Shkrimtarët profesionistë e bëjnë historinë e kombit
Rexhep Shahu
Shkruan: ANALISTI: Rexhep Shahu
-Këtu në këtë vend gjen çdo profesionist: këngëtar profesionist, argëtues profesionist, palaço profesionist, boksier profesionist, hajdut profesionist, politikan profesionist, qen a zagar profesionist, por nuk gjen vetëm shkrimtar profesionist. Gjithçka e kësaj bote fillon nga fjala, nga gjuha, nga shkrimi jeton e gjallon e përhapet. Shkrimtarët bëjnë në fakt historinë e kombit dhe çdo histori tjetër është, e pallavrave. Por shoqëria e sotme e tri dekadave që po mbyllim, shteti dhe politika, ka një urrejtje të verbër ndaj shkrimtarëve edhe pse mbase mund të mos jetë urrejtje e menduar por prej varfërisë alarmante mendore të shtetarëve që drejtojnë këtë vend. Edhe në regjimin e kaluar komunist begeniseshin shkrimtarët, disa me leje të përjetshme krijuese, disa me leje vjetore a 6 mujore a tre mujore, por begeniseshin, konsideroheshin. Antikomunistët që kanë turp prej emrave të tyre dhe i kanë ndryshuar emrat, u kanë shtuar apo heq ndonjë germë emrave, që kanë turp edhe nga bëma e tyre bëjnë edhe thirrje që të zhduket letërsia e para viteve '90. Por nuk zhduket dot historia. Shkrimtarët ekzistojnë, edhe të shpërfillur janë ata që janë mbi të tjerët, janë ata që u lexohen librat, janë ata që kanë ndikim tek njerëzit, janë ata që kanë këtë magji më shumë se gjithkush tjetër. Nuk e di sa do të mundemi të bëhemi bashkë e ta ndryshojmë këtë gjendje. Sot nuk paguan shteti, nuk u jep honorare e leje krijuese shteti, por ka mjaft mundësi që të krijohen fondacione. Ky vend do kurorë mbi krye dhe kurora janë shkrimtarët.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".