Nuk ka BE për Serbinë, pa njohjen e Republikës së Kosovës!

Nuk ka BE për Serbinë, pa njohjen e Republikës së Kosovës!
Nuk ka BE për Serbinë, pa njohjen e Republikës së Kosovës!

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 15 September 2022 - 15:32

Barometri diplomatik

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

***  Atë  që e  kemi  shkruar më 2009, po e konfirmoj edhe sot më 2022, sepse asgjë nuk ka ndryshuar stutus quo-ja e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Serbisë dhe Kosovës, për shkak se Beogradi dhe lidershipi  serb, edhe pas vetëvrasjes së kriminelit Slobodan Milosheviq në burgun hetues të Tribanlit të Hagës (2006) në Shevingen të Hagës po ndjek të njëjtin kurs politik të Serbisë së Slobodan Milosheviqit dhe të “trabantëve” të tij ultranacionalistë serbomëdhenj, gjatë viteve (2000-2022), me qëllim që të zhbëjë shtetin e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008 -15 shtator 2022).

Pra, fatkeqësisht   mesazhin e kësaj analize të shkruar para një dekade, ende nuk e ka përgënjeshtruar zhvillimi i ngjarjeve politike në terren në relacionin Beograd – Prishtinë – Bruksel, ngase Serbia me presidentin e saj  Aleksandër Vuçiq në krye nuk po e njohin Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës (17 shkurt 2008), të cilën deri tani( shtator 2022) e kanë njohur mbi 140 shtete të OKB-së.Ndaj e konsiderojmë me interes ribotimin e kësaj analize të publikuar më 3 tetor 2009 nga https://telegrafi.com/nuk-ka-be-per-serbine-pa-njohjen-e-republikes-se-kosoves/ ).

 -Edhe Vuçiqi si Tadiqi (ish-president), si Tomislav Nikoliqi (ish-president) dhe si Vjosiav Koshtunica (ish-president), janë betuar se nuk e njohin shtetin e pavaur dhe sovran të Kosovës. Deri kur? Derisa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së) ligjërisht  ta zhveshë nga kolonializmi shekullor mbi Kosovën. Medevgjën, Bujanocin dhe Preshevën, duke qenë se është vepër penale ndërkombëtare.

 – Vetëm me të njohur Kosovën e pavarur, Serbia mund t’ia hapë dyert vetvetes për të hyrë në Bashkimin Evropian. Ndryshe vërteton koherencën e strategjisë së politikës, të propagandës dhe të diplomacisë kolonialiste serbomadhe të regjimit policor dhe militarist të Sllobodan Millosheviqit ndaj Kosovës së Shqipërisë Etnike –

Objektivi strategjik afatgjatë i Bashkimit Evropian është edhe integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova). Mirëpo, një strategji e këtillë e BE-së varet nga përshpejtimi i zhvillimit dhe i demokratizimit të vendeve ballkanike. Në këtë vështrim, Serbia është një problem i madh për BE-në, sepse Beogradi praktikisht ende nuk po pajtohet me konceptet dhe me standardet e reja filozofike dhe demokratike të Bashkimit Evropian.

Ekzistojnë disa shkaqe dhe pengesa serioze pse Serbia nuk mund të integrohet në BE-në si anëtare me të drejta të barabarta sikurse 27 anëtaret e tjera të saj. Mirëpo, Beogradi zyrtar me të gjitha mjetet po orvatet t’i shpërfillë dhe t’i minimizojë ato në sy të Evropës dhe të Amerikës, me qëllim të fundit, që ato “t’i bindë” se “Kosova është territor legal i Serbisë”!?

Edhe pse Serbia ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim me BE-në ( më 29 prill 2008) si parakusht që të merret në konsideratë kandidimi i saj për anëtarësimin e ardhshëm në BE, ekzistojnë dy faktorë kryesorë, që do të ndikojnë negativisht për plotësimin e ëndrrës së saj shumë të rëndësishme.

