Gjurmë të strategjisë së serbocentrizmit autodestruktiv 

Gjurmë të strategjisë së serbocentrizmit autodestruktiv 
Gjurmë të strategjisë së serbocentrizmit autodestruktiv 

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 28 September 2022 - 10:17

Barometri diplomatik

Shkruan:Prof.Dr. Mehdi HYSENI

Shkaku i paknaqsisë së minoritarëve serbë në Kosovë (2000-2022), qëndron në faktin se, ata nuk e njohin shtetin e pavarur të Kosovës, edhe pse janë të përfaqësuar dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në institucionet dhe në organet e tij. -Edhe pse ata janë deputetë, ministra dhe zëvendësministra, ata nuk e njohin, por vetëm e shfrytëzojnë politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht shtetin e pavarur të Kosovës, sepse Serbinë e njohin si shtet të tyre. Vetëm për këtë qëllim, Beogradi zyrtar ka “lansuar” dialogun në Bruksel me palën shqiptare të Kosovës, duke shpresuar se një ditë, Serbia (duke keqpërdorur minoritetin e saj në Kosovë), me ndihmën e BE-së dhe të Rusisë, do të rikthente sovranitetin e saj të dikurshëm kolonial në Kosovë (1912-1999).

Rikthimin në institucionet e filluan me “Povratakun” dhe e mbyllën me “Srpska Lista” të Aleksandar Jabllanoviqit në qeverinë e koalicionit Thaçi-Mustafa (dhejtor 2014).

Edhe pas inaugurimit të institucioneve shtetërore të Parlamentit dhe të Qeverisë multietnike të Kosovës(2000-2022), në të cilat participon edhe minoriteti serb, sipas përqindjes së paritetit të vet, pala serbe(me gjithë hipotekën e saj, si levë nismëtare dhe kryesore e viktimizimit të shqiptarëve dhe të Kosovës nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë), kursesi të pajtohet me realitetet e reja, të krijuara në Kosovë pas dështimit të politikës gjenocidale dhe të agresionit luftarak të "RFJ-së"(Serbia+Mali i Zi), kundër Kosovës, të drejtuar nga Slobodan Milosheviqi, vrasësi i shqiptarëve, i kroatëve dhe i myslimanëve boshnjakë të Bosnjë-Hercegovinës. Nuk pajtohet sepse ushqehet dhe vepron sipas strategjisë së serbocentrizmit autodestruktiv shekullor të përmbajtjes programore të Serbisë së Madhe(1844-2022).

Këtë konstatim, e provojnë edhe përpjekjet e para (pas përfundimit të luftës në Kosovë) të përfaqësuesve të "Povratakut" (të komanduar dhe të këshilluar drejtpërdrejt nga qeveria serbe e Beogradit me nënkryetarin e saj në krye, Nebojsha Qoviq ),që të nxirrnin "extra" koncesione nga kryeshefi i UNMIK-ut, Mihael Shtajner, ashtu siç vepruan paraprakisht, edhe me kryeshfat paraprakë të UNMIK-ut, francezin Bernard Kushner dhe danezin Hans Hekerup.

Histeria e serbocentrizmit autodestruktiv

Për këtë syndrom të pakënaqësisë dhe të rebelimit të serbëve në Veriun e Kosovës, të cilët të ndihmuar nga qeveria e Beogradit, plot 20 vjet ia arritën ta copëtojnë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, me ç’rast , duke përdorur forma të ndryshme të terrorizmit shtetëror serb, të drejtuar drejtpërdrejt nga struktura të kamufluara policore, paramilitare dhe të sigurimit, jo vetëm që t’i dëbojnë mbi 30 mijë shqiptarë nga banesat, nga shtëpitë dhe nga pasuritë e tyre të patundshme, por edhe të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e Serbisë në pjesën e okupuar veriore të Kosovës.

E, së fundi, ajo që është më skandaloze dhe më e papranueshme, strukturat e barrikaduara parale serbe së bashku me Beogradin ia arritën që të “internacionalizojnë” problemin e Kosovës Veriore, duke shpikur “dialogimin historik” kinëse në emër të zgjdhjes së “çështjeve teknike” të minoritetit serb, përkatësisht të “normalizimit” të marrëdhënieve ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë.

