Berat Buzhala, ky servil i kalitur i kryetradhtarit Thaçi

Berat Buzhala, ky servil i kalitur i kryetradhtarit Thaçi
Berat Buzhala, ky servil i kalitur i kryetradhtarit Thaçi

Eshref Ymeri

  • 22 August 2022 - 09:27

Shkruan: Prof. dr. Eshref Ymeri

Berat Buzhala, ky servil i kalitur i kryatradhtarit Thaçi.

"Servilët e shkathët zakonisht janë jo më pak mashtrues të shkathët,ai që di të serviloset, di edhe të mashrojё"Napoleon Bonaparti.

Pak ditë më parë, ndoqa në internet, përmes youtube, emisionin me titull “Ditari i Buzhalës: Kush ishte Hashim Thaçi? Pjesa e parë”. Një javë më vonë ndoqa edhe pjesën e dytë. 

Berat Buzhala, si kryeredaktor i këtij emisioni, i kishte vënë vetes si qëllim kryesor himnizimin e figurës së Hashim Thaçit. Normalisht, në emisione të tilla, siç tregon edhe praktika botërore, kur diskutohet për figurën e një politikani të caktuar, në studio ftohen të marrin pjesë edhe gazetarë-analistë të tjerë, edhe të krahut opozitar, në mënyrë që figura e politikanit, para teleshikuesve, të pasqyrohet sa më e plotë. Por jo. Buzhalës nuk i paskëshin interesuar absolutisht këndvështrimet e kolegëve të tij. Ai synonte që në mendjen e teleshikuesve të injektonte vetëm bindjet e veta, si një kryeservil fort i stërvitur i Hashim Thaçit.

Le të ndalemi në disa deklarata të Buzhalës, që po i rendis më poshtë sipas numrave, të cilat ia çjerrin maskën paq, duke e ekspozuar si kryeargat të regjuar të agait të tij Thaçi.

Gjatë lëvdatave pa doganë në adresë të Thaçit, Buzhala tha:

1. “S’po du me tingëllu tash sikur Enver Hoxhaj ka pasë thënë në njëfarë kuvendi të PDK-së, nëse s’gaboj, para nja dhjetë viteve, ka pasë thënë që ne do të bëhemi hi e pluhur dhe emri i Hashim Thaçit nuk do të shuhet asnjëherë”. 

Pra, sipas servilit Buzhala “vepra” e Thaçit “do të jetë e përjetshme”.

Me këto fjalë, Buzhala, megjithëse mundohet t’i vendosë një maskë servilizmit të vet ndaj Thaçit, të kujton servilizmin e Kadaresë ndaj kryekriminelit Enver Hoxha. Në kujtimet e veta Kadarea shkruan:

“Tani që udhëheqësi ynë nuk është midis nesh, kujtimet për të marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato janë pjesë e veprës së tij monumentale…” (Citohet sipas: Ismail Kadare. “Një pasdite me shokun Enver Hoxha”. Faqja e internetit “Radio Kosova e Lirë”. 17 shtator 2018).

2. “Hashim Thaçi… e kishte zanafillën te kjo lëvizje që quhej LPRK e pastaj LPK. Aty ka lindë Hashim Thaçi, aty ka lindë Kadri Veseli, aty ka lindë Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, aty ka lindë një numër i madh i njerëzve, që më vonë e kanë themelu UÇK-në…”.

Tani kujt duhet t’i besojmë? Berat Buzhalës, i cili në vitin 1995 kishte mbushur moshën 20 vjeç? Deri tani nuk kemi ndonjë informacion që, gjatë viteve 1995-1999, Buzhala t’u jetë bashkuar formacioneve luftarake të UÇK-së. Për rrjedhojë, nuk ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i themelimit të saj, si edhe i betejave të zhvilluara kundër ushtrisë fashiste serbe. Prandaj, për të marrë një informacion të saktë, duhet të pyetet ndokush nga luftëtarët veteranë të UÇK-së.

Në materialin në vijim jepet një informacion shumë i saktë për themeluesit e vërtetë të UÇK-së. Aty citohen deklaratat e Naim Miftarit, luftëtar-veteran i njohur, ish-epror i lartë i UÇK-së, G2, UÇK-TMK dhe pjesëtar i Shërbimit informativ të Kosovës (SHIK). 

Ja çfarë thuhet në atë informacion:

