesidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W, Bush.  Për këtë arsye, përpiluesit e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, do të duhej ta shkruanin me shkronja të arta emrin e presidenetit amerikan George W.Bush, si dhe Vendimin historik të SHBA-së për njohjen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, mbase kjo është e vërteta historike, politike, juridike e diplomatike.

George W.Bushi është BABA-HERO I KOSOVËS , sepse Ai e PAVARËSOI Republikën e Kosovës  (17 SHKURT 2008) !

Mirëpo, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese gjenocidale,më 12 qershor 2019, e pati harruar këtë detaj historik, se,  patjetër, do të duhej ta nderonte presidentin e Amerikës, Bill Clinton me medaljen HERO I PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, jo vetëm me urdhrin e lirsë, sepse është i pamjaftueshëm në krahasim me veprën e madhe historike, me kontributin dhe me meritat e jashtëzakonshme të Bill Clintonit, shpëtimtarit të  2 milionë e gjysmë shqiptarëve në Kosovë (1999).

Pra, JO vetëm me  “urdhrin e lirisë”, por edhe me  Urdhrin e Heroit të Kosovës, Presidentit të Amerikës, Bill Clinton !

Sepse  Presidenti historik amerikan, Bill Clinton ishte  i pari dhe i vetmi lider politik në skenën ndërkombëtare, që botërisht deklaroi se Serbia bëri gjencid në Kosovë-në zemrën e Evropës (1999). Ky ishte shkaku, pse Bill Clinton dha urdhrin historik për bombardimin e së ashtuquajturës Republikë Federale Jugosllave (Serbia dhe  Mali i Zi), më 24 mars 1999.

Bill Clinton së bashku me Madeleine Albright  (Sekretare e Departamentit Shtetëror Amerikan) dhe William Walker (diplomat i shquar amerikan dhe shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë) së bashku me kryekamandantin e NATO-s, Gjeneralin amerikan Wesley Clark kanë meritat kryesore historike, politike, diplomatike dhe ushtarake për shpëtimin e Kosovës nga gjenocidi i Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999).

Bill Clinton dhe George W.Bush, të shpallën heronj të Kosovës së pavarur

Kush ta shpëton jetën dhe të sjellë lirinë dhe pavarësinë, ai është vëlla, shok,  mik dhe hero. Prandaj, të mos i ndajmë, të mos i injorojmë dhe të mos i harrojmë heronjtë e Kosovës, qofshin kombëtarë apo ndërkombëtarë.

Lufta e përbashkë, liria dhe pavarësia e Kosovës na bashkoi me Amerikën. Prandaj, këtë bashkim dhe këtë miqësi jemi të obliguar ta ruajmë me sjellje, me  vepra  dhe me vlera konkrete, jo vetëm me fjalë boshe, me mashtrime, me devijime dhe me hipokrizi të ndryshme, që dëmtojnë interesin e përgjithshëm strategjik  dhe bashkëpunimin afatgjatë shqiptaro-amerikan.

Pra, ta shikojmë të vërtetën në sy se liria dhe pavarësia e Kosovës,  është vepër historike e  përbashkët e UÇK-së së Adem Jasharit, të mbështetur dhe të legalizuar nga Amerika e Bill Clintonit dhe e George W. Bush. Kjo është arsyeja dhe argumenti i qëndrueshëm, që mbështesin vendimin e ligjshëm të Kosovës për njohjen e statusit hero të  presidentëve Bill Clinton dhe George W.Bush.

 Presidentja Vjosa Osmani t’i shpallë HERONJ të Kosovës së pavarur, presidentët e SHBA-së, Bill Clinton dhe George W. Bush.

Pra,  krahas heronjve kombëtarë shqiptarë, Adem Demaçi dhe Adem Jashari, edhe ish-presidentët  e Amerikës Bill Clinton dhe George W.Bush janë heronjë të Kosovës, sepse me luftë dhe me paqe ia sollën lirinë Kosovës (1999 – 2008).

-Vetë Bill Clintoni dhe Amerika mbështetën dhe ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës, si dhe legalizuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Konferencën e Rambujesë ( shkurt 1999).

