Nëse nënshkruhet Plani frëngo-gjerman, Vuçiqi dhe Kurti, do të laurohen me Çmimin Nobel për Paqe

Nëse nënshkruhet Plani frëngo-gjerman, Vuçiqi dhe Kurti, do të laurohen me Çmimin Nobel për Paqe
Nëse nënshkruhet Plani frëngo-gjerman, Vuçiqi dhe Kurti, do të laurohen me Çmimin Nobel për Paqe

Mehdi Hyseni

  • 26 January 2023 - 12:57

Shkruan: Mehdi Hyseni

S’ka dilemë se Plani frëngo-gjerman, do ta shpëtonte Ballkanin nga “tërmetet” e luftërave të reja  pushtuese të Serbisë.  Prandaj,  duhet përshëndetur pranimin e tij nga ana e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në takimet e tyre të nivelit të lartë shtetëror me anëtarët e Kuintitit të BE-së dhe të Amerikës (z. Gabriel Escobar), që patën javën e kaluar në Prishtinë dhe në Beograd.

Prandaj, kjo është një nga arsyet thelbësore pse  Serbia dhe Kosova, duhet të dakordohen që sa më parë të jetë e mundur të gjejnë gjuhë të përbashkët kompromisi për pranimin e tij, me qëllim që t’i vihet pikë armiqësisë më se një shekullore të serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan (1912-2023).

Nuk ka asnjë dyshim se ky Plan, do të parandalonte Serbinë nga përdorimi i forcës për zgjidhjen e problemeve politike me fqinjtë e saj, sikundër që janë Kosova, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Prandaj, duke mbajtur parasysh efektin pozitiv, që do të mund të sillte Marrëveshja frëngo-gjermane, si kryeministri Albin Kurti, ashtu edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq kanë vepruar drejt, që kanë pranuar këtë Marrëveshje si kompromis politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse së fundi që të dytë  e kanë të qartë se jo politika nga pozita e forcës, që shpie në konfliktin e përgjakshëm mes dy popujve, por zgjidhja e rrugës së paqes, e mirëkuptimit dhe e njohjes së ndërsjellë  mes Serbisë dhe Kosovës, do të jetë një hap i rëndësishëm historik jo vetëm për këto dy shtete fqnije, por për mbarë Ballkanin, mbase për herë të parë në historinë e derisotme, Serbia do të dilte nga “zona e kuqe” e shkaktarit të luftërave hegjemoniste dhe pushtuese ndaj territoreve autoktone shqiptare në Ballkan. Prandaj, njohja reciproke sipas këtij Plani, do të ishte shpëtimi si  për Serbinë, ashtu edhe për tërë   rajonin ballkanik, që patjetër do të ndikonte pozitivisht në uesternizimin, në fuqizimin ekonomik  dhe në demokratizimin e saj evropianoperëndimor në frymën integruese dhe progresive të globalizmit botëror.

 Arritja e një kompromisi të tillë paqësor, Serbinë do ta fuqizonte si faktor ekonomik dhe politik në Ballkan  

Natyrisht se kjo Marrëveshje frëngo-gjermane paqësore mes Kosovës dhe Serbisë (me njohje reciproke si dy shtete të barabarta), do të ndikonte fuqishëm dhe arsyeshëm, edhe në defashizimin e tërësishim të Serbisë, duke krijuar premisat e qëndrueshme dhe reale, që kjo të përjetonte “katarzën e domosdoshme, si Gjermania”, ashtu si ka vlerësuar Stipe Mesiq (ish-president i Kroacisë) në një intervistë  dhënë gazetës “Oslobodjenje” të Sarajevës, më 31 mars 2012.

S’ka asnjë dilemë se defashizimi antihitlerian e shpie Serbinë në BE dhe në NATO, duke e transformuar në  një Gjermani të re në Ballkan, ashtu sikurse ndodhi me Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore  të Konrad Adenauerit, të Vili Brantit,  të Helmut Shmitit, të Helmut Kolit, të Angjela Merkelit dhe të  Olaf Sholcit.

Vetëm shembull i Gjermanisë së sotme demorkatike të bashkuar, do të mund ta shpëtonte Serbinë nga krizat ekonomiko-politike dhe nga varësia e ndërvarësia militariste e saj nga Moska dhe nga Pekini për ta destabilizuar dhe përflakur gjithë Ballkanin. Mirëpo, një orientim i tillë putinist dhe kinez, do ta varroste Serbinë si ushtarakisht, gjeopolitikisht dhe gjeoekonomikisht, sepse përjetësisht do të mbetej një koloni vasale e Rusisë dhe e Kinës në madhësinë e perimetrit hapësimor territorial gjeopolitik të “Kalemegdanit”  të Beogradit.