Sipas standardeve dhe kritereve të BE-së për zgjerimin me anëtarë të rinj, së pari, Serbia duhet t’i spastrojë marrëdhëniet ndërshtetërore me shtetin e Kosovës si ish-koloni të saj (1912-1999), të cilën më 17 shkurt 2008 e njohën Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, me përjashtim të Sllovakisë, Greqisë, Qipros, Spanjës dhe Rumanisë.

Nëse Serbia nuk e plotëson këtë kusht themelor, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur, ashtu sikurse 60 shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare, realisht kjo nuk duhet të figurojë në asnjë listë prioritare për ndihmë ekonomike, tregtare ose politike nga ana e BE-së, sepse kjo është shkaktari kryesor i tri luftërave agresive dhe gjenocidale kundër Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës(1990-1999). Kështu që, si e tillë (duke mbajtur parasysh hipotekën dhe pretendimet territoriale ndaj shteteve të theksuara fqinje), Serbia mund të shkaktojë probleme dhe konflikte të tjera në Ballkan brenda këtij shekulli.

Prandaj, ndër të tjera (veç vendimeve, rezolutave dhe Kushtetues serbe në fuqi), kjo frikë dhe dyshim ynë bazohen edhe në deklaratat e zyrtare të qarqeve më të larta politike të Serbisë, siç është Vuk Jeremiq(ministër i Jashtëm), i cili në vijimësi, me deklaratat e tij të zhbalancuara po e bombardon opinion e brendshëm dhe atë ndërkombëtar se: “ Jo integrimit të mëtejmë evropian, nëse do të na detyrojnë, që të zgjedhim hyrjen në BE, ose luftën për mbrojtjen e sovranitetit mbi Kosovën serbe. Këto janë prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Serbisë, pa Kosovën, nuk duam në BE.” ( “No Kosovo, no EU Serbia tell Brussels”. Shih: www.balkaninsight.com, 11 December 2008.).

Në njërën anë, sipas kësaj deklarate të Vuk Jeremiqit, rezulton se Serbia ende nuk është e gatshme ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, kurse në anën tjetër, Serbia është e gatshme t’i bashkohet BE-së, vetëm me kusht, nëse kjo ia pranon prioritetin e politikës së jashtme të Serbisë, që Kosovën medoemos ta rikthejë nën sovranitetin kolonial(1912-1999). Mirëpo, kjo kërkesë irracionale dhe absurde politike e Serbisë është e papranueshme për Bashkimin Evropian, sepse kjo së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndër shtetet e para në botë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran (më 17 shkurt 2008).

Në favor të këtij konstatimi ka deklaruar botërisht edhe ish-emisari ndër kombëtar i OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaari (ish-kryetari i Finlandës), duke nënvizuar se: ”Shtetet që kanë pasur konflikte në Ballkan, nuk mund t’i bashkohen BE-së, pa normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Në këtë rast Serbia nuk mund t’i bashkohet BE-së, pa njohjen e Kosovës.” ( www.worldbuketin. Net, September 10, 2009.)

Pra, Serbia për të hyrë në BE si anëtare me të drejta të plota dhe të barabarta sikurse ato të vendeve të tjera të Evropës, veç njohjes së Republikës së Kosovës, duhet të plotësojë edhe kushtin e dytë, të parashtruar nga BE-ja, e ky është-arrestimi dhe ekstradimi i gjeneralit Ratko Mlladiq Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për Krime të Luftës në ish-SFRJ, për shkak të faktit se ai ka kryerë krime të gjenocidit në Srebrenicë (1995), ku “mbi 8000 myslimanë djem dhe burra janë vrarë dhe ekzekutuar, edhe pse ishin nën mbrojtjen e forcave paqësore daneze të Kombeve të Bashkuara”.

Mesazhi i BE-së është krejtësisht i qartë dhe i kuptueshëm, nëse, vërtet, Serbia është e gatshme që të hapë një faqe të re të historisë së saj, duke ndjekur reformat e demokratizimit dhe të politikës paqësore, si hap të parë serioz, duhet ta ketë bërë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me shtetet fqinje me të cilat ka qenë në konflikt gjatë dy dekadave të shkuara të shekullit XX (1990-1999).

