Degradimi i tokës pjellore dhe dështimi i institucioneve të shtetit!...

Degradimi i tokës pjellore dhe dështimi i institucioneve të shtetit!...
Degradimi i tokës pjellore dhe dështimi i institucioneve të shtetit!...

Ismail Muçiqi

  • 26 January 2023 - 13:31

Shkruan gazetari: Ismail Muçiqi

Asnjëherë Parlamenti i Kosovës që nga pas lufta nuk debatoj për sektorin e Bujqësisë në Kosovë. Kjo nuk arsyetohet me asnjë argument. Shtrohet pyetja? A ka Kosova plan hapësinore dhe sa respektohet ai?!. Vërshimet e fundit dhe dëmet e shkaktuara gjithandej Kosovës qitën në shesh papërgjegjësitë dhe dështimet e institucioneve që nga pushteti lokal deri tek Parlamenti i Kosovës. Toka e bukës për ditë e më shumë po shndërrohet në kantiere të ndërtimit, duke i zvogëluar sipërfaqet e tokës pjellore. Për shkak te kësaj papërgjegjësie drithërat dhe prodhimet tjera bujqësore po i mungojnë popullit të Kosovës gjithnjë e më shumë.

Sot Kosova me sipërfaqet ekzistuese të tokës që punohet arrin ti plotësoj vetëm 48% të nevojave të grurit për industrinë e miellit. Kjo fatkeqësi që po i ndodh gjeografisë së këtij vendi kam frikë se faturën e dëmeve do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme. Degradimet dhe kaosi hapësinor kudo në Kosovë është i pranishëm duke filluar nga shkatërrimi i lumenjve nga kompanitë më të ndryshme të cilat biznes kryesorë e kanë nxjerrjen e zhavarit nga lumenjtë. Lumenjtë e Kosovës   dikur ishin atraksion i vërtetë për qytetarët dhe turistët që vizitonin vendin tone. Këto anomali nuk kanë të ndalur.

Me ndërtimin e liqenit të Ujmanit projekti i të cilit ishte i dizajnuar që përmes sistemin Iber Lpenc të ujiten 28 mijë hektarë sipërfaqe të tokës pjellore, pas lufte jo që u realizuan këto synime por gjatë dy viteve të fundit nga sistemi i Ujmanit janë ujitur vetëm 700 hektarë tokë pune. Institucionet të cilat u morën me menaxhimin e ujitjes si është Agjencioni Iber Lepenc në vend të realizimit në zgjerimin e kapacitetit të ujitjes ata u përkushtuan për interesat e tyre personale nga bordi, dhe drejtorët menaxhues të cilët përmes rrugëve të ndryshme pa sistematizim të vendeve të punës i punësuan të afërmit e tyre miqtë dhe familjarë.

Nëse Parlamenti i Kosovës vazhdon me anashkalimin e kësaj problematike pas 10 viteve sipërfaqet e tokës pjellore do të zvogëlohen edhe më shumë. Të gjitha këto ka ndikuar që sot qytetarët të ballafaqohen me çmimet e larta të miellit, të pemëve dhe perimeve të cilat janë jetike për ekzistencën e popullsisë. Nuk mjafton të thuhet se i kemi rritur subvencionet për sektorin e Bujqësisë, por njëherit Ministria e Bujqësisë dhe institucionet e shtetit duhet analizuar se sa është shtuar prodhimi dhe rendimentet e kulturave bujqësore përmes këtyre subvencioneve me një fjalë sa po përfitojnë qytetarët dhe shteti për ti plotësuar nevojat e ushqimit në përgjithësi. Kjo është gjendja aktuale në sektorin e Bujqësisë dhe blegtorisë ku fondi i kafshëve është zvogëluar për 65%. Keshtu nuk zhvillohet shteti i Kosoves?!.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".