Këtë e provon edhe lidhja e Marrëveshjes së Brukselit (19 prill 2013), të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel nën monitorimin e shefës së diplomacisë së BE-së Katherine Ashton.

Është me interes që në formë të një kronologjie të shkurtër dhe përmbledhëse, të trajtojmë historikun e histerisë së serbocentrizmit autodestruktiv, karakteristikë kjo, e cila gjatë gjithë periudhave historike ka mbisunduar,duke luajtur rolin më negativ në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Pikërisht, duke u ushqyer me recidivat e këtij fenomeni patologjik, serbët kanë kryer disa gjenocide mbi kombin dhe truallin etnik shqiptar,në veçanti nga viti 1842 e deri në vitin 1999(prill). Mirëpo, në saje të mbështetjes së përhershme dhe të njëanshme të aleatëve të tyre tradicionalë sllavë(Rusia cariste) dhe të atyre prosllavë (Franca), asnjëherë nuk kanë dhënë llogari para bashkësisë ndërkombëtare për krimet gjenocidale ndaj shqiptarëve.

Përkundrazi , këto akte të shëmtuara kundër njerëzimit, Serbia ua ka atribuuar shqiptarëve të pafajshëm ngase ata nuk gëzonin kurrfarë përmbajtje, as mbrojtje ligjore të bashkësisë ndërkombëtare (1878-1999)

Ndërkombëtarizimi dhe mbështetja e UÇK-së në Rambuje

Nuk ka asnjë dyshim se me daljen publike në skenë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës(UCK) në vitin 1997, e cila në saje të luftës së saj çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale kundër Serbisë gjenocidale dhe agresive, bashkësisë ndërkombëtare iu imponua si faktor vendimtar ushtarako-politik, si rrjedhim u përfundua Marrëveshja e Rambujesë (mars 1999).

Në rastin konkret, për herë të parë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, shqiptarët arritën që të përkrahen dhe të gjejnë mirëkuptim objektiv nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Në ndryshimin e baraspeshimit të forcave politike ndërkombëtare, përkatësisht në kthimin e "balances" diplomatike të kancelarive diplomatike evropiane në favor të faktorit shqiptar, rolin kryesor e ka luajtur zhvillimi i luftës së drejtë çlirimtare të UCK-së dhe mbështetja e saj direkte nga administrata amerikane me presidentin Bill Klinton në krye, këta dy faktorë relevantë sollën në ndërkombëtrarizimin dhe në çlirimin e Kosovës nga bandat kriminele serbe të regjimit pushtues gjenocidal të Serbisë.

Më pas (me të përfunduar lufta në Kosovë, pas kapitullimit të Serbisë militariste, policore dhe paramilitariste të Sloboda Milosheviqit), në kohë paqeje regjimet  “reformuese demokratike” të Vojsilav Koshtunicës,  të Zoran Gjingjiqit dhe të Nebosha Çoviqit, (edhe pse kryetari-përfaqësuesi i tij, S.Milosheviq ishte nxjerrë në bangën e zezë të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë), kursesi të vetëdijësohej dhe të kuptonte gjendjen reale në Kosovë. Në vend se të ndikonin pozitivisht në minoritetin e tyre, duke i motivuar që, në përputhje me ligjet dhe me ligjshmëritë, të dala nga Korniza kushtetuese e Kosovës, si dhe nga paragrafët e Rezolutës 1244 të OKB-së, të kooptoheshin në organet dhe në institucionet përkatëse të Parlamentit dhe të Qeverisë multietnike të Kosovës, sikurse përfaqësuesit e minoriteteve të tjera, Beogradi (sikurse gjatë mandatit të Bernard Kushnerit dhe të Hans Hekerupit), e nxiste palën serbe, që të vazhdonte me shantazhe dhe me obstruksione të pajustifikueshme të bojkotit, që kishin për qëllim të fundit destabilizimin e gjithë asaj, që kishte investuar dhe kontribuar bashkësia ndërkombëtare në Kosovë për të ndërtuar një shoqëri të re civile multietnike me parime dhe me standarde demokratike të botës së qytetëruar moderne, të pavarur nga Serbia, ku të gjithë qytetarët e saj, do të ishin me të drejta dhe detyrime të barabarta para ligjit.