“Edhe pse pothuasje të gjithë e dinë, por akoma nuk është qartësuar përfundimisht se kush ishin personat e parë që themeluan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si dhe shumë komandantë, ish-liderin politik të kësaj ushtrie, Hashim Thaçin, e njohin si themelues të UÇK-së. Por kjo nuk është e vërteta, ajo është krejt ndryshe! Para themelimit të UÇK-së, kishte grupe të gueriljeve, bashkë me komandantin legjendar Adem Jasharin dhe Sali Çekajn që kishin kryer ushtrimet e para në Shqipëri. Pjesëmarrësit që kishin marr pjesë në ushtrime në Shqipëri janë celulat e para të UÇK-së. Tashmë po kuptohet gjithnjë e më shumë se Adem Jashari ishte një hero i zhvilluar brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Përveç tij, ishte edhe Sali Çekaj. Pra, janë dy heronj të jashtëzakonshëm kombëtarë, Sali Çekaj dhe Adem Jashari, që ishin pjesë e stërvitjeve dhe përgatitjeve për luftë. I pari do të shquhet me fitoren në betejën e Koshares, së bashku më Agim Ramadanin, ndërsa Adem Jashari si sakrifikues unik, mbase në tërë historinë njerëzore, duke flijuar thuajse gjithë familjen në rezistencën kundër pushtuesit serb. Paradoks i vërtet është se në këtë grup nuk është asnjë emër i politikanëve tanë, që kanë bërë bujë në institucionet e Kosovës, e të cilët thirren në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, asnjë emër i atyre që sot thuhet që formuan UÇK-në nuk janë në listat e guerilëve të parë të UÇK-së. Madje as Hashim Thaçi. Pra, mund të thuhet, madje ka edhe fakte për këtë, se shumica e atyre që edhe sot vazhdojnë të fitojnë vota në emër të luftës, ishin shumë të vonshëm, madje tepër të vonshëm si pjesëmarrës në luftë. Ata, shumica prej tyre, erdhën në vitin 1998 e disa edhe në vitin 1999 në luftë, ndërsa sot ‘rrahin gjoks’ si themelues të UÇK-së! Hashim Thaçi është shkatërruesi i UÇK-së. Rrënjët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës burojnë nga vetë populli dhe si bërthamë është grupi prej mbi 50 vetave që në vitin 1991 u ushtruan nga ushtarakët shqiptarë në malin Dajt, në kazermën e Surrelit në Shqipëri. Këto grupet e para kanë qenë edhe shtyllat kryesore të UÇK-së. Në këto grupe kanë marr pjesë Zahir Pajaziti, Adem Jashari, Sali Çekaj, Murat Jashari e shumë të tjerë, ku si koordinatorë të tyre ka qenë Sali Çekaj, Imer Berisha dhe Fehmi Agani. Ky ka qenë themeli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi në këto ndodhi nuk përmendet askund, ndoshta përmendet ma vonë vetëm për faktin se i ka luftuar të gjithë këta njerëz. E kaluara e Thaçit është e panjohur dhe e kam thënë publikisht se as 20% nuk e njohim atë. Do jetë e dhimbshme nëse në të ardhmen do të dalin të dhëna të tjera negative të verifikuara, shumë më të rrezikshme dhe të dëmshme për Kosovën, e sidomos për UÇK-në. Sa e ka dashur UÇK-në Hashim Thaçi, tregon marrëveshja K-90 ku shumica e ushtarëve u lanë rrugëve, u gënjyen, u shantazhuan, u çarmatosën dhe u kriminalizuan nga vetë Thaçi me kompaninë e tij, e cila nuk njihet ndonjëherë që ka marrë pjesë në operacionet e UÇK-së kundër ushtrisë okupatore serbe” (Citohet sipas: “Hashim Thaçi nuk është themelues, ja kush ishin njerëzit e parë -themeli UÇK-së (Emrat)”. Faqja e internetit“news33”. 20 prill 2021).

Në këtë informacion, Naim Miftari ka publikuar edhe listat e dy grupeve të gueriljeve, pararendëse të UÇK-së,. Grupi i parë përbëhej nga 53 luftëtarë. Në krye të listës janë Sali Çekaj dhe Zahir Pajaziti. Grupi dytë përbëhej nga 54 luftëtarë dhe në krye të listës janë Adem Jashari e Iliaz Kadriu.

Në një tjetër informacion thuhet:

“… Hashim Thaçi as nuk ka qenë luftëtar e as themelues i UÇK-së, themelues ishin dhe historia e fakteve do i njeh Sali Çekaj, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin dhe Ahmet Hoxhën, Hashimi do të njihet si një puçist, përçarës, dredhagji, profiter lufte, komplotist dhe tani milioner i pasurisë së Shtetit, këta e themeluan organizatën kriminale SHIK, bashkë me strukturat e SHIKSH, për të denigruar, shpifur dhe vrarë kundërshtarë politikë (Citohet sipas: Osman Ferizi. “Hashim Thaçi as nuk ka qenë luftëtar e as themelues i UÇK-së”. Faqja e internetit “Lideri.mk”. 12 shkurt 2022).

Është e çuditshme se sa shumë ngjajnë skenarët e mashtrimeve përmes miteve të sajuara për Enver Hoxhën dhe Hashim Thaçin, si agjentë të armikut shumëshekullor të kombit shqiptar, serbosllavizmit. Në Tiranë u shpik miti për Enver Hoxhën, si themeluesi i partisë komuniste, kur, në të vërtet, organizatorët e themelimit të saj ishin Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, emisarët e serbosllavizmit, me qëllim që ta kishin si agjenturë për qëllimet e veta, siç edhe ndodhi në realitet. Ky fakt sqarohet me dokumente arkivore në librin e historianit Vasfi Baruti, me titull “Enver Hoxha në optikë të re”. Shtëpia Botuese “UEGEN”. Titranë 2013. f. 237.

Në Prishtinë u sajua miti për Thaçin, si “themeluesi” i UÇK-së dhe Buzhala ka marrë përsipër rolin e tellallit për përhapjen sa më shumë të këtij miti në radhët e opinionit publik. 

Çuditërisht, Buzhala, me lëvdata e tij të shpifura që i derdh pa kursim në adresë të agait Thaçi, na e përshkruan atë si një “trim” që “paskej rrëmbyer pushkën” që në vitin 1991, në vitin 1993 paskej sulmuar në Drenas një post policie serbe, diku më pas qenkej rrethuar nga policia serbe, më vonë, bashkë me Kadri Veselin, “paska mbartur në krahë” armë dhe municione nga Shqipëria, “duke çarë nëpër dëborë në piskun e dimrit”. Interesante këto mitologji të Buzhalës! Po si e shpjegon ky tellall i “heroizmave” të Thaçit, të cilin, ashtu si edhe Veselin, nuk i vrau njeri gjatë “transportimit në krahë” të armëve dhe municioneve nga Shqipëria, kurse Ilir Konushevcin dhe shoqëruesin e tij i vranë në mënyrën më barbare gjatë transportimit të tyre me kamion?

Naim Miftari i është drejtuar përsëri Hashim Thaçit.

Ai kësaj radhe e ka ftuar që të tregojë të vërtetën se a ishte në luftë apo jo? Ai shkruan: 

“Hashim, trego djalë definitivisht, a je kanë në luftë a jo se brenda ditës herë po thoni po keni luftuar me armë në dorë, e herë kur po frikohesh nga Gjykata e Hagës po thu se ju keni qëndruar shumë larg vijave të frontit në Kosovë?” (Citohet sipas:Miftari:”Hashim, trego definitivisht a je kanë në luftë?”. Faqja e internetit “a-news 24”, 10 qershor 2022).

