Jo, Amerika, por gjenocidi serb i Slobodan Milosheviqit e shkëputi Kosovën nga Serbia kolonialiste

Jo, Amerika, por gjenocidi serb i Slobodan Milosheviqit e shkëputi Kosovën nga Serbia kolonialiste
Jo, Amerika, por gjenocidi serb i Slobodan Milosheviqit e shkëputi Kosovën nga Serbia kolonialiste

Mehdi Hyseni

  • 18 January 2023 - 15:00

Shkruan:  Mehdi Hyseni

Pra, njerëzit normalë, humanistë, (politically acknowledged) dhe objektivë në Serbi dhe jashtë saj), shkakun e njëmendtë dhe llogarinë politike të humbjes së kolonisë 100-vjeçare-Kosovës, duhet kërkuar vetëm në politikën e falimentuar çetniko-fashiste gjenocidale të regjimit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, jo kursesi në politikën e Amerikës së Bill Clintonit, as të George W. Bushit, as të Joe  Bidenit, as të Tony Blairit e as të NATO-s, sepse këta së bashku me aleatin e tyre-UÇK-në ishin  faktorët e ligjshëm kryesorë (sipas normave të së drejtës ndërkombëtare), që me plot të drejtë ndëshkuan krimet e gjenocidit serb në Kosovë (1989-1999).

Përkundrazi, as UÇK-ja dhe, asnjëri prej këtyre liderëve politikë me famë botërore nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie qoftë morale apo ligjore, që Serbia u bombardua nga aleanca e NATO-s (24 mars -10 qershor 1999, 78 ditë të plota), e cila  ligjërisht u mbështet nga Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku si rrjedhim Kosova vihet nën protektoratin ndërkombëtar të forcave paqësore të OKB-së (UNMIK).

Këtë të vërtetë të kapitullimit të luftës pushtuese gjenocidale të Serbisë në Kosovë ( me ç’rast Serbia qe e detyruar t’i tërheqte të të gjitha forcat militare, paramilitare dhe policore vrastare nga Kosova e pushtuar)  e vulosi, edhe “Marrëveshja  Ushtarake e Kumanovës  e nënshkruar  më 9 qershor 1999 mes përfaqësueve të NATO-s,  Michael  Jackson, komandant i KFOR-it dhe  ish-shefit  të Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralit Nebojsha Pavkoviq, i cili më pas u akuzua për kryerje të krimeve të luftës dhe të gjenocidit në Kosovë nga Tribunali i Hagës (themeluar nga OKB-ja, më 1993)”. (https://nacionale.com/politik%C3%AB/Nenshkrimi-i-Marreveshjes-se-Kumanoves-23-vite-nga-kapitullimi-i-Millosheviqit-8087)

Po të mos ndodhte gjenocidi i Slobodan Milosheviqit dhe i “bishave” të tij çetniko-fashiste ortodokse fundamentaliste serbe, Kosova nuk do të kishte pasur kurrfarë gjase reale, që të shkolonizohej nga Serbia hegjemoniste dhe militariste (1912-1999).

Një nga shkaktarët kryesorë, që ndikoi në shkëputjen e përjetshme të Kosovës nga Serbia kolonialiste ishte agresioni dhe pushtimi gjenocidal i Serbisë së drejtuar nga kryetari i saj nacionalsocialist dhe ultranacionalist, Slobodan Milosheviq (1989-1999). Kjo ishte “metastaza” e fundme e sundimit kancerogjen 100-vjeçar kolonial serb  të Kosovës së Shqipërisë Etnike.

Ky ishte epilogu i tragjedisë së Kosovës shqiptare, që tronditi jo vetëm Evropën Perindimore, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat për herë të parë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (9 maj 1945), duke falënderuar presidentit të saj historik, Bill Clinton ia arritën, që përmes NATO-s, ta ndëshkojnë ushtarakisht Serbinë për shkak të kryerjes së krimeve të gjenocidit të saj ndaj më se 2 milionë gjysmë shqiptarëve.  Me një fjalë, meritat kryesore historike, politike, diplomatike dhe ushtarake për shpëtimin-shkolonizimin e Kosovës nga Serbia, i ka ish-presidenti-heroi i Kosovës, Bill Clinton, i cili ishte i pari dhe i vetmi nga burrat shtetërorë të bashkësisë ndërkombëtare, që botërisht pati deklaruar se  “Kriza e Kosovës është një gjenocid në zemër të Evropës”. 

Këtë konstatim të argumentuar aksiomatik, askush deri më sot nuk e ka pohuar dhe debatuar as nga e ashtuajtura elitë politike shqiptare në Ballkan. Mjafton që këtë argument të justifikueshëm shkencërisht, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ta vlerësojë gjithanshmërisht dhe, duke marrë për bazë gjithë angazhimin dhe përpjekjet e jashtëzakonshme politike, diplomatike dhe ushtarake të SHBA-së për çlirimin, për shpëtimin dhe pavarësimin e Kosovës nga armiku shekullor kolonial serb,  Bill Clintonin ta shpallë Hero të Kosovës. Gjithashtu, në këtë kontekst, presidentja Osmani, duhet ta shpallë HERO të Kosovës, edhe ish-presidentin e SHBA-së, George W Bush, i cili ka meritat kryesore, që më 18 shkurt 2008, Amerika e njohu Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës ( të shpallur më 17 shkur 2008). Patjetër, këta dy presidentë historikë, duhet të shpallen heronj të Kosovës, sepse po të mos kishin qenë këta 2 HERONJ-STRATEGË LIRIDASHËS AMERIKANË në mbrojtjen e qenies shqiptare në Kosovë nga gjenocidi serb i Slobodan Milosheviqit, Kosova do të shndërrohej në një greminë të pafund me qindra e mijëra viktima shqiptare, e UÇK-ja do të ndiqej, duke u akzuar si “organizatë terroriste”, ashtu siç po ndiqet PP-ja e Kurdistanit 30 milionësh, duke kërkuar liritë dhe drejtat për popullin e vet kurd.

Mirëpo, lufta e saj e drejtë vetëmbrojtëse dhe antikolonialiste, si dhe përqafimi dhe mbështetja e gjithanshme e rezistencës dhe e heroizmit të mbarë popullit shqiptar në Kosovë, bëri që Bill Clinton, George W.Bush, William Walker, Medeleine Albright , Wesley Clark, Richard Hollbrook, Tonny Blair…etj., t’i mbështetin UÇK-në dhe mbarë rezistencën gjithëpopullore kundër armikut pushtues serb (1989-1999). Faleminderit Amerikë! Faleminderit Britani e Madhe, Faleminderit UÇK e Adem Jasharit, që  ushtarakisht ia thyet kurrizin kolonial të Serbisë gjenocidale  në Kosovë.

Sa më sipër, ia vlen të theksojmë se, tri shtatoret historike të këtyre hernjove shqiptarë dhe amerikanë,  duhet të vihen para ndërtesës së Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, sepse këta janë ndër meritorët, që sot Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe, po merr frymë lirisht nga  Serbia  kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999).

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".