Opozita në anën e Vuçiqit dhe Listës Srpska për kthimin pa kushte të policëve serb që  u larguan nga puna me telekomandën e Beogradit

Opozita në anën e Vuçiqit dhe Listës Srpska për kthimin pa kushte të policëve serb që  u larguan nga puna me telekomandën e Beogradit

Gani Qarri

  • 01 December 2022 - 19:23

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

 

Për në veri të Kosovës, është e nevojshme të hapet konkurs nga Institucionet e Republikës së Kosovës, për pranimin e policëve të ri, duke mundësuar konkurrim të barabartë për ata që janë njëmend të gatshëm të tregojnë lojalitet institucional për tu integruar dhe respektuar ligjet dhe kushtetutën e shtetit të Kosovës, duke mënjanuar tërësisht përzierjen e dorës së zgjatur të Serbisë, Listën serbe, në këto çështje jetike për rivendosjen e rendit e të ligjit edhe në Veri të vendit tonë.

 

Lobimi i partive të inkriminuara politike në opozitë dhe presioni brutal që po vjen veçanërisht nga ana e PDK-s, për rikthimin e serishëm, pa asnjë kushtëzim në punë, nga ana e qeverisë Kurti, të të gjithë policëve të dorëhequr nga policia e Kosovës sipas urdhrave politik të Aleksandër Vuçiqt dhe të instrumentalizuar e kërcënuar nga Lista Srpska e cila edhe deputetët dhe kryetarët komunal i ka detyruar për ti bojkotuar institucionet e Republikës duke u larguar me dorëheqje të pa revokueshme, është vërtetë për tu alarmuar dhe shqetësuar shumë, se mos edhe partitë opozitare e veçmas PDK, është e shantazhuar dhe nën kontrollin direkt të Aleksandër Vuçiqit.

 

Madje edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, i cili tashmë është deputet i PDK-së, Rashit Çalaj, ka thënë se për të gjithë policët e larguar, ka hapësirë ligjore dhe do të mundë të kthehen në vendet e tyre të mëparshme të punës, pasi që dorëheqjet, gjoja i paskan bërë "për arsye personale", siç i kanë shkruar në letër, me përjashtim të drejtorit të dorëhequr të Policisë së Kosovës, në veri dhe shefit të operacioneve i cili ka dhënë dorëheqje së bashku me drejtorin.

 

Vet ky veprim monstruoz e i pazakonshëm nga ana e PDK-së dhe deputetëve të saj, përfshi edhe ish shefin e Policisë së Kosovës, , se dhe ky angazhim kaq i paskrupullt e skandaloz për rikthim me çdo kusht, të atyre që i hodhën e përdhosën publikisht uniformat e policisë së Kosovës, dëshmon katërçipërisht se në skenarin e dorëheqjeve, përveç Vuçiqit dhe Listës serbe, janë të përfshirë edhe strukturat e ish qeverisë së kaluar, si dhe ato të drejtuesve të policisë së Kosovës, të lidhura ngushtë me bandat e krimit në veri.

 

Për aq më tepër, në bashkëveprim me to duket të jetë i involvuar edhe SHIK, i kamufluar dhe i rehabilituar në strukturat e institucioneve të rendit e të sigurisë së Kosovës, ndaj ata tani, bashkërisht lobojnë me kaq këmbëngulje dhe angazhohen rishtas për rikthim të ish policëve të dorëhequr serb, për vazhdimin e bashkëveprimit me ta, në kontrabandë dhe në krim të organizuar.

 

Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, me insistimin e Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj në partitë e inkriminuara të Kosovës, plotësimi i vendeve të boshatisura të punës nga zyrtarët e dorëhequr serb, sipas urdhrave të Aleksandër Vuçiqit, mundë të bëhet temë diskutimi edhe në dialogun e Brukselit, gjë që Qeveria e Kosovës, duke pasur parasysh rolin dhe përgjegjësinë publike që ka, nuk do të duhej ta pranonte e të dal mbi ligjin, vetëm për ti rikthyer në punë ata që kanë abuzuar e shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

 

Për në veri të Kosovës, është e nevojshme të hapet konkurs nga Institucionet e Republikës së Kosovës, për pranimin e policëve të ri, duke mundësuar konkurrim të barabartë për ata që janë njëmend të gatshëm të tregojnë lojalitet institucional për tu integruar dhe respektuar ligjet dhe kushtetutën e shtetit të Kosovës, duke mënjanuar tërësisht përzierjen e dorës së zgjatur të Serbisë, Listën serbe, në këto çështje jetike për rivendosjen e rendit e të ligjit edhe në Veri të vendit tonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".