Po si shpjegohet që ky “trimi” i Buzhalës, ky mik i vëllait të Arkanit, siç theksohet më poshtë, që paska bërë “sakrifica kaq të mëdhaja”, si kryekomisar i UÇK-së, s’paska marrë pjesë në asnjë betejë absolutisht dhe, pa e shkrehur as edhe një herë të vetme, e paska lënë pushkën t’i zërë ndyshk? Kjo më kujton atin shpirtëror të Thaçit, kryekriminelin Enver Hoxha, kryeargatin e Beogradit, për të cilin Sejfulla Maleshova, në Plenumin e Beratit (23-27 nëntor 1944), duke iu drejtuar të pranishmëve, tha:

“Shikojani Enverit koburen që mban në brez se i ka zënë ndryshk”.

3. “Një djalë i ri i një fshati të vogë, i një rajoni të humbur dhe të diskriminum, u ngrit në kambë kundër establishmentit, nuk u tregu budall dhe kryeneç, që me humbë mundësinë e dhanë politike, arriti me zanë vendin qendror në Rambuje, atje ku ishin krejt kamerat e botës, arriti të bëhej kryesuesi i delegacionit”.

Pra, sipas Buzhalës, Thaçi, falë “meritave” të tij, paska zënë vendin qendror, duke marrë kryesinë e delegacionit kosovar në Rambuje, jo në Prishtinë, para nisjes. Po a është e vërtetë një gjë e till, apo lepuri fle gjetk?. Le të flasim me gjuhën e fakteve, të bëra publike konkretisht, duke iu referuar përsëri veteranit Naim Miftari. Ai shkruan:

“Dihet mirë se roli i Hashim Thaçit është rritur gjatë konferencës së Rambujesë, ku me ndihmën e DGSE-së (Shërbimi Sekret i Francës), dhe me lidhshmërinë që e ka ky shërbim me Shërbimin sekret serb, e cila njihet edhe si shërbim proserb, Hashim Thaçi dihet botërisht se ka qenë agjent i shërbimit francez dhe ka të dhëna publike mbi këtë lidhshmëri” (po aty). 

Në një dokumentar special francez të Canal +, të realizuar nga Pascal Henry në dhjetor të vitit 2015, theksohej se Hashim Thaçi është agjent i Francës. Kështu thotë ish-shefi i shërbimit francez, Pierre Siramy. Sipas tij, në historinë e rekrutimit të Thaçit është i përfshirë Arnaud Danjean, në atë kohë, oficer hulumtues për çështje të Ballkanit, me të cilin Thaçi ishte njohur dhe miqësuar gjatë kohës që ishte emigrant në Zvicër. Në vijim jepet një pjesë e tekstit të atij dokumentari.

“Dihet se kryeministri është në këtë pozitë falë Uashingtonit, por ajo çka është më pak e ditur, është se meritat e kësaj janë edhe të Shërbimit Sekret Francez. Hashim Thaçi nuk ishte njeri politik i respektuar, por në fund të viteve 90 -ta, ai u njoh me emrin e luftës “gjarpri”, i cili ishte në krye te UÇK-së… Kur forcat e huaja kanë hyrë në Kosovë pas luftës, populli kosovar nuk i donte francezët. Në atë kohë Hashim Thaçi u bë i nevojshëm, duke qetësuar palën kosovare, e cila ishte e revoltuar kundër francezëve. Publikisht, qeveria franceze ka përkrahur Ibrahim Rugovën, Presidentin historik dhe njeriun e paqes, por me delegacionin e kosovarëve në Rambuje, ishte i ftuar edhe Hashim Thaçi, i cili ishte i panjohur për mediat ndërkombëtare në atë kohë. Ne vizituam edhe Kosovën, ku u takuam edhe me Hashim Thaçin dhe realizuam një intervistë me të. Pas pyetjeve të shumta të marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e huaja, ne e pyetëm atë se a ishte agjent i shërbimit sekret francez, por ai nuk dha asnjë përgjigje. Sipas Pierre Siramy, që punoi për 25 vite në këtë shërbim, Thaçi ishte dhe vazhdon të jetë agjent i këtij shërbimi, edhe pse tani gëzon postin e kryeministrit… (Citohet sipas: “Ish-shefi i shërbimit sekret francez: Hashim Thaçi është agjent i yni, e rekrutuam në Rambuje”.Faqja e internetit “BalkanWeb”. 25 janar 2016). 

Pra, servili Buzhala mashtron shkoqur fare. Sipas informacionit të mësipërm, në Rambuje figurë qendrore ishte Ibrahim Rugova, jo Hashim Thaçi. Në atë informacion, siç u përmend më lartë, “Thaçi nuk ishte njeri politik i respektuar”. Aty theksohet se në Rambuje “ishte i ftuar edhe (!) Hashim Thaçi, i cili ishte i panjohur për mediat ndërkombëtare në atë kohë”.Domethënë, deri në zhvillimin e Konferencës së Rambujesë (06 shkurt-18 mars 1999), Thaçi paska qenë “njeri politik i parespektuar dhei panjohur për ndërkombëtarët. Ky fakt nga dokumentari francez, më solli në kujtesë përsëri kopjen e Thaçit në shërbim të serbosllavizmit, Enver Hoxhën, të cilit, Mustafa Kaçaçi, në Konferencën e Labinotit (16-22 mars 1943), i tha publikisht:“Ti Enver ke qenë një hiç…” (Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re”. Shtëpia Botuese“UEGEN”. Tiranë 2013. f. 346).

Po të ishte gazetar me dinjitet sa personal, aq edhe profesional, Buzhala nuk duhej ta anashkalonte informacionin e mësipërm. Por, si servil mashtrues që është, e ka të pamundur ta bëjë një gjë të tillë. Sepse, vetvetiu, shtrohen dy pyetje:

Pyetja e parë: Cila ishte arsyeja që shërbimi sekret francez rekrutoi pikërisht Thaçin, për çfarë interesash dhe pse trupat framceze të KFOR-it u vendosën pikërisht në Mitrovicë?