Pse Serbia ende është rrezik për Ballkanin?

Për shkak të faktit se, në njërën anë, Serbia është deklaruar që në mënyrë demokratike dhe paqësore t’i bashkohet BE-së, kurse, në anën tjetër, qarqet e saj më të larta zyrtare shtetërore (presidenti Boris Tadiq, kryeministri Mirko Cvetkoviq, ministry i Jashtëm Vuk Jeremiq dhe ministri i Brendshëm Ivica Daçiq etj.) përmes deklaratave të tyre të ashpra, antidemokratike dhe antipaqësore me karakter nacionalist ndaj Kosovës, ende nuk janë “shkundur” nga idetë dhe nga ambiciet e strategjisë famëkeqe nacionale politike të Serbisë së madhe.

Kjo është një politikë shumë e gabueshme midis utopisë dhe realitetit, të cilën e dëshmon edhe nacionalisti (babai i kombit serb) Dobrica Qosiq: “ Sipas Qosiqit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe filozofia e sotme moderne e Evropës për krijimin e shteteve dhe të shoqërive multietnike në Ballkan, posaçërisht në viset e Bosnjës dhe të Kosovës, faktikisht demonstron manisfestimin e dhunës dhe të formës së re të kolonializmit.” (Sonja Biserko, Extoring a more realistic tack in www.helsinki.org.yu/ Helsinki Charter No. 129-130, Mrch-April 2009)

Këtë vlerësim të gabuar dhe stereotip politik me primesa tradicionale të nacional-romantizmit serbomadh të Dobrica Qosiqit, më së miri i ka kuptuar dhe, realisht e objektivisht e ka interpretuar luftëtarja trime dhe vizionare për të drejtat dhe liritë e njeriut, Dr. Sonja Boserko, duke nënvizuar se: “Serbia ende shpreson se kjo në mes të një kaosi global, do t’i realizojë objektivat e saj lidhur me rikomponimin e Ballkanit. Qosiqi ende e mbron pikëpamjen e tij, se Ballkani nuk mund të evropianizohet derisa ky është i definuar në kuptimin etnik dhe shtetëror.” (Dr. Sonja Biserko, po aty).

Ky është problemi kryesor pse Serbia, në mëngjes, është e gatshme të integrohet në BE, kurse në mbrëmje jo, sepse, ende, haptazi po i mbron idetë dhe konceptet regresive nacionaliste të Serbisë së Madhe, të cilat janë në kundërshtim të plotë me demokratizimin dhe me uesternizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

S’ka dyshim se, në këtë kontekst dhe në këtë frymë duhet kuptuar dhe interpretuar, edhe kjo deklaratë zyrtare e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq lidhur me mosnjohjen dhe me mohimin e pavarësisë së Kosovës shqiptare : “Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.” ( www.euronews.net/2008/01/07/). Mirëpo, në të njëjtën kohë, ky konstatim i tij është në kolizion me përmbajtjen e deklaratës tjetër të tij, kur thotë se : “Serbia ka katër shtylla kryesore të politikës së jashtme të saj, që nënkuptojnë prioritetet kryesore afatgjata-BE-në, SHBA-në, Kinën dhe Rusinë.” ( www.politica.com, 08/30/2009).

