Ish ministrja e integrimeve Dhurata Hoxha me aktakuzë të rëndë, e vodhi  buxhetin e fushatës për liberalizim vizash dhe  përdori për promovim personal elektoral

Ish ministrja e integrimeve Dhurata Hoxha me aktakuzë të rëndë, e vodhi  buxhetin e fushatës për liberalizim vizash dhe  përdori për promovim personal elektoral

Gani Qarri

  • 16 October 2022 - 08:56

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

 

Siç dëshmohet edhe nga aktakuza, Dhurata Hoxha në cilësinë e ministres së integrimeve evropiane (MIE) kontratën e nënshkruar për Shërbime të Informimit Publik, nevojat e MIE-së dhe operatorin ekonomik “PR Solution”, që kishte për qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), si ministre kishte keqpërdorur këto para, për të promovuar fushatën e saj zgjedhore si kandidate e PDK-së për deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019, për publikimin e banerëve, videove, spoteve etj.

 

 

Mëkatet e rënda e të njëpasnjëshme kundërligjore të ish ministres Dhurata Hoxha, përveçse janë të mëdha e të ndryshme ato janë edhe të paprecedent dhe të përsëritura disa herë. Përveç keqpërdorimit të 143 mijë e 447 eurove të dedikuara liberalizimit të Vizave dhe marrëveshjes së stabilizim-asocimit (MSA),për publikimin e banerëve, spoteve dhe viedove të fushatës së saj zgjedhore, të 6 tetorit të vitit 2019, ajo si ish këshilltare e Thaçit dhe ministre e PDK-së për Integrime Evropiane, në qeverinë e PAN-it, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka paguar me mbi 168 mijë euro të taksapaguesve të vendit edhe firmën franceze Majorelle PE & Event, për promovimin e ndarjes së Kosovës në botë, si dhe sipas ministres së Drejtësisë, ka urdhëruar edhe konfiskimin e kamerave nga dhoma e burgut ku është vrarë Astrit Dehari, ndaj habit fakti se si një personi me kaq shumë delikte kundërligjore e penale, ti konfirmohet aktakuza vetëm me 12 maj të vitit 2022 dhe të vazhdojë ende të mbetet në liri.  Siç dëshmohet edhe nga aktakuza, Dhurata Hoxha në cilësinë e ministres së integrimeve evropiane (MIE) kontratën e nënshkruar për Shërbime të Informimit Publik, nevojat e MIE-së dhe operatorin ekonomik “PR Solution”, që kishte për qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), si ministre kishte keqpërdorur këto para, për të promovuar fushatën e saj zgjedhore si kandidate e PDK-së për deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019, për publikimin e banerëve, videove, spoteve etj.  Të gjitha këto të holla të keqpërdorura, ishin dhënë vetëm që të vinin në pah, ish Ministren e Integrimeve Evropiane dhe kandidaten e PDK-së, për deputete Dhurata Hoxha, për ti mundësuar kësaj të pandehure, përfitim të kundërligjshëm dhe tërësisht të padrejtë, duke dëmtuar me vetëdije buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumën prej, hiq më pak se 143 mijë e 447 euro e 80 centë, në kundërshtim të plotë me të gjitha rregullat, parimet dhe kushtet e kësaj kontrate e cila, në fakt, nga shteti i Kosovës, i ishte dedikuar, një procesi krejt tjetër, si ai i liberalizimit të vizave dhe MSA! Ndaj me gjithë vonesën disavjeçare, vërtetimi i aktakuzës nga Gjykata e Apelit kundër ish Ministres së Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, përfundimisht po dëshmon, se drejtësia e kapur dhe e uzurpuar për dy dekada me radhë, nga krimo-politika, më në fund, ka nisur që gradualisht të vetëdijesohet, të çlirohet dhe pavarësohet, nga kapja, prej mafies politike, për të funksionuar e pa varur dhe e pa ndikuar, si dhe e shkëputur nga bashkëjetesa e avokatia që me dekada i ka bërë korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos kur në akte të tilla, kanë qenë të involvuar zyrtar të lartë shtetëror! Kështu që edhe pse ky është një nga rastet e para të akuzimit të ish zyrtarëve të lartë shtetëror, gëzon fakti që pas një odisejade të gjatë, Gjykata e Apelit, përfundimisht e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të akuzuarve të tjerë; Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi, për abuzim me detyrën zyrtare duke keqpërdorur buxhetin e shtetit, të dedikuar aktiviteteve të liberalizimit të vizave, për fushatë zgjedhore dhe promovim personal të ish Ministres Hoxha. Bashkë me ish ministren, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohen edhe Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi, ndërsa Ekrem Tahiri akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, prandaj me vendimin e 27 korrikut të vitit 2022, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruar nga mbrojtësit e të lartcekurve. Kundër këtij aktvendimi, ankesë ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fitim Mustafa, me arsyetimin; " e shkeljes” së dispozitave të procedurës penale, aplikimit të gabuar të dispozitave materiale dhe vërtetimit të gabuar e jo të plotë të gjendjes faktike duke kërkuar që Gjykata e Apelit ta aprovoj ankesën "si të bazuar" dhe ta ndryshoj aktvendimin e ankimuar në mënyrë që ta hedhë aktakuzën e ushtruar ndaj Mustafës. Edhe mbrojtësi i të akuzuarës Dhurata Hoxha, ka ushtruar ankesë, gjoja për shkak të "shkeljes së dispozitave" të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike me propozim që Gjykata e Apelit ta kthej çështjen në rivendosje ose ta hedhë poshtë aktakuzën dhe të pushohet procedura penale?! Ndërsa, mbrojtja e të akuzuarit Gëzim Dushi nuk i ka specifikuar fare shkaqet ankimore por megjithatë, edhe ajo ka propozuar apriori, që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën dhe aktakuza të hidhet si e pabazuar. Për rrjedhojë, kërkesat plotësisht të pabazuara të avokatëve, kanë bërë që Prokuroria e Apelit me parashtresën e 31 gushtit 2022, me të drejtë, ti refuzoi si të pabazuara, të gjitha ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka propozuar që vendimi i ankimuar të vërtetohet nga gjykata. Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, thuhet se gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye mbi dyshimin e bazuar, mbështetur në prova të pakundërshtueshme, të cilat gjenden të prezantuara edhe në shkresat e lëndës dhe bashkë me veprimet e përshkruara në aktakuzë, ekzistojnë elemente qenësore të veprave penale për të cilën, të pandehurit janë akuzuar, prandaj Gjykata e Apelit thekson se në këtë drejtim pretendimet ankimore janë tërësisht të pabazuara. Kështu që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes aktakuzës së ngritur ndaj ish- ministres Hoxha, me të drejtë akuzon Dhurata Hoxhën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare si ministre, duke përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën e vet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth MSA-së dhe procesit të liberalizimit të vizave. Edhe i pandehuri Fitim Mustafa akuzohet që si zyrtar përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje ka keqpërdoruar detyrën zyrtare, duke kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit. 