Po vetvetiu vjen përgjigjja:

Beogradi kishte krijuar bindjen se Kosova një ditë do të shkëputej nga Serbia, prandaj, duke shfrytëzuar kapacitetet e veta rekrutuese, iu drejtua për ndihmë edhe Francës, si mikes së saj tradicionale (miqësia me të cilën është përjetësuar me ngritjen monumentit të mirënjohjes ndaj Francës, që, sot e kësaj dite, vazhdon të jetë në Kalemegdan, kështjellën historike të Beogradit), për rekrutimin e agjentëve kosovarë, që të merreshin masa paraprake për ndarjen e Kosovës, në mënyrë që UÇK-ja të mos shkelte përtej lumit Ibër, duke ia shkëputur Mitrovicën e Veriut, çka do të thotë që miniera e Trepçes dhe liqeni Ujmanit t’i mbeteshin Serbisë. Për rekrutimin e atyre agjentëve do të investohej për ardhjen e tyre në krye të UÇK-së dhe për ngritjen në postet e larta të pushtetit të pasluftës. Prandaj shërbimi sekret francez, përmes agjentit të vet Arnaud Danjean, për interesat e Serbisë, peshkoi me kujdes dhe rekrutoi pikërisht Thaçin, si njeri pa shtyllë kurrizore, si mercenar i lindur. Po ashtu, edhe shërbimi sekret jugosllav, përmes agjentit të vet Stanoje Simiç (1893-1970), konsull në Korçë në vitet 1930, peshkoi Enver Hoxhën, si njeri pa kurrfarë morali, dhe ia rekomandoi Beogradit për ta vënë në krye të partisë komuniste. Dhe Veterani Naim Miftari e sqaron bukur mirë edhe këtë situatë (kur Thaçi, me shtabin e tradhtisë rreth vetes, nuk e lejoi UÇK-në të sulmonte drejt Veriut të Mitrovicës) në një intervistë dhe në një prononcim publik.

Në një intervistë që Asllan Dibrani i ka marrë atij, i është drejtuar me këtë pyetje: 

“Po pse nuk u përqendruat në Mitrovicë ju me forcat e UÇK-së?”.

Ja përgjigjja e tij në vijim:

“Pesë ditë para se me u vendosë forcat e huaja, ne prisnim urdhrin që të futemi në Mitrovicë, por na erdhi urdhri nga Shtabi i Përgjithshëm që mos të sulmojmë…” (Citohet sipas: “Intervistë me Naim Miftarin, hetues i luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”.Faqja e internetit“Forumi shqiptar”. 30 maj 2009).

Në një atikull, të botuar në gazetën “Bota Sot”, ai shkruan:

“Krejt drama çka po ndodh sot në veriun e Kosovës është se në vitin 1997, 1998, 1999…. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Baton Haxhiu, Gani Thaçi dhe shtabi i Rognerit ishin parashutistë të shërbimit sekret Serb UDB të Ivica Stanishiqit dhe disa u bënë edhe parashutistë pa parashuta të shërbimit sekret Francez DGSE, nëpunësa të dhëndrit serb Denjear Arnaudit. Kurse UDB-ja serbe dhe DGSE-ja franceze ishin dhe janë edhe sot aleatë shekullorë nga lufta ballkanike e deri te “Solunsku Frontit”. Ardhja e KFOR-it francez në veriun e Kosovës ishte me koordinim të plotë me Serbinë dhe me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe me Agim Çekun, komandantin e UÇK-së, i cili ishte shërbëtor i Shtabit të Rognerit”… Pyetni çdo epror që ishte prezent në Shtabin e Përgjithshëm në 1999 në Berishë, duke filluar nga Rexhep Selimi, se si Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Agim Çeku e kishin mbushur Shtabin e Përgjithshëm në Berishë me oficerë, të prezantuar në UÇK si kinse janë anglezë të NATO-s, por në fakt ishin oficerë francezë të DGSE-së që kishin ardhur në koordinim të plotë me shtetin serb, me ushtrinë dhe policinë e Millosheviçit. Qëllimi ishte që përmes KFOR-it francez dhe nëpunësve të vet Thaçit, Veselit, Haxhiut… t’ia ruajnë Serbisë territorin e Veriut të Kosovës… Loja e DGSE-së franceze dhe UDB-së serbe ishte me ndarja e Kosovës, ndalja e demonstratave masive dhe koordinimi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, e Agim Çekun… Këtë lojë e ka parë pastaj publikisht pothuajse gjysma e Kosovës! Pyetni Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Agim Çekun se si ndodhi më pas spastrimi etnik, dëbimi i koordinuar i 15.000 shqiptarëve nga Veriu i Mitrovicës me 2 edhe 3 shkurt 2000?” (Citohet sipas: “Si nisi skenari serb për spastrimin e veriut me “Tigrat e Zinj” të Sami Lushtakut, Naim Miftari zbulon detaje të pathëna më parë për Thaçin, Veselin dhe Çekun”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 15 tetor 2021).

Njëri nga aktivistët e shquar të diasporës shqiptare në Gjermani, zotëria Xhafer Leci, e ka denoncuar publikisht Hashim Thaçin, si agjent i francezëve në shërbim të Beogradit. Ai i është drejtuar me pyetjen në vijim:

“Pse përpjekjet e UÇK-së për të marrë kontrollin e minierave të Trepçës u penguan nga trupat franceze më 3 korrik 1999 dhe pse heshti Hashim Thaçi?” (Citohet sipas: Xhafer Leci. “Mitrovica, Trepça dhe Hashimi”. Faqja e internetit “Tribuna Shqiptare”. 23 nëntor 2013).

Buzhala me siguri që është në dijeni të këtyre fakteve mjaft tronditëse, por në ditar-rrëfimin e vet i anashkalon ato sa qëllimisht, aq edhe paturpësisht. Zeja e servilizmt të thekur ndaj Thaçit nuk ia lejon.