Së këndejmi,  kryekomandanti legjendar (truri dhe zemra e Kosovës) së bashku me trimat e tij të UÇK-së, të parët filluan luftën për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese, kurse presidenti amerikan Bill Clinton e përfundoi me sukses, duke e mposhtur me forcë Serbinë (78 ditë bombardim nga NATO-ja). Kjo ishte fitorja historike e Adem Jasharit dhe e Bill Clintonit, sepse  Kosovës ia sollën lirinë dhe pavarësinë (1999).

Këta janë  heronjtë më të merituar historikë për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës. Ndryshe Kosova, edhe sot, do të kishte qenë nën tutelën kolonialiste dhe imperialiste të Serbisë gjenocidale.

Duke qenë se lirinë Kosovës ia solli Amerika, atëherë është  e logjikshme dhe e njerëzishme që ish-presidentët e saj të merituar, Bill Clinton dhe George W. Bush, të shpallën heronj të Kosovës, sepse vetëm ngritja e lapidarëve të tyre nuk është  satisfaksion i mjaftueshëm për historinë e re të Kosovës së pavarur.

Në Prishtinë,  në vend të Trekëndshit serbo-jugosllav komunist “bratstvo-jedinstvo”, të ngritet në formë pirgu Shtatorja e lartë e lirisë së Kosovës me heronjtë e saj: Adem Demaçi, Adem Jashari, Bill Clinton dhe George W.Bush

Këto katër personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare, që i përkasin shekujve XX dhe XXI, pa dyshim se janë FLAMURI-SIMBOLI i përjetshëm i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008).

Pikërisht, ndërtimi i Shtatores së Katërshes heroike të pavarësimit të  Kosovës (Demaçi, Jashari, Clinton dhe Bush)  midis Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, duhet të jetë kujtimi i përjetshëm i brezave të sotëm dhe të nesërm shqiptarë, jo  Trekëndshi “bashkim-vëllazërim”  çetniko-partizan serbo-jugosllav, i cili, fatkeqësisht, edhe pas ndryshimit të faqes historike dhe politike të Kosovës (1999-2022) po qëndron si “gogol” i pamposhtuar për t’iu kujtuar shqiptarëve  mizoritë, masakrat dhe gjenocidin serbo-jugosllav të bërë në Kosovë, gjatë LDB-së dhe pas përfundimit të saj (1945-1999).

-Mbijetesa e Trekëndshit “bratsvo-jedinstvo” në qendër të Prishtinës, është turpi më i madh i politikës dhe i ligjvënësve të Repulikës së Kosovës, sepse simbolizon pushtimin kolonizues të Kosovës me dhunë, me forcë dhe me gjenocid nga   bandat ushtarake, pramilitare dhe policore vrastare pushteuse serbo-jugosllave  dhe të kuislingëve-mbështetësve të tyre shqipfolës.

-Përmendorja në formë trekëndshi “bashkim-vëllazërim”, e vendosur midis Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, nuk është vlerë simbolike kombëtare  shqiptare e as vlerë e demokracisë evropiane perëndimore, por vetëm simbol famëkeq i “bashkim-vëllazërimit” me dhunë, me terror dhe me gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ky ishte trekëndshi “vullnetar” i “bashkim-vëllazërimit” serbo-jugosllav shqiptar (1945-1999).

-Ruajtja dhe përkujdesja e kësaj përmendoreje antiliri, antipavarësi dhe antivetëvendosje Kosovës shqiptare, nuk është aspak njerëzore, humane, kombëtare e as e drejtë, sepse bie ndesh me kërkesën historike dhe me luftërat njëqindvjeçare të shqiptarëve për lirinë, për pavarësinë e Kosovës dhe për ribashkimin e saj me Shqipërinë.

