Alarmi për skenarët e vrasjes së liderëve politikë, mesazh serioz për mobilizimin e AKI-së

Alarmi për skenarët e vrasjes së liderëve politikë, mesazh serioz për mobilizimin e AKI-së

Gani Qarri

  • 21 September 2022 - 07:39

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Duke pasur parasysh të gjitha këto plane ogurzeza ndaj shtetit dhe udhëheqësve të lart politik të Republikës së Kosovës, institucionet përkatëse, duhet të jenë edhe më syçelë dhe të investojnë edhe më shumë në përgatitjen dhe trajnimin e strukturave të AKI-së, për hetim sistematik dhe zbulim me kohë të të gjitha rreziqeve që mundë të shfrytëzohen në akte terroriste, me qëllim të nxitjes së konfliktit të brendshëm me përmasa të mëdha dhe destabilizimit të shtetit, deri te ndonjë konflikt me përmasa të luftës civile, pikërisht në hapat e fundit të përmbylljes së dialogut me Serbinë fashiste.

-Raportimet e papritura dhe në befasi të medieve, se në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan të përgatitur për vrasjen e kryeministrit Albin Kurti dhe dy personave të tjerë, nga një kriminel, shtetas i Shqipërisë i njohur me emrin Prekë Kodra, i cili thuhet se është i përfshirë në disa vrasje dhe trafikim droge e narkotikësh në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, na bënë të kuptojmë se sa e rëndë dhe e paqëndrueshme është gjendja në vend dhe rajon, ku kriminelët jo vetëm shëtisin të lirë por angazhohen dhe bëjnë plane lirshëm, për eliminimin e politikanëve të lartë deri te vrasja e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës.

Vet fakti se krimineli Prekë Kodra, përkundër akuzave për vrasje e posedim të armëve pa leje dhe konsiderimit si person me rrezikshmëri të lartë, në shtator të vitit të kaluar, nga policia shqiptare ishte pezulluar urdhri i kërkimit ndaj tij, hap dyshime të mëdha, se në këtë akt të trishtë, është involvuar thellë edhe politika, madje politikan të rangut më të lartë shtetëror e partiak në Shqipëri dhe Kosovë, me qëllim të paramenduar, që dorasi të lëviz lirshëm dhe realizojë vrasjet e planifikuara në Kosovë, deri te vrasja e kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Se ky flet shumë për rrezikun e sigurisë në vendi tonë, nuk do koment, por edhe për më tepër se kaq, shqetëson shumë fakti për mundësin e destabilizimit të qëllimshëm të shtetit të Kosovës, jo vetëm nga veprimet e papenguara të shërbimeve të huaja sekrete në vendin tonë, por edhe nga armiqtë e brendshëm dhe kriminelët vendor, përderisa krimineli Prekë Kodra, përveç Shkodrës e Tropojës në Shqipëri, paska qëndruar lirshëm edhe në Deçan e Ferizaj nëse jo edhe në vendbanime tjera, i cili siç sqarohet në dokument, ka marrë pjesë edhe në disa vrasje në Kosovë.

Prandaj vet kjo flet më së miri, se nuk janë vetëm armiqtë e jashtëm dhe shërbimet e huaja, të cilat duan ti arrijnë qëllimet e tyre, por edhe 23 vite pas çlirimit, në Kosovë ka individ dhe grupe kriminale vendore, që duan medoemos destabilizimin e shtetit dhe futjen e konflikteve ndërpartiake e ndërkrahinore në vendin tonë. Këtë e dëshmoi së fundi edhe rasti më i freskët i zbulimit të planit për atentate kundër liderëve politik të Kosovës dhe figurave udhëheqëse me peshë, të partive të ndryshme politike nëpërmes dorasëve nga Shqipëria të stërvitur për aksione kriminale, si atentatori potencial Prekë Kodra, kundër disa figurave kyçe politike në Kosovës, me pikësynim qendror kryeministrin Albin Kurti.

Kjo katrahurë kombëtare, u vërtetua me një dokument të bërë publik, nga hakerët, këtë të hënë, që dyshohet se është tërhequr nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shqiptar në vitin 2021, Gledis Nano. Po në këtë dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione mbi atentatin e planifikuar kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ish-anëtarit të Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit Ismet Haxhës dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Prekë Kodra përveçse thuhet të ketë aftësi të mira në përdorimin e snajperëve, ai përveç qëndrimit në Deçan e Ferizaj dyshohet të jetë përfshirë edhe në disa vrasje në Kosovë e Mal të Zi dhe megjithëse jeton në Shkodër, vepron në të dy anët e kufirit shqiptaro shqiptar, gjë që lë të kuptohet publikisht, se duhet të jetë fort i lidhur, jo vetëm me rrejtët e krimit, por edhe me politikan të lartë në Shqipëri dhe Republikën e Kosovës.

Person i cili megjithëse me precedent penal, i hetuar për armëmbajtje pa leje dhe vrasje me paramendim, i shpallur në kërkim, që nga viti 2016, habit fakti se përkundër akuzave për vrasje dhe posedim të armëve pa leje, në shtator të vitit të kaluar, nga vet policia e Shqipërisë, ishte pezulluar urdhri i kërkimit, ndaj tij, ani pse vazhdonte të konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë, gjë që hap dyshime të mëdha, se kjo është bërë me porosi të paramenduar politike nga lartë, në mënyrë që ai të lëviz lirshëm derisa ti kryente vrasjet e planifikuara në Kosovë, përfshi edhe vrasjen e kryeministrit Albin Kurti. Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha,objektivi i dytë Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje politike, kurse më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Dhe qëllimi i këtyre atentateve, të cilat ishin planifikuar të kryheshin brenda katër muajsh, ishte destabilizimi i shtetit dhe futja e vrasjeve ndërpartiake në Kosovë.

Duke pasur parasysh të gjitha këto plane ogurzeza ndaj shtetit dhe udhëheqësve të lart politik të Republikës së Kosovës, institucionet përkatëse, duhet të jenë edhe më syçelë dhe të investojnë edhe më shumë në përgatitjen dhe trajnimin e strukturave të AKI-së, për hetim sistematik dhe zbulim me kohë të të gjitha rreziqeve që mundë të shfrytëzohen në akte terroriste, me qëllim të nxitjes së konfliktit të brendshëm me përmasa të mëdha dhe destabilizimit të shtetit, deri te ndonjë konflikt me përmasa të luftës civile, pikërisht në hapat e fundit të përmbylljes së dialogut me Serbinë fashiste.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".