A e di servili Buzhala se çfarë ka deklaruar Vuçiçi për Thaçin? Me siguri që e di, por shtiret si i paditur se e ka verbuar servilizmi i flaktë që ushqen ndaj agait të vet. Thaçi. Ja informacioni në vijim:

“Radio serbe B92, duke përcjellë një lajm nga Tanjug, sjell deklaratën bombë të Presidentit të Serbisë, drejtuar Hashim Thaçit. Aleksandër Vuçiç e nxjerr zbuluar Hashim Thaçin! Presidenti i Serbisë ia tha këtë deklaratë Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi gjatë takimit të përbashkët në samitin e Brdo-Brijunit të zhvilluar në Tiranë, Shqipëri. Ja çfarë citon Tanjug t’i ketë thënë Vuçiç Hashim Thaçit:

“Ti Hashim varesh nga ne. Jam duke t’u lutur të flasësh, për të mos thënë atë që ti do apo atë që ti nuk do!”

Vuçiçi përsëriti se ai nuk ka folur kurrë për zgjidhje, por për arritjen e një marrëveshjeje” (Citohet sipas:“Deklarata e Aleksandër Vuçiçit: Hashimi varet nga ne! Nuk na ka kërkuar kurrë që Serbia ta njohë Kosovën…”. Faqja e internetit“Gazeta Impakt”. 12 maj 2019).

Pyetja e dytë: Cila ishte arsyeja që, kur trupat e huaja patën hyrë në Kosovë, populli kosovar ishte i revoltuar kundër francezëve?

Buzhalës, si një servili të lindur, të zhveshur tërësisht nga dinjiteti kombëtar, nuk i ka bërë përshtypje absolutisht një fakt i tillë, sepse, duke e shndërruar veten në një lepitkë të pështirë të kryetradhtarit Thaçit, të këtij spiuni serbofrancez, vetvetiu, tërthorazi, edhe vetë është vënë në shërbim të serbosllavizmit kriminal.

Populli shqiptar i Kosovës, si edhe mbarë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare, e urrejnë politikën franceze, e cila, tradicionalisht, ka mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë.

Senatori, diplomati dhe nobelisti francez Paul d'Estournelles de Constant (1852-1924). Sekretar i Komisionit të Caktimit të Kufijve të Shqipërisë dhe Malit të Zi në vitet 1879-1880, ka pasë deklaruar: 

“Ne e sabotuam dhe e copëtuam territorin shqiptar në dobi të Malit të Zi. Mali i Zi dyfishoi, trefishoi sipërfaqen e tij, me një të rënë të lapsit, nga 4.405 në 15.355 km² në dëm të Shqipërisë”. (Citohet sipas faqes së internetit “Koha”, 28 gusht 2018).

Në të vërtetë, ai senator shovinist, armik i etnisë shqiptare, për fajin e vetë shqiptarëve, të përçarë kashtë e koqe, sipërfaqen e Malit të Zi e shtoi 3,5 herë.

4. “Thaçi ka pasë të meta, ka pasë lëshime. Nën mandatin e tij të asaj kohës e të shokëve të tij kanë ndodhë krime, kanë ndodhë vrasje të civilëve…”.

Buzhala, si gazetar dhe analist, a ia ka shtruar vetes ndonjëherë pyetjen se pse kanë ndodhur ato vrasje dhe sa ka arritur numri i të vrarëve? Buzhala e ka informacionin e duhur për ato vrasje. E ka lexuar në internet analizën me titull “Naim Miftari: Atentatin e parë politik kundër shqiptarëve Hashim Thaçi me shokë e kanë krye në Gjenevë”, ku bëhet fjalë për vrasjen e Xhafer Shatrit. Buzhala le të kërkojë në google analiza nën rubrikën “Vrasjet e organizuara nga Hashim Thaçi”, ku do të lexojë mjaft materiale me informacione të bollshme.

Murat Jashari, vëllai i komandantit të vrarë Ismet Jashari, i njohur me pseudonimin komandant “Kumanova”, kohë më parë, nëpërmjet një letre të hapur, ka akuzuar Hashim Thaçin për vrasjen e Behajdin Hallaçit.

“Në fillim të korrikut 1998, natën, duarlidhur, vrave Behajdin Hallaqin dhe ditën, më 30 tetor 1998, në Komunikatën Nr.61 të SHP të UÇK-së e shpallët dëshmor të kombit, sa për të humbur gjurmët… Shefi i UÇK-së dhe i SHIK-ut, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, atëkohë ishin strehuar te vëllai i Arkanit. Por edhe pse këto akuza kishin qenë publike, të lartcekurit kishin qëndruar të heshtur mbas kësaj akuze…”. (Citohet sipas: “Zbulohet se për cilën vrasje mund të akuzohet Presidenti Thaçi nga Specialja. Faqja e internetit e gazetës“Bota Sot”. 21 janar 2020).

Pra, Hashim Thaçi dhebanda rreth tij, e ka pasur të gatshëm skenarin serb, sipas të cilit edhe kryekrimineli Enver Hoxha duhej të organizonte vrasjen e kundërshtarëve politikë. Emrat e të gjithë kundërshtarëve të Enver Hoxhës, gjatë dhe pas luftës, do të futeshin në listën e zezë për t’u“dekoruar” sipas mënyrave të tij prej krimineli të rafinuar. Prandaj porositë, “të dekorohet” dhe të shpallet dëshmor,të përcjella gjatë luftës në strukturat e partisë dhe të ushtrisë përmes Nexhmije Xhuglinit, ishin të prera:

“Të dekorohet pas koke, në befasi, në fshehtësi, me nderime (sipas rastit), pa lënë shenjë guri-varri… (Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re”. Shtëpia Botuese “UEGEN”.Titranë 2013. f. 377).

Në këtë mënyrë të pabesë u vranë dhe u shpallën dëshmorë Mynyr Xhindi, Mustafa Gjinishi, Mustafa Kaçaçi etj.

5. “Hashim Thaçi i viteve ’90 ishte personi ideal i një shoqërie të zhytur në letargji.., që nuk ka kalkuluar politikisht për vete, por as për fatet individuale… Frymëzimi për ndryshim i Thaçit në këtë kohë nuk i ka rrënjët te pushteti dhe pozita qeverisëse, sepse ekziston një ide që krejt politikanët e posaçërisht këta që e kanë zhvillu luftën, krejt luftën e kanë bërë për pushtet, pra, kanë luftu për me marrë qeverinë”.

