Akademikët e Shtetit të Kosovës ku janë?!...

Akademikët e Shtetit të Kosovës ku janë?!...
Akademikët e Shtetit të Kosovës ku janë?!...

Ismail Muçiqi

  • 21 November 2022 - 11:43

 Shkruan gazetari: Ismail Muçiqi

 Një ndër institucionet më të përfolura dhe më të dështuara që nga pas lufta në Kosovë është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ky institucion i mbyllur hermetikisht në objektin më prestigjioz të kulturës dhe dijës objekt ky i cili u ndërtua me buxhetin e Shtetit të Kosovës mbeti vetëm emër për të shpresuar se nga ky objekt do të dalin elaborate dhe studime shkencore për të mirën e Shtetit. Mjerisht Akademia e Shkencave dhe Arteve asnjëherë nuk u reformua për ta ushtruar misionin e vetë të shumëpritur nga opinioni i gjerë.

Ky i ashtuquajtur “institucion i kulturës, dijës dhe shkencës” më shumë është i ngjyrosur me botëkuptime partiake e politike sesa që është i përkushtuar për  zhvillimin e proceseve të shkencës, kulturës, dijes në përgjithësi. Në këto rrethana në të cilat po jetojnë qytetarët e Kosovës me plotë vështirësi: ekonomike, sociale, morale, kulturore dukuri këto të cilat po e ngulfatin jetën e shoqërisë në përgjithësi, “akademiket” e Kosovës po mirën me botimin e veprave [librave] për promovime personale duke shpenzuar buxhetin e shtetit.

Nuk mbahet mend që nga pas lufta që Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka bërë ndonjë projekt, elaborat apo studim për ti parapri apo ndihmuar proceseve sociale, ekonomike, kulturore, informative, e shkencore, probleme këto me të cilat po përballet Shteti i Kosovës apo shoqëria në përgjithësi. Kjo është e dhimbshme për Kosovën dhe për gjendjen aktuale politike dhe shoqërore. Është e pa justifikueshme që Akademia e Shkencave dhe Arteve nuk qanë kokën për aktualitetin politikë, për shantazhet dhe kërcënimet e shtetit serbë ndaj sovranitetit të Republikës të Kosovës. Shtrohet pyetja?. “Pse ekziston ky institucion i ashtuquajtur i Shkencës dhe Kulturës, derisa nuk kemi asnjë kontribut nga kjo”.

Duhet theksuar se në këtë tempull “akademik” me decenie qëndrojnë emrat e njëjtë të cilët kanë krijuar monopol për ti mbrojtur pozitat e tyre dhe privilegjet të cilat lirisht mund të themi se nuk i meritojnë. Shoqëria Kosovare tani ka individ meritorë të shkencës, kulturës dhe dijës, të cilët kanë biografi historike të jetës, dhe veprimtarisë të tyre shkencore në të gjitha sferat e sistemit të shkollimit akademikë. Këta individ me vite nuk po arrijnë të bëhen anëtarë të akademisë, e cila tani agjendë kryesore e ka ruajtjen e interesave klanore të bashkë kolegëve [akademikë] të cilët kanë dështuar për ta kryer misionin e tyre, me një fjalë për t’ia kthyer borxhin popullit i cili i shkolloj, i ngriti dhe akoma po i financion.

Nuk ka dyshim se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është një staf plotësisht i ngjyrosen politikisht që nga themelimi i saj. Ky institucion nuk qanë hallin për largimin e të rinjve nga Kosova, për degradimin e Sistemit Arsimor në përgjithësi, për nivelin e ultë të Shkencës Kulturës dhe Informimit, për ramjen e natalitetit të popullsisë në Kosovë dhe shumë e shumë vështirësi tjera që i ka ky vend. Andaj janë iluzione pritjet tona që gjendja do të ndryshojë për të mirë derisa institucioni më i lartë i shkencës dhe kulturës: Akademia e Shkencave dhe Arteve është degraduar në këtë masë te mjerueshme.  

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".