2023-shi. Media, jini dhe bëhuni media të moralit!

2023-shi. Media, jini dhe bëhuni media të moralit!
2023-shi. Media, jini dhe bëhuni media të moralit!

Skender Kapiti

  • 04 January 2023 - 20:04

Nga Skënder Sadri KAPITI

Urojmë që mediat shqiptare në Vitin 2023 të jenë  më të lira e të pavarurara për të thënë të vërtetat; që të jenë sa më pak politike, sa më pak servile dhe jo të shitura te interesi e paraja. Mediat janë pushteti i katërt, si pushteti antipolitikë e antipushtet, si pushtet kritik antikorrupsion dhe kundër të këqijave publike dhe si pushtet i paanshëm i cili  informon por edhe ndikon shumë në formimin e opinionit sa më real për realitetin politik, social, juridik, edukativo-patriotik e moral të shoqërisë.

Prandaj media së pari duhet të jetë medie e moralit.

 Mjerisht shumica e mediave dhe mediatikëve në Shqipëri, dhe sdomos ato që e mbajnë veten si media kombëtare janë media mercenare e servile të pushtetit, të politikës dhe të parasë, skajshmërisht të varura prej tyre, dhe duke qenë të tilla janë pra amorale shumica e tyre.

Urojmë mediat që të jenë në thelb kombëtare dhe t’i shërbejnë publikut dhe jo të jenë matrapaze, manipulatore dhe spekulante me informacione të deformuara nga psikika e shtrëmbër e këndvështrimit egoist,  politik, servil, materialist dhe negativ.

Hapni dyert për individë gazetarë, opinionistë, analistë, intelektualë  e artistë  të mirëfilltë të  fushave të ndryshme; për individë të  talentuar, të aftë, profesionalistë e të moralshëm dhe jo vetëm për ata me lidhje familjare, politike e biznesi të cilët kanë kapur dhe janë bërë monopol mediatik më keq se politika dhe ortake me të  prej 30 vitesh po me të njëjtat fytyra që shëtisin nga një studio televizive në tjetrën, dhe nga  po të njëjtët që  shkruajnë e zhgarravisin në faqet e para të gazetave. Në “pamundësi” për t’i ndaluar, të paktën ju media e ju mediatikët  mundohuni   që të servirni sa më  pak programe të tilla gati krejt lakuriqësie, me fjalor e humor harbut e banal, me lojra telebixhozi dhe me reklama e foto seksi të cilat përcudnojnë dhe e prishin moralin, familjen dhe shoqërinë  sa që disa programe televizive kanë “frikë” t’i shohin qytetarët në prezence të familjes e të familjarëve. Media mos fabrikoni e mos ngritni  imazhe, kulte e personazhe negative korrupsioni e injorantësh “VIP”, por  jini e  bëhuni media të Moralit së pari!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".