Prandaj, është e domosdoshme dhe imediate, që ligjëvënësit e Kosovës, të miratojnë vendimin përkatës për shembjen e asaj përmendoreje famëkeqe partizane komuniste serbo-jugosllave, dhe në vend  të saj, të ngritet shtatorja historike me katër simbolet e saj  heorike  dhe të lavdisë: ADMEM DEMAÇI, ADEM JASHARI, BILL CLINTON DHE GEORG W. BUSH, sepse këta kanë meritat kryesore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës (17 shkurt 2008), jo çetnikët komunistë serbo-jugosllavë, që më 1945 me forcë, me reprezalje dhe me gjenocid e RIPUSHTUAN dhe e RIKOLONIZUAN KOSOVËN e Shqipërisë etnike.

Këto katër personalitete shqiptare dhe amerikane (kombëtare dhe ndërkombëtare) përbëjnë kuintesencën e kuptimit dhe të domethënies së përmbajtjes së historisë, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Pa këtë histori, mirëfilli nuk mund të kuptohet, të shpjegohet e  as të justifikohet e vërteta mbi lirinë dhe mbi pavarësinë e Kosovës (2008).

Si në çdo vend të botës, ata që sjellin lirinë dhe pavarësinë një populli kanë vetëm një emër, quhen heronjë, ashtu sikurse Adem Demaçi, Adem Jashari, Bill Clinton dhe George W. Bush, të cilët janë flamurtarët e merituar-kurora e lulediellit dhe e luledritës së Kosovës së lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike.

Ndaj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka rastin historik, që krahas  heronjve të kombit dhe të Kosovës, Adem Demaçi dhe Adem Jashari, t’i shpallë heronj të Kosovës, edhe presidentët historikë të SHBA-së., Bill Clinton dhe George W.Bush, se janë pjesë e pandashme e frytit të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Nolens volens, duhet pranuar të vërtetën se vepra e tyre politike, humanitare dhe ushtarake ka karakter historik, kombëtar dhe ndërkombëtar për Kosovën, sepse  Amerika e bëri të pavarur dhe sovrane, të cilën sot e njohin 140 shtete të Kombeve të Bashkuara.

Heroizmi i Bill Clintonit  dhe vulosja e pavarësisë nga George W. Bush , janë përligjja dhe justifikimi i luftës së UÇK-së për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës

Njohja ligjore e statusit hero Bill Clinton-it dhe George W. Bush-it, në asnjë mënyrë nuk do të thotë mohimin dhe zhvlerësimin e betejave, të kryengritjeve, të luftërave dhe të sakrificave të dëshmorëve dhe të heronjve shqiptarë, që me qindra e me mijëra kanë derdhur gjak dhe kanë flijuar jetët e tyre për ta bërë Kosovën e lirë dhe të pavarur (1878-1999), por, është vërtetim dhe kurorëzim historik, politik, kombëtar dhe ndërkombëtar i veprës së tyre heroike ngase Amerika  për herë të parë në historinë e kombit shqiptar, ia arriti t’ia sjellë lirinë dhe pavarësinë Kosovës së Shqipërisë etnike, duke e shkëputur përgjithmonë nga  Serbia kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999).

Pra, Amerika (superfuqi botërore) me presidentët e saj Bill Clinton dhe George W. Bush, ishte ajo që me luftë, me politikë dhe me diplomaci ia doli, që ta realizojë  ëndrrën dhe aspiratën  shekullore të dëshmorëve dhe të heronjve shqiptarë të Kosovës, që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur.

Ndaj, shpallja dhe nderimi heronj të Kosovës e presidentëve historikë të Amerikës, Bill Clinton dhe George W.Bush, në asnjë segment nuk e konteston, nuk e zbeh, nuk e hijeson e as nuk e mohon meritën e heronjve dhe të dëshmorëve të UÇK-së me heroin Adem Jashari në krye, që flijuan jetën e tyre për ta çliruar Kosovën nga Serbia pushtuese gjenocidale, por  de fakto dhe de jure është kurorëzim dhe njohje e drejtpërdrejtë e luftës çlirimtare dhe antikoloniale të UÇK-së për çlirimin dhe shkëputjen e Kosovës nga Serbia kolonialiste, ekspansioniste, hegjemoniste, militariste dhe gjenocidale (1912-1999).

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".