Idioti modern

Idioti modern
Idioti modern

Skender Kapiti

  • 16 January 2023 - 12:52

Shkruan: Skënder Sadri KAPITI

Dhe, çdo kohë dhe epokë ka banalitetet e veta, por kjo kohë moderne ka shumë të tilla; ka idiotin e ri që duke synuar një mënyrë jetese pa probleme ekonomike e materiale; jete të gatshme dhe emocionale në të njëjtën kohë  kërcënon veten, shoqërinë dhe ambientin.

 Prej çfarë?

Nga shija dhe motivimi materialist se mund të kesh gjithçka dhe nga ai jo moral se mund të bësh ç’të duash; pasurimi i shpejtë  dhe realizimi i dëshirave të shfrenuara me shpenzime të kota e të tepruara; diplomimi me dije të pamësuara; të kërcënuar prej alkoolit e drogës e të mashtruar prej reklamave, modës, luksit,  pornofilmit dhe telenovelave të fabrikuara; prej basteve, bixhozit e prostitucionit të pa ligjëruar; rritjes së divorcit e të fëmijëve pa prindër; prej deficitit prindëror  dhe atij të përgjegjësisë shoqërore.

Bota moderne po sundohet prej vlerës së letrës së parasë e cila   bën pasurinë, blen e çnderon pushtetin e politikën; e cila korrupton shtetin dhe shoqërinë; zhvlerëson mendjen, talentin e moralin.

Paraja dhe privatizimi i gjithçkaje nxisin individualizmin egoist, papërgjegjshmërinë dhe pandjesinë sociale që janë dhe argumentet kryesorë amoralë që çojnë në korrupsione e skandale politike, ekonomike e financiare.  Modernizimi  sot e ka liruar kapitalizmin e ri   në instinktet amorale, grabitqare e shkatërrimtare të tij që fatkeqësisht edhe institucionet shtetërore, politike e publike janë bërë pre ose palë me të, dhe ndjesia, përgjegjegjshmëria e ndërgjegjësimi reagojnë dobët qoftë si protestë apo masë kufizuese për pasojat katastrofike që vijnë prej tij. Cili na qenka ky njeriu modern dhe ky  idioti i ri?

Është politikani, pushtetari, biznesmeni, profesori, doktori,  filozofi, punëtori, i pasuri, i varfëri, juristi, administratori  etj., pra është apo mund të jetë sot idiot modern çdokush kokëbosh i mashtruar e i çmendur pas kënaqësive materiale të jetës dhe që bie pre e të këqijave të saj, dhe duke u mbërthyer nga lakmia e shfrenuar për lumturi, mendjemadhësi, kënaqësi e pasuri, gjë  kjo që dëmton të mirat morale njerëzore dhe shkatërron burimet dhe begatitë që na ka mundësuar bujaria e planetit.

A nuk është ky idiotizmi më i madh? Idiotizmi nuk njeh kohë e vend dhe nuk e çan kokën për të kundërtat e veprimeve të tij, dhe e kundërta ndaj vetë tij është ndërgjegjësimi për mëkatet dhe katastrofën që po vjen prej tij. Janë mençurimi racional, ndjesia shpirtërore e shoqërore, është virtyti dhe ligji moral e qytetar si ilaçe për kufizimin deri diku të këtij idioti modern. Edhe idioti i kohëve moderne nuk e njeh njerëzoren nga brenda, sepse po ta njihnin do të frikësoheshin nga idiotizmi dhe do të kishim pak të tillë (idiotë) që pretendojnë se gjithçka dinë e zotërojnë dhe kanë të drejtë të bëjnë ç’të donë; në fakt nuk njohin dhe nuk ndjejnë dhimbshurinë,  të drejtën, të vërtetën e as ndershmërinë dhe nga përsosja e moralit nuk e kërkojnë lumturinë.

Nga Skënder Sadri KAPITI,autor i   Librave “NJERIU FILOZOF, ETIK E POLITIK” “TRIUMFI I KOMBIT” dhe “MORALOKRACIA”

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".