Nacionalisti i diasporës kosovare në Gjermani, publicisti i njohur Idriz Zeqiraj, deklaron:

“Serbia i kishte argatët e vetë të gatshëm. Ajo kishte planifikuar, që, sido që të rrjedhin ngjarjet në Kosovë, donte që njerëzit e saj të vihen në pozicione favorizuese për atë, Serbinë. Por asaj nuk i mjaftonte vetëm ndihma e social-komunistëve të Tiranës. Bëri si bëri, koordinoi me miken tradicionale të Serbisë, Francën, e cila do t’ia ofronte Hashim Thaçit “mikun” e gatshëm, Arnaud Danjean, agjent i Sigurimit francez, DGES… Lista emërore e ekzekutimeve vijoi me vrasjet serike… për të arritur kuotën shifrore të 1820 viktimave politike, të ekzekutuara nga komandantët dhe bandat e tyre, të cilët sot vazhdojnë pushtetin e tyre të përgjakur në Kosovën, kinse, të “lirë” e “demokratike!”. Vrasjet politike në Kosovë janë masive, madje shifra e tyre tejkalon numrin e dëshmorëve faktikë, të rënë në luftën e Kosovës(Citohet sipas: Idriz Zeqiraj.“Hashim Thaçi u arrestua për vrasjen e Ali Ukajt, u lirua pas telefonatës së Xhavit Halitit”. Faqja e internetit “MekuliPress. Kritikë për media dhe për retorikë”. 14 gusht 2017).

Pra. nga kjo analizë rezulton se vrasjet gjatë dhe pas luftës janë bërë vetëm për qëllime politike, për shfarosjen e kundërshtarëve politikë, me të vetmin qëllim që Thaçi dhe banda tradhtare rreth tij, sipas skenarit dhe interesave serbe, të kishin pozita kyç në pushtetin e ardhshëm për ndarjen e Kosovës, të mos ia linin askujt “tortën” e pushtetit. Por Buzhala nuk e pranon një gjë të tillë. Ai, pa pikë turpi, mashtron me gjakftohtësinë më të madhe kur deklaron se Thaçi nuk paska kalkuluar politikisht për vete. Ky është cinizëm i kulluar, është qëndrim i pacipë. 

6. Në Rambuje Thaçi e pati detyru zonjën Ollbrajt (Madeleine Albright)… që pas një kohe, kurdo që të zgjidhet çështja e Kosovës… me u marrë parasysh vullneti i popullit… Thaçi kishte arritë me marrë një nënshkrim, një zotim prej Amerikës që kurdo që të zgjidhej çështja e Kosovës, të merrej parasysh vullneti politik i shqiptarëve, i shumicës në Kosovë…”.

Sipas Buzhalës, rezulton që Sekretarja e Shtetit Ollbrajt, Amerika, paskëshin qenë kundër vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje, por ishte Thaçi ai që “e detyroi” zonjën Ollbrajt ta pranojë një gjë të tillë. Pra, Thaçi “paska marrë një nënshkrim” nga Amerika. 

S’ka asgjë për t’u habitur me këto broçkulla që Buzhala nxjerr nga goja. Sepse servilizmi i një niveli tejet të neveritshëm ndaj Thaçit, e detyron të ngrihet deri në shkallën më të lartë të marrëzisë që nxjerr nga goja. Vallë nuk e ditka Buzhala që e drejta e popujve për vetëvendosje është në themel të politikës së jashtme amerikane? E di, sigurisht, por, duke shtrembëruar të vërtetën pa iu skuqur faqja, kërkon të mashtrojë opinionin publik me gënjeshtrat që mundohet t’ia përcjellë, për të “rritur autoritetin” e Thaçit. Është e pamundur që Amerika të mos e ketë pasur me kohë informacionin për Thaçin, si spiun i Beogradit, çka, automatikisht, do të thotë, si antiamerikan Ndërkohë, ca të dhëna mjaft kuptimplote dëshmojnë se Hashim Thaçi, edhe gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, e ka treguar me fakte se që asokohe ka qenë agjent i Serbisë dhe antiamerikan. Nënkuptohet që, gjatë asaj kohe, shërbimi sekret serb, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin sekret rus, përgjonin bisedat telefonike të Hashim Thaçit. Gjenerali rus Leonid Ivashov, dëshmitar në mbrojtje të Millosheviçit në .Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ka deklaruar:

“… unë kam qenë i vetmi nga dëshmitarët që kam dhënë dëshmi dy ditë rresht. Ditën e parë, ndër të tjera, unë rrëfeva për dy biseda të përgjuara telefonike të Madlen Ollbajtit me Hashim Thaçin. Ende pa arritur deri te ngjarjet kryesore, atij se si i kishte shpëtuar goja dhe kishte deklaruar se, demek, në territorin e Kosovës, përveç shqiptarëve, nuk do të ketë as NATO, as serbë. Ollbrajt, e cila asokohe telefononte nga Gjermania, udhëheqësit kosovar ia futi të dyja këmbët në një këpucë. Biseda tjetër mes tyre u zhvillua më 25 mars 1999, ditën e dytë pas fillimit të bombardimeve. Këtë herë ajo doli në telefon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ku ma keni kryengritjen tuaj, - i bërtiste Thaçit në telefon, - pse nuk po e shpërtheni kryengritjen?”.

Kur unë solla këto fakte, anëtarët e trupit gjykues shqyen sytë” (Citohet sipas: Leonid Ivashov. Intervistë për revistën “Itogi”. Botuar në faqen e internetit “russmir.info”. 27 gusht 2010).

Nga këto deklarata të gjeneralit rus, së pari,rezulton se Beogradi i kishte vënë si detyrë Thaçit që të deklarohej kundër pranisë së NATO-s në Kosovë, faktikisht, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, për ta maskuar detyrën e tij në shërbim të Beogradit, atij i qenka dhënë porosia që të shprehej edhe kundër pranisë së serbëve në Kosovë, se kjo nuk i prishte shumë punë shovinizmit serbomadh, i cili ishte mjaft i interesuar që vetëm NATO-ja të mos shkelte në Kosovë se pastaj ai dinte vetë se si i rregullonte punët me Kosovën.

