Afera spektakulare me vilat e konfiskuara në Brezovicë, zbulon kanalin e fshehtë të mafies!

Afera spektakulare me vilat e konfiskuara në Brezovicë, zbulon kanalin e fshehtë të mafies!

Hajrullah Tërnava

  • 10 November 2022 - 22:37

Shkruan:ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Ndër politikanët që figurojnë në listën e publikuar janë edhe Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i biznesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë, por ajo që bije në sy dhe pritet më interesim në vazhdim të procesit, mbetet mënyra se si do të procedohet dhe finalizohet procesi e procedura me pronat e figurave nga sistemi i drejtësisë, atyre që janë të vendosur dhe të thirrur për ta respektuar dhe zbatuar ligjin.

 

Kjo qeveri në pushtet, nëse donë që në zgjedhjet e radhës të fitoj vota nga qytetarët e vendit, atëherë duhet të bëjë ç’mos që ti luftoj në mënyrë të pamëshirshme dukurit kriminale, pavarësisht se kush i ka kryer ato, dhe luftimin në fjalë të aferës së vilave në Brezovicë, që është një krim i organizuar. Aksioni kundër këtij krimi e bindi popullin e Kosovës se kjo qeveri e paska sadopak guximin që ti luftoj edhe ato krime që i kanë krye të mëdhenjtë e këtij shteti, prandaj elektorati në zgjedhjet e radhës duhet ta ketë parasysh këtë fakt, dhe prapë ti jep votën kësaj qeverie për një qeverisje tjetër në ardhje, sepse duhet ta vazhdoj luftimin e krimit të organizuar, dhe ky vend njëherë e mirë të spastrohet nga ato krime që i kanë krye ata të fortit e shtetit, e që deri më sot nga qeveritë mëhershme, asnjëherë nuk janë interesuar që ta luftojnë krimin e organizuar sepse edhe vetë ishin pjesëmarrës në ato krime. Populli i Kosovës akoma po beson e shpreson te kjo qeveri se do ta luftoj krimin në përgjithësi, prandaj është i interesuar që këtë qeveri ta shpërblej me votë. Qytetarët po presin që nga veprimet ligjore gjithandej Kosovës, krimi në Kosove do ta merr goditjen më të madhe deri më tani, sidomos lidhja kriminale politikës, bizneseve të pista dhe sistemit të kapur të drejtësisë, pas finalizimit të fazës së par të hetimit të aferës se vilave në Brezovicë, e ku gjykata me kërkesë të Prokurorisë Speciale, e ka aprovuar kërkesën e cila urdhëron sekuestrimin e përkohshëm të 75 vilave në Brezovicë. Tani më në këtë aferë nuk ka asgjë sekrete dhe të pa njohur për opinionin publik. Lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, përmban edhe emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë tashmë, por tashmë ajo listë mban edhe vulën e gjykatës dhe vendimin e sekuestrimit deri në përfundim të hetimit të detajuar dhe gjykimit. Lajmin për sekuestrimin e përkohshëm të 75 pronave e ka konfirmuar Shaqë Curri, gjykatës i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Pejë. Sipas shkresave të lëndës së gjykatës, këto vila të sekuestruara rezulton se janë ndërtuar në Zonën e II-të në Parkun Kombëtar “Sharri” – Zona e Brezovicës, në të cilën ndalohet ndërtimi me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”. Sipas shkresave të lëndës, thuhet se sipas këtij ligji, Zona e II-të e këtij Parku karakterizohet me ekosisteme, vlera peisazhore dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohet eko-turizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtari, të cilat nuk janë në kundërshtim me qëllimet e Parkut, kurse është e ndaluar ndërtimi i çfarëdo objekti për banim. Ajo që bie në sy në këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të trija nivelit e gjyqësorit. Të tretë fillimisht kanë blerë parcela në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar vila. Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit, si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme. Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili. Tre gjykatësit, kanë konfirmuar sekuestrimet e vilave të tyre nga Prokuroria, por kanë deklaruar se blerjen e pronave e kanë bërë përmes procedurave ligjore dhe dokumenteve të organeve kompetente, njëjtë edhe për vilat i kanë deklaruar se janë ndërtuar me leje të organit përkatës. Mirëpo prokurorit Rasim Maloku, ishte deklaruar në media, se shumica e këtyre objekteve janë ndërtuar, duke keqpërdorur detyrën zyrtare të pandehurit, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zone. Në këtë drejtim edhe janë sekuestruar objektet në Zonën II, pasi që janë rrjedhojë e veprave penale, pasi sipas ligjit, në këtë zonë zyrtarët nuk kanë mundur në asnjë formë të lëshojnë leje ndërtimi, pasi ndalohet ndërtimi me ligj. Sekuestrimet e këtyre pronave, sipas dokumenteve, rezulton se janë bërë duke u mbështetur në Kodin e Procedurës Penale, ku theksohet se sendet që përkohësisht mund të sekuestrohen janë sende që mund të jenë prova gjatë një procedure penale, sende ose pasuri që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose sende që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale dhe për të cilat ligji parasheh sekuestrimin. Ndër politikanët që figurojnë në listën e publikuar janë edhe Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i biznesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë, por ajo që bije në sy dhe pritet më interesim në vazhdim të procesit, mbetet mënyra se si do të procedohet dhe finalizohet procesi e procedura me pronat e figurave nga sistemi i drejtësisë, atyre që janë të vendosur dhe të thirrur për ta respektuar dhe zbatuar ligjin. Trimëria e luftimit të krimit të organizuar e kësaj qeverie, popullatës po ia kthen dinjitetin me shtimin e besimit se paska të tillë që e duan këtë vend, dhe në çdo mënyrë do ta pastrojnë Kosovën nga krimet që e kanë ngulfatur Kosovën në tërësi dhe e kanë izoluar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare të botës, dhe me një luftim të tillë Kosovës prapë do ti kthehet dinjiteti i saj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".