Por duke i vënë “Kontratës për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, ka ndikuar në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE, i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në tender, dhe me kontratën në fjalë, do të shpërblehej OE “PR Solution”.   

Prandaj ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Mustafa ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, par.2 të Kodit Penal, kurse i pandehuri Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës: “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha. Për aq më tepër i pandehuri, kishte lejuar të kryheshin pagesa edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës., ani pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve të vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha si kandidate për deputete e PDK-së, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, ishte në kundërshtim me ligjin. Ndërsa i pandehuri Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution” Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë kontratë me MIE, me dashje nuk i kishte kryer veprimet në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbime të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.   

Prandaj Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike dhe ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga gjykata të shqiptojë dënimin plotësues urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës. Sa i takon Dhurata Hoxhës përveç akuzës për korrupsion, siç dihet, ajo tanimë është duke u akuzuar edhe për një rast tjetër.   

 

Dhe e gjithë kjo storie e turpshme e zyrtarëve të inkriminuar shtetëror, dëshmon se është koha e fundit, që për veprat abuzive, me detyrën zyrtare, për korrupsion e krim të organizuar, të fillojnë të hetohen e të kallëzohen penalisht të gjithë ish zyrtarët e deritashëm të shtetit, duke filluar nga kryetarët e komunave, ministrat e vartësit e tyre, kryeministrat dhe ish presidentët, por edhe ish krye parlamentarët, të cilët kanë heshtur dhe nuk kanë kërkuar asnjëherë nga drejtësia për të vepruar dhe ndjekur si duhet korrupsionin e krimin e organizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".