Së dyti, Thaçi i paska premtuar zonjës Ollbrajt se fill pas nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në Kosovë do të shpërthente një kryengritje e madhe, domosdo, “nën udhëheqjen” e Thaçit!!! Por, faktikisht, në Kosovë, pas 24 marsit 1999, s’shpërtheu kurrfarë kryengritjeje. Pra, Thaçi e paska mashtruar zonjën Ollbrajt me premtimin për “fillimin e kryengritjes”. Nënkuptohet që nuk mund të fillonte kurrfarë kryengritjeje, sepse Thaçi s’mund të dilte dot jashtë piketave që i kishte vendosur ustai i Beogradit.

7. “Thaçi, kanë treguar shokët e tij, ka sulmuar policët serbë në Drenas vetë, personalisht, por edhe në lokacione të tjera. Në fakt, nuk e di, a i ndihmoj me këto të dhëna në Tribunal apo jo?...”.

Me fjalë të tjera, Buzhala rreshtohet në anën e mbrojtësve të Thaçit në Tribunalin e Hagës. Po pse Buzhala e harxhon kohën kot që nga Prishtina me oratorinë e vet plot aromë servilizmi për kryetradhtarin Thaçi? Ai, paraprakisht, le ta përkthejë në anglisht tekstin e oratorisë së vet, le të ngrihet e të shkojë në Hagë për t’ia dorëzuar Tribunalit, duke i kërkuar që edhe vetë të ulet në ndenjësen e palës mbrojtëse. Atij nuk i kushtojnë asgjë udhëtimi deri në Hagë dhe shpenzimet e qëndrimit atje, se është biznesmen i suksesshëm. Aq më tepër që edhe servilizmi është një zeje mjaft fitimprurëse.

8. “I vetmi problem, në fakt, ka qenë në atë kohë (është fjala për vitin 1999 - E.Y.) afera e Presidentit Klinton me Monika Levinskin. Bile… thuhet që u patën nda Hillari Klinton me Presidentin Klinton… Në një libër që kam lexu, Hillari Klinton ka pasë shku në Afrikë të Jugut. Kur filloi me ndodhë masakra në Kosovë, thuhet që ajo ka thirrë në telefon Presidentin Klinton, për herë të parë pas një kohe të gjatë, dhe i ka thënë: Apo do me ba diçka atje në Kosovë, se do me u bë hataja”.

Së pari, një gazetar dhe analist serioz, nga ekrani i televizorit, nuk duhet t’i lejojë vetes të përdorë shprehjet “flitet se…”, “thuhet se…”, por duhet të flasë me gjuhën e fakteve konkrete. Asokohe vërtet qarkulluan mjaft fjalë për atë aferën që përmend Buzhala. Por gjithë atyre llafazanëve, Hillari Klinton u dha një përgjigje asgjësuese: “Çfarë keni që shqetësoheni? Billi ka tradhtuar mua, jo juve”dhe ua mbylli gojën. Dhe nuk ka pasur kurrfarë ndarjeje mes çiftit Klinton 

Së dyti, sipas arsyetimit mjeran të Buzhalës, vendimi i Shteteve të Bashkuara për të sulmuar Serbinë në kuadrin e NATO-s, paska qenë fare rastësor, nga një bisedë telefonike e çiftit Klinton. Në të vërtetë, ishte Kongresi dhe Senati amerikan që patën marrë vendim për të bombarduar Serbinë. Presidenti Klinton lëshoi urdhrin për fillimin e bombardimeve. Përrallën që fillon me fjalët “Në një libër që kam lexu..”, Buzhala le ta mbajë për vete. Se një analist me dinjitet profesional përmend konkretisht autorin e librit, titullin e librit, entin botues, vitin e botimit dhe faqen.

9. “… përzgjedhja e Thaçit si njeri i amerikanëve kishte kuptim kur e pamë çfarë ndodhi në vendin tonë kur erdhën trupat e huaja, në duart e ushtarëve të UÇK-së… këta njerëz që e konsiderojnë veten çlirimtarë të Kosovës, këta njerëz që luftuan për vendin tonë, kishin municion dhe armatim masiv. I vetmi personalitet politik që ka mundur me i kontrollue këta, që ka mundur me i fut këta në binarë, që ka mundur me i mbajt këta nën kontroll, që mos me u kthye në armiqësi ajo ç’po ndodhte me trupat e NATO-s, ka qenë Hashim Thaçi”.

Nga kjo deklaratë e këtij servili të kalibrit të lartë në vlerësimin që i bën Thaçit, del përfundimi se Kosovën ai e krahasuaka me Irakun e Sadamit, me Sirinë e Asadit dhe me Afganistanin e talebanëve. Nuk është faji tij, është servilizmi i përmasve të neveritshme që e detyron atë të zbresë deri në nivelin e një të marri. A mund ta përfytyrojë ndokush nga lexuesit e nderuar me dinjitet personal dhe kombëtar që trupat e NATO-s të priteshin asokohe në Kosovë nga luftëtarët e UÇK-së si në Irak, në Siri apo në Afganistan, ndërkohë që NATO-ja ishte mbështetje e fuqishme dhe vendimtare për çlirimin e Kosovës? 

Ky gazetar-analist pa kurrfarë dinjiteti, ky gënjeshtar dhe mashtrues shembullor, i cili e himnizon kryetradhtarin Thaçi, si “figurë qendrore” të luftës, si “organizator” dhe “themelues” të UÇK-së, pa iu skuqur fytyra, e anashkalon si pa gjë të keqe deklaratëm e Kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës, Në informacionin në vijim theksohet:

“Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith, në dokumentin e tij të publikuar, ka thënë se Hashim Thaçi kishte deklaruar.., duke pohuar në mënyrë të përsëritur se, në asnjë moment më 1998 ose 1999, ai, ose ndonjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, nuk kanë pasur ndonjë autoritet mbi UÇK-në. Pas kësaj deklarate të Smith, ka reaguar Naim Miftari: 

“Gënjeshtrat e presidentit në prokurori. 

