Formimi i Institutit për Krimet e luftës në Kosovë është tepër i rëndësishëm dhe duhet të përkrahet

Formimi i Institutit për Krimet e luftës në Kosovë është tepër i rëndësishëm dhe duhet të përkrahet
Formimi i Institutit për Krimet e luftës në Kosovë është tepër i rëndësishëm dhe duhet të përkrahet

Dr. Hysni Aliu

  • 10 October 2022 - 11:07

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

 -Një prej detyrave të shenjta të intelektualëve të Kosovës është që mos të bien pre e injorancës që mundet ta rrethon por të jeni udhërrëfyes më i mirë i mundshëm për mbarë popullatën që në realitet i drejton sytë kah ta.  Është shumë e dhimbshme që zëri i intelektualëve, është minimizuar, analistët dhe analizat e tyre  për temat aktuale me rëndësi thelbësore për shtet ndërtimin dhe ardhmërinë e kombit i bëjnë  duke u bazuar në pagesën që e marrin apo duke u bazuar në partinë apo televizionit ose medies që i shërbejnë. Aq janë bërë të neveritshme dhe traumatizuese e pa bazë intelektuale debatet nëpër televizionet tona sa që është vështirë të gjesh energjinë për ti përcjell. Fanatizmi partiak është naiviteti më i madh q mundet  ta kaplon njeriun. Njerëz që e duan partinë e caktuar politikë pa asnjë kusht dhe që i urrejnë tjerat parti pa marr parasysh punës dhe veprimeve të tyre janë me mijëra e mos të them qindra mijëra. Kjo është arsyeja kryesore përse partitë nuk kanë nevojë për gara në vlera por për gara në gënjeshtra e mashtrim të popullatës.  Jam betuar që kurrë me vetëdije nuk do të bëhem fanatik partiak dhe kurrë nuk do hezitojnë ta jap mendimin tim për çdo qështje që për mendimin tim është e dëmshme për vendin ose për ide që munden të jenë të dobishme për vendin e kombin. Si rrallë herë, të premten e dëgjova diskutimin në parlamentin e Kosovës, në lidhje me   INSTITUTIN PËR KRIMET E KRYERA GJAT LUFTËS, një diskutim i nxehtë në mes të VV-së si propozuese e tij dhe opozitës. 

E ndjeva obligim të shkruaj për këtë temë edhe pse nuk është në domenin e gjërave që profesionalisht i kuptoj. Në çdo rast, kur i bëj një analizë të thjeshtë atij projektligji ose projektvendimi si ta quaj, kam përshtypjen që si rrallë herë opozita kishte të drejte në atë duel me Kurtin, ministren  Haxhiu apo zëvendës kryetaren e parlamentit  por edhe ne raport me të tjerët nga VV që morën  pjesë në diskutim. 

Mua më pëlqej mënyra se si ju qas opozita kësaj teme, që nga z. Abeland Tahiri, për të cilin nuk kam aspak simpati, e deri tek Driton Selmanaj, për të cilin nuk kam fare simpati pore edhe tek përfaqësuesi i AAK-së dhe deri tek deputeti i LDK-së Kujtim Shala  i cili i në mënyrë shumë profesionale  paraqiti te metat e këtij projekt dokumenti. 

Unë besoj shumë që diskutime të tilla i nevojiten parlamentit te Kosovës, qasje te tille profesionale për çdo temë,  e jo akuza të shpifura siç ishte kjo me grevën e mësimdhënësve apo fondin pensional e gjëra të tjera që po e dëmtojnë zhvillimin e shtetit çdo ditë e më shumë. 

Qasja e Kryeministrit Kurti ndaj z. Abeland Tahiri ishte e gabueshme, tërësisht e gabueshme dhe si rrallë herë e bazuar në emocione që besoj se buronin nga konfrontimi verbal në të kaluarën për grevën e mësimdhënësve mbrapa të cilës qëndronte opozita. Besoj që z. Kurti nuk bën të përsëritë gabimet e tilla në të ardhmen. Formimi i këtij instituti nga Kuvendi i Kosovës, është një gjë tepër e rëndësishme dhe duhet të përkrahet.  Është e tmerrshme që arkivat e Kosovës nuk kanë asgjë të dokumentuara për krimet e kryera  nga shteti serb  gjatë luftës në Kosovë, dhe kjo tregon shumë se sa i madh ka qenë ndikimi i Serbisë në Kosovë  dhe politikëbërjen edhe pas përfundimit të luftës.

