Qeveria, opozita, shoqëria civile, komuniteti mediatik, ai fetar e akademik, duhet bashkërisht ta ofrojnë alternativen e Asociacionit

 Qeveria, opozita, shoqëria civile, komuniteti mediatik, ai fetar e akademik, duhet bashkërisht ta ofrojnë alternativen e Asociacionit
 Qeveria, opozita, shoqëria civile, komuniteti mediatik, ai fetar e akademik, duhet bashkërisht ta ofrojnë alternativen e Asociacionit

Fadil Maloku

  • 26 October 2022 - 13:24

Shkruan: Sociologu: Fadil Maloku

 Ndryshe; Modeli “franko- gjerman”, është si ai “shtrati i Prokrustit” * të hanxhiut grek. Sipas Mitologjisë greke, Prokrusti ishte një hanxhi që jetonte në Greqinë e lashtë. Ai strehonte në hanin e tij kalimtarë të rastit dhe kur vinte koha e gjumit përdorte për ta dy shtretër, njërin të shkurtër dhe tjetrin të gjatë. Natyrisht çdo bujtës që kalonte natën tek ai ishte ose më i gjatë ose më i shkurtër se shtretërit e tij. Kështu që më të gjatëve, u ofronte shtratin e shkurtër kurse më të shkurtërve të anasjellin. Që t’i bënte njësh me shtratin, të gjatëve ua shkurtonte këmbët me sharë, ndërsa të shkurtëve ua tërhiqte fort gjymtyrët deri në këputje.

Modeli i “dy Gjermanive”, e ka vetëm një defekt të vetëm! E ai është se; ky defekt sa është kardinal, është edhe fatal! Është kardinal, ngase, e asocon bashkimin e dy Gjermanive, si dy pjesë (gjermane tipike) të një (ish shteti e kombi) tërësie të njëjtë që u bashkuan sërish pas fiks 44 viteve vetmie e vuajtjeje; sociale, ekonomike, ideologjike e kulturore. Kurse, është fatal, nga shkaku se ky model procesin e bashkimit kombëtar midis Shqipërisë dhe Kosovës, lëre që e prolongon për dekada të tëra, por, ekziston mundësia që edhe ta varros njëherë e përgjithmonë. Ngase, askush s’e ka asnjë garancion të vetëm se çfarë konfigurimi; gjeopolitik, apo gjeostrategjik do marr jo vetëm Ballkani Perëndimor, por as i gjithë kontinenti i Evropës.

Kështu që defekti kardinal dhe ai fatal, e kanë arsyen e dyshimit për t’u implementuar, madje edhe si ide, edhe si koncept, e edhe si synim e mundësi. Pra, nëse bazohemi në këtë analogji, i bie që; shanset për t’u “ribashkuar” (lexo; bashkëjetuar në ndërkohë dhe në një të ardhme, qoftë ajo e largët dhe hipotetike!) midis Kosovës dhe Serbisë, janë zero!? Janë zero, edhe për një arsye madhore, se në Marrëveshjen e Rambujes, janë dhënë ca garanci të parafinuara dhe të nënshkruare, ku thuhet midis tjerash se; …Kosova, nuk do mund t’i bashkëngjitet në një të ardhme të afërt (me vullnet të vetin, se me luftë s’dihet..) as Serbisë e as Shqipërisë.

Asociacioni, që po e lyp në vazhdimësi Serbia, e që duket se është gatuar diku në “kuzhinat” antishqiptare në Beograd, i përngjan “shtratit të Prokrustit”, ngase, fuqia e shtrirjes dhe rritjes së kompetencave (sipas këtij modelit gjerman) lë hapësirë pothuajse identike të interpretimit; si për qeverinë e Kosovës, ashtu edhe për ate të Serbisë.

Ky model madje, përveç komponentës ushtarake që mungon(!) i ka pothuajse gjitha skicat e një kornize bazë që të lë për të dyshuar se në një të ardhme të afërt, kjo krijesë centaur mund të “frymoj” de jure e de facto, edhe si një “Republikë e Kosovës dhe Metohisë”! ? Themi kështu, sepse shumë nga “paragrafët” e tij përveç formës “kreative” të interpretimit shumëformësh fshehin edhe djallëzinë e vetë organizimit (që ka formë dhe përmbajte të identifikuar) dhe atë të vetë shkatërrimit (ku shkohet aq larg sa që; vetëm vetës së tyre (dmth. Serbisë dhe “komunave serbe” në Kosovë) u jepet mandati dhe e “drejta e autoriteti” i zhbërjes së kësaj krijese “centaur”! Që s’mund të haset pothuajse askund as në praktikat e as në udhëzimet juridike në kontinent.

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".