Të veprohet urgjentisht për ti pastruar dhe larguar prokurorët që po bashkëjetojnë me krimin e organizuar 

Të veprohet urgjentisht për ti pastruar dhe larguar prokurorët që po bashkëjetojnë me krimin e organizuar 
Të veprohet urgjentisht për ti pastruar dhe larguar prokurorët që po bashkëjetojnë me krimin e organizuar 

Gani Qarri

  • 05 October 2022 - 16:29

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

 

Mjerisht edhe mbi dy dekada pas çlirimit dhe mese 2 vite të ndryshimeve politike në vend, prokuroritë e kapura të shtetit, nga parapolitika e inkriminuar, vazhdojnë ti kaplojnë skandalet dhe papërgjegjësia totale e ushtrimit të detyrës në të gjitha nivelet e saj, duke i bishtëruar hapur zbatimit të ligjit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies, përkundër besimit të dhënë, jo vetëm në luftën kundër krimit, por edhe në fushën e raportimit, për mbrojtjen ë të drejtave dhe lirive të njeriut!

 

Madje po në fund të kësaj jave, pra ditën e premte të 30 shtatorit të vitit 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e 219 ka dështuar, ta analizojë dhe vlerësojë punën e prokurorëve të shtetit për tremujorin e dytë të këtij viti, edhe ashtu të vonuar, të paraparë për periudhën Prill-Qershor 2022.

Në fakt si çështje kryesore dhe pikë e parë në rend dite të këtij takimi të KPK-s, ishte vendosur pikërisht raportimi i punës së kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës për periudhën prill-qershor 2022, por për shkak të mos pjesëmarrjes së kryeprokurorëve në takim, të cilët kishin dërguar vetëm raportet me shkrim ndaj si pasojë e mungesës së tyre, është shtyrë për një takim tjetër diskutimi dhe vlerësimi për këtë raport pune.  

 

Për aq më tepër, sipas raportimeve në media, në këtë takim ka pasur vërejtje serioze për shkak të sjelljes së papërgjegjshme që kanë kryeprokurorët e prokurorive në lidhje me obligimin për të raportuar në KPK, për tu hapur debate dhe vlerësuar puna e tyre.

 

Më i zëshmi ndër ta ishte anëtari i këshillit Armend Zenelaj, i cili ka pasur vërejtje të mëdha, për kryeprokurorët, të cilët megjithëse e kanë ditur me kohë, se duhet të jenë të pranishëm në takim dhe ti prezantojnë vetë raportet e tyre, kanë munguar, ndaj mungesa e tyre, ka bërë që kjo pikë serioze e rendit të ditës të hiqet nga shqyrtimi dhe shtyhet për takimin e radhës.

 

Kështu që për takimin e ardhshëm, janë ftuar të gjithë kryeprokurorët e prokurorive përkatëse, për ti prezantuar raportet e veta, si dhe për tu përgjigjur në pyetjet eventuale që mundë tu parashtrohen atyre, për çështje të caktuara nga ana e anëtarëve të KPK-së.

 

Dhe jo si kësaj radhe kur kryeprokurorët e prokurorive që janë të obliguar për të raportuar dhe arsyetuar punën e tyre, në periudhën paraprake Prill-Qershor 2022, kishin autorizuar drejtuesen e njësitit që ti paraqes ato raporte, në mënyrë që ata të ikin nga ballafaqimi me pyetjet sfiduese nga ana e anëtarëve të KPK-së!

 

Prandaj vet ky fakt, është edhe një argument plus i cili e bënë të domosdoshëm instalimin e fuqishëm dhe urgjent ligjor të llogaridhënies e përgjegjësisë, në të gjitha nivelet e institucioneve të drejtësisë, për të mos lejuar vazhdimin e praktikës së deritashme kur vetë institucionet e thirrura për zbatimin e ligjit, e shkelin atë me të dy këmbët, duke ua bërë avokatinë mbrojtëse abuzuesve të ligjit dhe bashkëjetuar nën një mbulesë me korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend!

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".