Këtë proces të domosdoshëm, qe më se 20 vjet, do të duhej ta  kishin kuptuar jo vetëm liderët dhe politika shtetërore, por edhe opozita së bashku me gjithë popullin serb, duke qenë se është absurde dhe e pamundur, që Serbia të pranohet në BE apo NATO, pa defashizimin antihitlerian (duke e rehabilituar nazifashizmin hitlerian, milosheviqian dhe çetnikun fashist Drazha Mihajloviq, të cilin  Titoja e pati dënuar me pushkatim për vrasjet gjenocidale të bandave të çetnikëve në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, si dhe në Serbi kundërshtarët partizanë dhe familjet e tyre, që luftonin dhe mbështetnin revolucionin antihitlerian.

Mirëpo, ky proces ideologjiko-politik ende nuk ka filluar në Serbi, edhe pas përfundimit të 3 luftërave gjenocidale të saj në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, për shkak se  “Serbia nuk ka përjetuar katarzën”,  siç ka deklaruar Stipe Mesiq  qysh para një dekade, siç theksuam më sipër. Për këtë arsye, Serbia edhe sot vuan nga sëmundja kronike e  politikës serbomadhe dhe fashistoide të Slobodan Milosheviqit. Ky është rreziku potencial që edhe më tej  e kërcënon jo vetëm stabilitetin, sigurinë, pluralizmin demokratik , bashkëpunimin, por edhe paqen në Ballkan.

Presidenti Vuçiq ta “imitojë” Vili Brantin, jo të  ëndërrojë militarizimin dhe fashizimin e shteteve fqnije (Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën)  sipas  doktrinës dhe praktikës së gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë së Slobodan Milosheviqit për rizgjerimin e  kufijve territorialë të Serbisë së Madhe!

Prandaj, Aleksandër Vuçiqi nuk duhet të lejojë vampirizimin e politikës fashiste dhe gjenocidale të Slobodan Milosheviqit dhe të mbështetësve të tij, sepse kjo do të digjte dhe bombardonte Serbinë, ashtu sikurse më 1999, kur  kjo në mënyrë të ligjshme u bombardua nga avionët luftarakë të NATO-s (24 mars – 10 qershor 1999) për t’i shpëtuar mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë në Kosovë nga  krimet e gjenocidit të forcave militare, paramilitare dhe të sigurisë serbe, të cilat, vetëm pas këtij bombardimi “78 ditësh” të NATO-s, qenë të detyruara të braktisin Kosovën. Këtë kapitullim luftarak të Srbisë në Kosovë, e vulosi edhe Marrëveshja e Kumanovës (9 qershor 1999), e nënshkruar nga gjeneralët disfatistë kriminelë serbë të Slobodan Milosheviqit dhe nga komandanti i KFOR-it për Kosovën. Këtë humbje të luftës agresive dhe pushtuese të Serbisë në Kosovë, gjithashtu e konfirmoi, edhe miratimi i Rezolutës 1244  të KS-së së OKB-së, të miratuar më 10 qershor 1999, me ç’rast Kosova përfundimisht çlirohet nga të gjitha forcat okupatore serbe (militarë, paramilitarë dhe policë), dhe, kështu vihet nën protektoratin e forcave paqësore  ndërkombëtare të OKB-së.

  Gjenocidi i Slobodan Milosheviqt e pati shkëputur Kosovën nga Serbia kolonialiste, jo  Amerika e as NATO-ja !

Kjo është e vërteta e paukndërshtueshme (dëshmitar i së cilës isha edhe unë-M.H.)

Në Serbi nuk ka pasur kurrfarë “secesioni” të Kosovës, por ka pasur humbje totale-kapitullim të luftës së Serbisë në Kosovë. Pikërisht, si rrjedhim i luftës gjenocidale serbe në Kosovë, Serbia ka humbur Kosovën-koloninë e saj 100-vjeçare (1912-1999).

Pra, Serbia nuk ka humbur kurrfarë Kosove legjitime e as legale, por vetëm ish-koloninë e saj të dikurshme, të cilën e quan “Kosova e Metohia” (që do të thotë tokë kishtare serbe), gjë që kjo është rrena më e madhe dhe falsifikati më i madh dhe më absurd i politikës, i propagandës,  i diplomacisë dhe i historiografisë serbe në Ballkan, duke qenë se në Kosovë kurrnjëherë nuk është krijuar Serbia as shtetërore e as kishtare, porn ë Mal të Zi, e pastaj në Rashkën e sotme në Serbi.

Serbia e ka humbur Kosovën-koloninë e dikurshme me luftën e saj gjenocidale, jo  me ndonjë “shkëputje” nga NATO-ja, ashtu si po gënjejnë edhe sot serbët, duke u përpjekur që të mashtrojnë Evropën dhe botën për të mbuluar gjenocidin e tyre ndaj kroatëve, boshnjakëve myslimanë në Bosnjë dhe shqiptarëve në Kosovë (1990-1999).

