Kuvendi para sfidës serioz me ligjin Vetting, viti që po vjen është planifikuar për ta nxënë hapin e vitit në ikje me kalendarin e dështuar

Kuvendi para sfidës serioz me ligjin Vetting, viti që po vjen është  planifikuar për ta nxënë hapin e vitit në ikje me kalendarin e dështuar

Hajrullah Tërnava

  • 22 December 2022 - 13:13

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Për periudhën e kaluar kohore, që nuk është arritur të miratohet ligji i Vettingut, tani nuk duhet të hulumtohet për shkaqet e mos miratimit, sepse çdokush e din se sikur ishte i jetësuar me vite të tëra ky ligj, pra më herët, tani Kosova nuk do të ishte në këtë gjendje të tanishme, por e thëna në popull se „ma mire vonë se kurrë“ e ka kuptimin në këtë rast të këtij ligji, prandaj me këtë kohë çfarë ka humbur deri me tani kurrë nuk mund të kompensohet, por mund të përfitohet nga ai vonim me kompensim kohe në vitin në vijim.

Procesi i bërjes së ligjit Vetting, duket se po merr rrugë të duhur. Tani është problemi vetëm në gatishmërinë e institucioneve të shtetit se a do të arrij ta kompenson Kuvendi i Kosovës, kohën e humbur gjatë këtij viti për finalizimin e Ligjit Vetting, i cili ishte pritur për tu përfunduar dhe miratuar, më së voni, në prag të fundit të këtij viti. Një objektiv i tillë nuk është realizuar prandaj Kuvendi i Kosovës mezi ka arritur që para fundit të këtij viti, në pritje të vitit vijues, ta themelon Komisionin Ad Hock për shqyrtimin e ligjit Vetting dhe plotësim ndryshimit të ligjeve që preken nga Vettingu.

Shpresat janë se do të jetë së paku viti vijues, 6 mujori i parë, një fazë e re e intensifikuar e një procesi të vonuar, për finalizimin dhe fillimin e zbatimit të Vettingut së paku gjatë vitit në vijim, për ta pastruar, pavarësuar dhe profesionalizuar sistemin e drejtësisë në Kosovës. Komisioni Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, i njohur si procesi i Vettingut, të martën e ka mbajtur mbledhjen konstituive ku u diskutua për hapat që do t’i ndërmarrin, derisa pozitë e opozitë i kanë tejkaluar dallimet dhe kundërshtimet që i kishin pasur në fazën fillestare të diskutimit, kështu që të dyja palët janë akorduar duke u zotuar se do të ofrojnë mbështetje të plotë për procesin e Vettingut. Kur pozitë e opozitë i tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe janë të gatshëm që ta jetësojnë ligjin në fjalë, atëherë gjithsesi se sukseset nuk do të mungojnë në jetësimin e këtij ligji të Vettingut, i cili tani është i gatshëm dhe rezultatet e këtij ligji pritet te jenë efikase shumë shpejtë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".