Drejtësia duhet të pastrohet urgjentisht, në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka vartës të kastës së inkriminuar politike, njerëz me të kaluar të kriminalizuar

Drejtësia duhet të pastrohet urgjentisht, në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka vartës të  kastës së inkriminuar  politike, njerëz me të kaluar  të kriminalizuar
Drejtësia duhet të pastrohet urgjentisht, në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka vartës të  kastës së inkriminuar  politike, njerëz me të kaluar  të kriminalizuar

Dardan Grapci

  • 28 November 2022 - 07:30

Shkruan: ANALISTI - Dardan Grapci

Pavarësisht deklaratave politike pompoze se do luftohet krimi e korrupsioni, kjo gjë deri më tani nuk ka ndodhur. Ato deklarata të krerëve shtetëror kanë mbetur shterpe. Qytetari i Kosovës është lodhur me deklarata të tilla. Këtë më së miri po e dëshmon edhe ky rasti i fundit i procesit gjyqësor lidhur me të ashtuquajturën “Afera e Hidrocentraleve, dosje e cila ngarkonte për korrupsion figura qendrore të shtetit që ishin të lidhur ngushtë me majën e pushtetit, pra deri në nivel të ministrave. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nuk pritet të ndodh, përderisa në krye të gjyqësorit të gjenden vetë ata të cilët drejtësinë e kanë sjellë këtë gjendje mjerimi, në një sistem drejtësie i cili tërësisht vazhdon të jetë i kontrolluar dhe nënshtruar nga krimi.

-Përderisa në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka vartës të kastës së inkriminuar politike, njerëz me të kaluar të kriminalizuar, nuk mund të pritet që të njëjtit t’i dënojnë vartësit e tyre apo pjesëtarët e rrjetit të tyre. Nuk them se të gjithë që punojnë aty janë të tillë, por lëndët e hetimeve që prekin individët e këtij rrjeti kalojnë jo rastësisht nëpër duar të zyrtarëve të kapur, të cilët kanë ardhur në ato pozita nga vet kjo kastë e kriminalizuar. Shpresa e vetme e pastrimit dhe fuqizimit të sistemit të drejtësisë, duke e drejtuar atë prokurorët që kanë integritet dhe gjyqtarët profesionistë që e zbatojnë ligjin pa dallim, është pritja për miratimin dhe fillimin e zbatimit të ligjit VETTING.

Prokurorët tanë të cilët janë të thirrur për të hetuar shkelësit e ligjit, paguhen me paga të majme nga buxheti i Kosovës. Përderisa paguhen në mënyrë meritore, ata po abuzojnë me besimin e dhënë dhe obligimin që e kanë marr sepse nuk po e bëjnë si duhet punën e tyre. A i kanë borxh dyfish shtetit dhe qytetarit. Edhe për pagën që marrin, edhe për mos ndëshkimin e atyre që abuzojnë me pasuritë e shtetit dhe me paranë publike, pronë e të cilës është vet qytetari i Kosovës, ata duhet të ndëshkohen me shkarkim, por kjo nuk do të mundë të ndodhë pa e futur VETTING-un në zbatim. Vetëm atëherë mund të presim drejtësi plotësisht të pa varur dhe profesionale, dënime dhe gjykime të drejta për secilin që shkel dhe abuzon me ligjin.

Një drejtësi e drejtë dhe efektive disiplinon secilin zyrtar të mos shkel ligjin dhe nuk e amniston krimin. Praktikat e e deritashme të aferave të mëdha, sikur “Afera e Hidrocentraleve” po tregojnë se kur janë në pyetje njerëzit e korruptuar që kanë ndikim politik dhe klanor, tani për tani as që vjen në konsideratë hetimi dhe gjykimi i tyre. Kjo po ndodh për faktin se truri drejtues i institucioneve të drejtësisë udhëhiqet nga njerëzit e dërguar pikërisht prej kastës aktuale politike. E njëjta gjendje është edhe në Prokurorinë Speciale – kompetente me ligj për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra të gjitha këto niveleve të sistemit të drejtësisë duhet pastruar nga lidhja e tyre dhe bashkëjetesa me krimin e organizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".