Kisha ortodokse dhe shkenca serbe në funksion të gjenocidit serb në Kosovë

Ndër forcat centrifugale të politikës pushtuese serbe ndaj territoreve etnike shqiptare dhe të ushtrimit të sundimit të sistemit kolonial të saj, janë pa dyshim Kisha Ortodokse Serbe dhe kuazishkenca serbe, institucione këto, që ndër shekuj, objekt parësor të programit të tyre nacionalshovinist kanë pasur asgjësimin e qenies shqiptare si etnikum autokton dhe, të sundimit kolonial të territoreve indigjene të Shqipërisë Etnike.


Mirëpo, zbatimi në praktikë i një programi të këtillë me karakter afatgjatë historik nga ana e politikës serbe, është provuar si i suksesshëm vetëm në një segment të saj-aneksimin dhe kolonizimin e trojeve dhe të popullit shqiptar, por jo edhe në asmilimin dhe në shfarosjen përfundimtare të shqiptarëve nga trungu i tyre i lashtë etnik pellazgo-ilir. 

Me gjithë pretendimet territoriale megalomane (që nga Beteja e Kosovës 1389 e deri në qershor të vitit 1989, kur në saje të makinerisë së terrorizmit dhe të gjenocidit të institucionalizuar shtetëror serb, u pezullua përfundimisht autonomia e Kosovës së vitit 1974, duke dëbuar, duke përndjelur, duke vrarë, duke plagosur, duke torturuar dhe duke burgosur me mijëra shqiptarë të të gjitha moshave.


Këtë tragjedi të shqiptarëve të pambrojtur të Kosovës, e vulosi para gjithë botës, kryekrimineli i Ballkanit, Slobodan Miloshviq me fjalimin e tij të mbajtur në Gazimestan, me rastin e kremtimit të Vidovdanit (28 qershor 1989). I shfaqur si "feniksi", i ndërsyer dhe "i bekuar" nga Kisha Ortodokse Serbe, i cili mbajti "liturgjinë politike", duke apostrofuar se Serbia sërish do të hidhet në beteja të reja të përgjakshme, por të "suksesshme" sikurse ajo e Kosovës (1389), gjithnjë duke llogaritur në mbështetjen e kryegjësë sllave-Rusisë dhe të aleatëve të tjerë tradicionalë saj për asimilimin dhe për spastrimin e shqiptarëve nga Kosova, duke qenë se sipas mitilogjisë së krijuar ndër serbë, kjo pjesë e territorit të Shqipërisë etnike, gjithmonë paskësha qenë "zemra dhe djepi i Serbisë").


Pikërisht në prag të kremitimit të 610-vjetorit të disfatës së betejës së Kosovës, më 24 Mars 1999, Serbia okupatore mposhtet dhe thyhet edhe më keq sesa në Betejën e Kosovës, si rrjedhim i luftës së drejtë çlirimtare kombëtare të UCK-së dhe të bombardimeve 78-ditëshe të Aleancës së Atlantikut Verior(NATO),sepse me këtë rast përfundimisht "përshëndetet" nga zotërimi i mëtejmë kolonial i Kosovës.