 Mungesa e këtyre dokumenteve dhe dokumentimit të tyre ka qenë e qëllimshme. Gjersa një individ i vetëm ka arritur të siguroj me mijëra  videokaseta për krimet e Serbisë në Kosovë, është e pabesueshme që shteti me 2 milion njerëz mos të mund ta kryen punën as sa të një individi. Kjo ndoshta e ka detyruar Kurtin që këtë institut ta formon dhe ta rregullon nën patronazhin  e kryeministrit, nga frika që Serbia do të ndikoj sërish në devijimin e këtij roli dhe dështimin e funksionalizimit të tij. Por, ishte një gjë që nuk më pëlqej, e ajo  ishte periudha  kohore me të cilën do të merret ky institut.  Për këtë çështje isha i të njëjtit mendim me opozitën, dhe e përkrahu plotësisht. 

 

Përcaktimi i ekzakt i  i datave të njëjta  ashtu siç i ka Gjykata Speciale në Hage, pra 31.12.2020, është një devijim që nuk ka guxuar ta bënë qeveria e Kosovës pa marrë parasysh presionin e organizatave joqeveritare të cilat shumica e tyre udhëhiqen nga  paraja me burime të dyshimta. Unë kam qenë gjithmonë kundër gjykatës speciale, e posaçërisht  si e tillë një etnike ku vetëm shqiptaret akuzohen për krime të mundshme, dhe  kundër një gjykate të vendosur jashtë shtetit tonë, sepse gjithmonë kam besuar që çdo krim të mundshëm duhet ta  gjykoj shteti ynë e jo të mbështetet në forcën e ndërkombëtarëve. U mundova me mendjen time të gjej një arsye të vetme se përse qeveria e ka përcaktuar datën e njëjtë me këtë gjykatë speciale, pore nuk munda ta gjej një përgjigje të shëndoshë. Më erdhi në mendje që mos po mundohet kjo qeveri  që ta bënë një lloj revanshi ndaj formimit të Gjykatës Speciali, duke besuar dhe treguar që edhe ne pra kemi të drejtë ti hulumtojmë krimet serbe deri në atë datë edhe pse lufta ka përfunduar ashtu siç Gjykata speciale po bënë. Arsyeja e dytë është ndonjë projekt apo presion ndërkombëtar për të cilën aftësia ime analizuese nuk më mjafton ta kuptoj. Për mendimin tim, përcaktimi i datës 31.12.2020, është një vulosje e arsyeshmerisë së gjykatës speciali edhe si një teknikë, që hulumton edhe periudhën mbas luftës, dhe kjo vulosje nuk do të duhej të vinte nga VV-si një parti që nuk e ka votuar këtë gjykatë. Z. Kurti,  dhe ministrja e drejtësisë, dhe të gjithë të tjerët  qe kanë kontribuar ne formimin e këtij instituti, kanë mundur të përcaktoj kohën e hulumtimeve. psh deri në   përfundim të luftës në Kosovë ashtu siq e kanë përshkruar në fillim dhe pastaj pjesa tjetër që zgjatet deri më. 31.12.2020. mos të përcaktohet me datë por të jetë  me afat të pacaktuar, sepse do të shmangej indentifikimi me gjykatën speciale, një gjë  që po na dhemb secilit, dhe  me këtë gjithashtu do të jipej mundësia që çdo gjë që Serbia ka bërë, bënë tani dhe do të bënë në të ardhmen nëpërmes të   organeve paralele të kriminalizuara të dokumentohet, si një luftë e Serbisë për ta zhbërë  një shtet që u krijua si rrjedhojë e gjenocidit që kreu shteti i Serbisë në Kosovë.  Pra periudha kohore e  dokumentimit të këtij instituti duhet të jetë dita kur ka përfunduar lufta në Kosovë, ose nëse ky institut duhet të merret me ndikimin e Serbisë pas luftës atëherë ai afat kohor duhet të jetë i papërcaktuar, sepse veprime kriminale e shkatërruese të Serbisë ka  edhe sot.  Unë i bëj thirrje qeverise Kurti të reflektoj në këtë çështje sepse besoj thellësisht që është duke bërë gabim të pafalshëm, ashtu siç bën gabim ata që formuan gjykatën speciale në kohen e Thaçit.  Në një diskutim të argumentuar nuk besoj që duhet të përmenden as shurdhuesit as partitë e as militantët partiak, sepse atëherë devijohet esenca e diskutimit dhe zgjidhja është gjithmonë e gabueshme. Me çështje të tilla nuk ka e as nuk bën të ketë kokëfortësi apo mbrojtje të interesave partiake.  Opozitës i bëj thirrje  që diskutimi i të premtes së kaluar të jetë një shembull se si duhet të punohet për shtetin dhe  cila është rruga adekuate për ta bindë popullin që meritoni të ju dëgjon dhe të keni respekt. Ajo që keni bërë më parë ka qenë në shumicën e rasteve neveritëse dhe nuk më ka dhënë hapësirën e nevojshme as për të ju dëgjuar. Më tepër se 1 apo dy minuta, njëjtë ndodhë me analistët e njëanshëm. 

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".