Prokurorëve dhe gjyqtarëve të lidhur me krimin po ju bien maskat, janë pasuruar duke ja bërë avokatinë krimit të organizuar

Prokurorëve dhe gjyqtarëve të lidhur me krimin po ju bien maskat, janë pasuruar duke ja bërë avokatinë krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 06 November 2022 - 09:13

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Pikërisht tek metodologjia e qëllimshme e ngritjes së aktakuzave të para planifikuara për dështim, po dëshmon lakuriq lidhjet e ngushte të prokurorisë me krimin e organizuar me palët e përfshira në krim. Dhe vet kjo,po bënë që akoma nuk e kemi asnjë rast të prokurorit të degraduar, përjashtuar apo në çfarëdo forme të dënuar, për shkak të dështimit në mbrojtje dhe dokumentim të plotë të aktakuzës, sidomos në rastet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë. 

 

Një shembull flagrant tipik dhe kritik është loja që po luhet më zyrtarët doganor, të cilët kinse hetohen, mblidhen fakte dhe arrestohen, dërgohen në gjykatë me aktakuzat pompoze të ngritura kundër tyre dhe aty ndodhë befasia kur që të gjithë shpallen të pafajshëm dhe lirohen tërësisht. Rastet e tilla flasin më tepër se mjaftueshëm dhe me plotë besnikëri për avokatinë që prokurorët e korruptuar vazhdojnë t`ia bëjnë krimit të organizuar, e rasti më i freskët i raportuar është zhvilluar së fundi kundër zyrtarëve doganorë ne veriun e Kosovës, në Jarinje, emra të njohur për medien. Por në mungesë të ashtuquajturave prova, katër të akuzuar lidhur me këtë rast lirohen tërësisht nga akuza për korrupsion dhe lidhje me kontrabandën. E siç dihet në të njëjtin akt akuzues me zyrtarët doganorë Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi akuzoheshin edhe Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq, për kryerjen e veprës penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, por për shkak të parashkrimit absolut është hedhur aktakuza për këtë pikë të aktakuzës. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 21 shtator 2016, Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq akuzohen se më 19 shtator 2014, në Leposaviq, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Dhe siç thuhet në aktakuzë, kjo vepër penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri Milan Stojanoviq, në cilësinë e përgjegjësit të firmës “Telekomunikacia plus 028”, ndërsa i pandehuri Filip Filipoviq, si vozitës i kamionit, në pikë kalimin kufitar në Jarinje-Leposaviq, kanë zhdoganuar vetëm pjesërisht mallin, me ç’rast i kanë ikur pagesës së detyrimeve doganore në vlerë prej 12.622.86 euro. Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës, Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi akuzohen se në datën e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, në pikën kufitare Jarinje-Leposaviq, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që tjetrit t’i sjellin përfitim pasuror. Sipas aktakuzës, i pandehuri Mlladenoviq, në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit dhe i pandehuri Bekim Gashi, përgjegjës në kamionin e markës “TAM 1300 T 11”, nuk e kanë kontrolluar në mënyrë detale në pikën doganore, por vetëm në mënyrë vizuele e më pas e lëshojnë atë. Me këtë rast kamioni të cilin e drejtonte i akuzuari Filipoviq është ndaluar në Leposaviq nga ana e Policisë dhe pas verifikimit të mallit është konstatuar se kamioni ka pasur më tepër mall se sa, që është deklaruar për zhdoganim, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës humbje në vlerë prej 12 mijë e 622 euro e 86 centë. Për këtë, ata po akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” , nga neni 422, paragrafi 1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë gjatë procesit gjyqësor që është zhvilluar më 31 tetor, ky grup i dyshuar i abuzimit me doganat dhe kontrabanimit është liruar më arsyetimin e mos pasjes së provave të mjaftueshme për tu dënuar?! Ndaj lind pyetja e patejkalueshme se deri kur do të tolerohet kjo formë e hapur e lidhjes së prokurorisë me kontrabandën dhe nëntokën e krimit, duke ndërtuar aktakuza të qëllimshme të dobëta që paraprakisht dihet se do të përfundojnë në shportë mbeturinash, për shkak të dështimit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".