Ia vlen të nënvizojmë se "humbja" e Kosovës nga jurisdiksioni dhe sovraniteti kolonial serb, në perspektivën e afërt, paralajmëron edhe çlirimin e territoreve të tjera shqiptare nga çizmja shekullore barbare sllave në Ballkan. Një shthurje e tillë, së shpejti pritet të manifestohet edhe në Anamoravë(Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë). Këtë, do ta stimulojë dhe do ta përshpejtojë pikërisht "agjenda" e kërkesave permanente të skjashme dhe nacionalshovinste të minoritetit serb në Kosovë, të cilat janë vazhdimisht të njëanshme dhe në disfavor të ineteresave vitale të palës shqiptare dhe të përpjekjeve serioze të misionit paqësor të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, e cila pareshtur akuzohet nga pala serbe: Kisha Ortodokse Serbe (si gjithnjë “flamurtare” për shfarosjen e shqiptarëve nga territroret e Shqipërisë etnike) dhe regjimi aktual i Beogradit, se gjoja, minoriteti serb në Kosovë, edhe pas përfundimit të luftës, “është zhveshur” nga të të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe, "jeton i getoizuar" në Kosovë(!)

Antinomia e ndërrimit të tezave-vazhdimësi e paranojës dhe e deformitetit shkencor të "kujtesës historike" serbe

Duke mos pretenduar, që të hedhemi në historinë e largët të këtij fenomeni absurd të politikës dhe të historiografisë falsfikatore serbe, ia vlen të përqëndrohemi në pasqyrimin e tij, që i përket periudhës më të re të marrëdhënieve serbo-shqiptare, duke filluar që nga viti 1981, kur përmes demonstratave revolucionare studentore shqiptare në Prishtinë dhe në qendrat e tjera të Kosovës, të organizuara dhe të prira nga vepritarët e dalluar të Lëvizjes Kombëtare për Clirimin e Kosovës, siç ishte z. Hydajet Hyseni, botërisht iu bë e ditur si regjimit të egër kolonialist serb, ashtu edhe mbarë opinionit ndërkombëtar, se kërkesa e popullit shqiptar, që Kosova të jetë republikë mëvete ishte e drejtë dhe imperativ i domosdoshëm historik i kohës.

Mirëpo, fatekqësisht edhe në këtë rast, regjimi totalitar çetniko-fashist-komunist i Serbisë (sikurse të gjitha regjimet e mëparshme hegjemoniste serbe), duke u mbështetur drejtpërdrejt nga agjenturat e klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe dhe të shërbimeve sekrete të zbulimit dhe të kundërzbulimit policor dhe ushtarak serb, jo vetëm se u tregua i "shurdhër" ndaj kërkesës Kosova Republikë, por këtë e sofistikoi sipas "shijes" së politikës tradicionale të antinomisë së ndërrimit të tezave të deforimitetit të "kujtesës historike" dhe të paranojës kolektive serbe kundër ekzistencës dhe të së drejtës historike të popullit shqiptar në Kosovë. Për arritjen e një objektivi të këtillë antishqiptar, përpos ushtrimit të forcës ushtarake, policore dhe paramilitare kundër shqiptarëve në Kosovë, regjimi shtypës i Beogradit angazhoi dhe shfrytëzoi në maksimum "shërbimet e vullnetit të mirë" të Kishës Ortodokse Serbe dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, ku pa u penguar fare nga faktori ndërkombëtar, institucionalizoi terrorin gjenocidal në Kosovë, i cili mbretëroi tërë dekadën e fundme të shekullit XX. Por, Kosovën nuk e mori në mbrojtje as BE-ja e as OKB-ja në bazë të Kartës së saj dhe të së drejtës ndërkombëtare, ku Serbia bëri krime të gjenocidit ndaj shqiptarëve (vetëm pse ishin shqiptarë dhe, vetëm pse ishin në shtëpitë dhe në tokat e tyre stërgjyshore pellazgo-ilire), me çarst vrau “11.800” shqiptarët të të gjitha moshave (prej tyre “1500 fëmijë); kidnapoi dhe zhduku mbi “2647” sish, që edhe sot (2022) evidencohen sit ë pagjetur; përdhunoi mbi “22.000 mijë gra shqiptare”, si dhe dëboi me dhunë, me terror dhe me vrasje mbi “1 miulion shqiptarë” në Maqedoni, në Shqipëri, në Turqi, në Evropën Perëndimore, në Amerikë  dhe në Australi…etj., ku sot e asaj dite (1999) kanë ngelur jashtë Kosovës mbi  “1 milion shqiptarë”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".