Në Kosovë krimet e gjenocidit ndaj popullit shqiptar u kryen nga ushtria, nga paraushtarakët dhe nga forcat e sigurisë policore serbe, të cilët vranë dhe masakruan më shumë se "11.800" shqiptarë, dhunuan "22.000" mijë gra, rrëmbyen mbi "2.647" shqiptarë, të cilët sot janë të regjistruar si “persona të zhdukur”, si dhe janë dëbuar me dhunë mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova (1999). Këto janë arsyet pse Serbia u bombardua nga pakti i NATO-s (24 mars - 10 qershor 1999) dhe, kështu u mund si fuqi politike dhe ushtarake në Kosovë, jo siç po gënjejnë botën  ultranacionalistët çetnikë, se gjoja "NATO.-ja e shkëputi Kosovën nga Serbia"!?

Kjo është një gënjeshtër e rreme politike dhe propagandistike, sepse NATO-ja gjatë 78 ditëve, duke bombarduar Serbinë fitoi mbi makinerinë ushtarake dhe politike serbe, e cila u detyrua të kapitullonte, kështu që trupat pushtuese serbe e braktisën Kosovën si rrjedhim i bombardimit të aviacionit të NATO-s, ashtu sikurse dikur (6 prill 1941), që u shpartallua ushtria serbo-jugosllave e Milan Nediqit nga aviacioni gjerman i Adolf Hitlerit.

Pikërisht, për shkak të bombardimit të NATO-s, Beogradi e humbi koloninë shekullore-Kosovën. Pra, jo për ndonjë “shkëputje”, siç thonë fashistët e Slobës dhe ultranacionalistët e majtë dhe të djathtë të partive politike në Serbi, këto janë fakte që askush nuk mund t’i kontestojë, sepse “shkëputja” e Kosovës nuk ishte për shkak të bombardimeve të NATO-s., por kapitullimi i Serbisë për shkak të humbjes së luftës gjenocidale kundër shqiptarëve  në Kosovë (1999).

Së fundi, as Vuçiqi, as qeveria, as parlamenti serb e as KOS-i nuk duhet ta kuptojnë dhe keqinterpretrojnë Planin frëngo-gjerman si ULTIMATUM ose si DIKTAT, sepse do të pendohen ashtu sikurse në Konferencën e Rambujesë (1999), do të ngelin me “gishta në gojë” dhe në mëshirën e  Moskës dhe të Pekinit, duke u zhvendosur përgjithmonë nga qendra e interesit gjeopolitik e Evropës Perëndimore dhe nga sfera ndikuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 Vuçiqi ka mbështetjen e Amerikës dhe  BE-së, s’ka çfarë t’I konsultojë  fashistët dhe ultranaionalistët e Slobodan Milosheviqit dhe të Vojislav Sheshelit, sepse ata në vitet ’90 e kanë dëshmuar fytyrën e tyre primitive dhe anticivilizuese, duke kryer 3 gjenocide dhe agresione kundër kroatëve, myslimanëve boshnjakë dhe kundër shqiptarëve. Të gjithë ata i kanë konsumuar të drejtat elementare, që të vendosin për fatin e Serbisë dhe të Ballkanit. Ata nuk kanë kurrfarë të drejte as morale e as ligjore, që të përzihen  as në politikën e brendshme e as të jashtme të Serbisë, sepse 30 vite më parë janë dëshmuar si vrasës të saj, ashtu sikurse të Kroacisë, të Bosnjës dhe të Kosovës. Të gjithë, do të duhej  të jepnin llogari para gjyqeve vendeore dhe ndërkombëtare për kryerjen e krimeve të gjenocidit në Kosovë, në Kroaci dhe në Bosnjë.

Për distancimin nga fashizmi dhe nga gjenocidet e deritashme të forcave militariste, policore dhe paramilitare serbe, që e përflakën Ballkanin (1990-1999), BE-ja ia dha shansin historik jetësor presidentit Aleksandër Vuçiq dhe forcave politike demokratike dhe pluraliste kozmopolite, që përmes Planit frëngo-gjerman, ta transformojë Serbinë në një shtet të demokratizuar, të zhvilluar dhe të përparuar, duke e pranuar  dhe integruar në radhët e saj, ashtu sikurse Kroacinë dhe Slloveninë.

Ndaj, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ( i mbështetur nga BE-ja dhe nga Amerika me Planin frëngo-gjerman) nuk ka pse të  kërkojë “leje” nga recidivat dhe mbështetësit e kryekriminelit Slobodan Milosheviq dhe të Vojisllav Sheshelit, sepse dihet çfarë përgjigje kanë ata, e duan Vladimir Putinin, Aleksandër Llukashenkon…etj., duke “shpresuar” se me ndihmën e tyre, do të prishin ekuilibrin e stabilitetit dhe të sigurisë së sistemit të marrëdhënieve politike ndërkombëtare. Ky do të ishte fataliteti i Serbisë, pavarësisht  sentimentit  historik, kulturor, politik dhe religjioze të  “hemisferës”  danubiane sllave.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".