Këto qëndrime dhe sjellje të errëta dhe dihotomike të qarqeve të larta zyrtare të Serbisë, janë të mjaftueshme, që të dyshohet se Serbia ende nuk është e gatshme, as e vullnetshme, që si shtet i reformuar, demokratik dhe paqësor, të integrohet në BE sipas standardeve, kritereve dhe vlerave të saj për zgjerimin e mëtejmë të saj me anëtarë të rinj, siç janë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë rast të politikës destruktive të Serbisë ndaj BE-së, përkatësisht ndaj bashkësisë ndërkombëtare, askush nuk ka të drejtë ta fajësojë Kosovën për pavarësimin e saj nga Serbia kolonialiste, por Beogradi zyrtar është ai që me të gjitha mjetet po bën përpjekje, që Kosovën ta rikthejë nën “ombrellën” e sundimit kolonial dhe gjenocidal të Serbisë. Një politikë e tillë armiqësore me pretendime territoriale ndaj Kosovës shqiptare, sheshit provon se Serbia (edhe pas vetëvrasjes së kriminelit Slobodan Milosheviq) paraqet problem dhe rrezik serioz jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet fqinje, si dhe për mbrojtjen e qëndrueshmërisë, të sigurisë dhe të paqes rajonale dhe evropiane në përmasa ndërkombëtare.

Në favor të këtij konstatimi është edhe ky vlerësim aksiomatik i Daniel Serverit, kur sipas detyrës ka dëshmuar para Komitetit për Marrëdhlnie të Jashtme të Senatit Amerikan se: “Kosova nuk është problem, por Serbia është problem. Qeveria serbe po përpiqet, që ta kthejë, prapa orën. Parlamenti, ku kosovarët nuk kishin karriget e tyre, qëkur Millosheviqi ia suprimoi autonominë Kosovës pothuajse 20 vjet më parë. Më pas, anuloi shpalljen e deklaratës së pavarësisë, si dhe deklaroi përzënien e një misioni për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut të BE-së, me pretekst se, ishte i papranueshëm për Serbinë. Gjykata Kushtetuese dështoi së vepruari, kur qeveria serbe i pezulloi kosovarët nga radhët e votuesve, me qëllim që të siguronte miratimin e kushtetutës së re serbe për pezullimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kështu, së shpejti e denoncoi si ilegale deklaratën e pavarësisë.”( www.usip.org/resources/kosovo/problem-serbia//).

Sipas Daniel Serverit, para dhe, qëkur Kosova ka fituar pavarësinë e saj (17 shkurt 2008): “ Veçanërisht, situata në Kosovën Veriore është e rrezikshme. Nëse NATO-ja dhe BE-ja lejojnë kontrollin e vazhdueshëm serb atje, ashtu si Kombet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë toleruar atë qe nëntë vjet, do të ket[ ndarje sipas vijave etnike, me pasoja për Bosnjën dhe Maqedoninë. Prishtina nuk mund ta mbrojë sovranitetin e vet në Veri, pa krijimin e problemeve të mëdha. Prandaj, BE-ja dhe NATO-ja, duhet ta bëjnë atë në emër të Prishtinës, duke bllokuar planet e Beogradit për ndarjen e Veriut. Jo Kosova, por Serbia është problem në Ballkan.”(www.usip.org/resources/kosovo/problem-serbia//).

Derisa Serbia nuk është e gatshme ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, realisht dhe praktikisht ajo nuk ka asnjë argument konkret, që t’i bindë BE-në, NATO-n dhe SHBA-në etj., se, tanimë, është distancuar nga kursi i politikës kolonialiste dhe hegjemoniste të Sllobodan Millosheviqit, e cila, fatkeqësisht, ende, edhe sot, është e gjallë dhe, po vepron në institucionet dhe në organet shtetërore të Serbisë siç janë parlamenti, qeveria, legjislacioni, prokuroritë, avokatitë, policia, diplomacia dhe propaganda etj.

Për ta neutralizuar një politikë të tillë të rrezikshme serbe, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, patjetër, nevojitet që, në mënyrë imediate, t’ia dërgojnë mesazhin e qartë Beogradit zyrtar, në mënyrë që, atë ta detyrojnë, që, në tërësi, të shkëputet dhe, t’i braktisë përgjithmonë ato ide, koncepte, pikëpamje dhe qëndrime politike shkatërrimtare, toksikologjike dhe antidemokratike, të cilat nënkuptojnë aspiratat dhe pretendimet territoriale të Serbisë së madhe ndaj territorit të Kosovës së pavarur, si dhe ndaj vendeve të tjera fqinje në rajon. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".