Hashim Thaçi, nëse nuk ishte lideri kryesor i UÇK-së, që ja vjedhi tërë fondet e luftës (Vendlindja thërret) dhe në fund e demobilizoi UÇK-në me një nënshkrim, e la rrugëve përmes K-90, atëherë po del se Hashim Thaçi është komandant i ushtrisë çlirimtare të Shumadisë ose komandant i ushtrisë franceze, gjegjësisht i shërbimit sekret francez DGSE! Vetë poliagjent i DGES-franceze.., vëllain agjent me UDB-Serbe…” (Citohet sipas: “Hashim Thaçi distancohet nga UÇK-ja”. Faqja e internetit “Lajm”. 26 nëntor 2020).

Nga veterani i nderuar Naim Miftari mësova se Hashim Thaçi e paska pasur një post të rëndësishëm në krye të UÇK-së, paska qenë “ministër” hajdut i financave të asaj ushtrie.

Duke himnizuar Thaçin, Buzhala e ka renditur veten në krahun e bandës varrmihëse të interesave të popullit shqiptar të Kosovës, të bandës kriminale, me në krye Thaçin, për të cilin Vjosa Osmani ka deklaruar: “Thaçi është faqja më e zezë e vendit tonë” (faqja e internetit klankosova.tv”.26 prill 2019). Nënkuptohet, që, të gjithë ata që himnizojnë Thaçin, e shtojnë listën e njerëzve faqezinj jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë kombin shqiptar. Në atdheun amë një i tillë është Rama, kryeargati i Vuçiçit, cili, nga foltorja e Kuvendit, një muaj më parë, deklaroi paturpësisht:

“Kur të përmendet Hashim Thaçi, duhet të ngrihemi në këmbë” (faqja e internetit “Ballkani.info”. 21 korrik 2022).

Himnizuesit e Thaçit bëhen mbështetës të marrëveshjeve kriminale që ai dhe banda e tij dhe e Isa Mustafës kanë firmosur në Bruksel me Vuçiçin për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, për çka Idriz Zeqiraj shkruan: 

“Mjaftojnë tri çështje që ngërthejnë marrëveshjen për “Zajednicën:

1. Ushtria e Kosovës nuk lejohet të depërtojë në Veri.

2. Lejet për kthim dhe ndërtim të shëpive të shqiptarëve, janë në varësinë ekskluzive të komunës, me shefa serbë.

3. Pikën doganore në Veri e vjel komuna, e cila e njeh për shtet Serbinë dhe jo Kosovën. Rrjedhimisht, një shtet i huaj, pra, Serbia, menaxhon pikën doganore!!! Ndërkohë që kudo në botë doganat janë monopol shtetëror” (Citohet sipas: Idriz Zeqiraj.“Veprimet provokuese dhe tërbuese të Hashimit”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 06 nëntor 2015).

Politikanët tradhtarë dhe mbështetësit e tyre në mjetet e informimit masiv janë si fara e gramit. Po të krijohet bashkësia e komunave serbe, lind shteti i dytë brenda Kosovës. Se shtetin e parë serb brenda territorit të saj e përbën bashkësia e kishave ortodokse serbe, që nuk e njeh për autoritet shtetin e Kosovës. Pararendësit e asaj bashkësie, për fajin e rëndë të iliroshqiptarëve të përçarë, na patën grabitur objektet e kultit katolik dhe i patën kthyer në objekte të kultit ortodoks. 

S’kemi ç’bëjmë. Duhet ta shikojmë realitetin në sy. Thaçi dhe banda e tij kanë lënë gjurmë varrmihëse për fatet e Kosovës. UÇK-ja, e manipuluar nga Thaçi në mbrojtje të interesave të serbosllavizmit, nuk u lejua t’ përzinte serbët nga Kosova, sidomos nga Veriu i Mitrovicës, ashtu siç i përzuri Franjo Tuzhani nga Krajna, ku, si në Bosnjë, donin të krijonin një tjetër republikë serbska. Serbët që përzuri Tuxhmani, renegati Thaçi i lejoi të vendosen në Veriun e Mitrovicës, ku Beogradi u ndërtoi shtëpi banimi. Kroacia ishte vend me zot, kurse Kosova kishte për zot bandën e Thaçit.

Është për të lënë mendjen se si ka mundësi që treshja në pushtet - Osmani, Kurti dhe Konjufca - nuk kujtohen të mbledhin parlamentin për marrjen e një vendimi të prerë për t’i hedhur në koshin e mbeturinave të gjitha marrëveshjet e bandës së Thaçit me Vuçiçin, duke ia sqaruar mirë Brukselit, përkrahësit të Serbisë, dhe Vashingtonit, mbrojtësit të Kosovës, se gjatë nënshkrimit të atyre marrëveshjeve, palën kosovare e ka pasë drejtuar një bandë tradhtare

Buzhala, me servilizmin e tij të papërmbajtur ndaj Thaçit, i është bashkuar korit të argatëve të Beogradit për ndarjen e Kosovës, të cilët në Prishtinë nuk janë të paktë.

Bota e gazetarisë është e madhe. Aty gjen gazetarë dhe analistë me një status të nderuar profesional, të spikatur për vetëdijen e lartë kombëtare, si, fjala vjen, Bajram Kabashi, autori i librit mbresëlënës“Rilindja, përkushtim e trishtim (1982-1999).Por aty gjen edhe gazetarë e analistë, të zhveshur nga çdolloj morali, si gënjeshtarë, mashtrues, mercenarë, sahanlëpirës, servilë dhe tradhtarë. Dhe këta nuk janë të paktë. Atëherë ç’duhet bërë? Mirë është që të kihet parasysh një këshillë që ka dhënë personaliteti politik dhe publicisti anglez Edmund Burke (1729-1797):

“Kur njerëzit e këqinj bashkohen, edhe njerëzit e mirë duhet të bashkohen, përndryshe do ta pësojnë njëri pas tjetrit. Viktimën nuk kanë për ta mëshiruar në një kacafytje të pistë”.

Kaliforni, 21 gusht 2022

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".