Qeveria me vlerësim pozitiv ndërkombëtar për betejën kundër korrupsionit me aksionet antikrim

Qeveria me vlerësim pozitiv ndërkombëtar për betejën kundër korrupsionit me aksionet antikrim
Qeveria me vlerësim pozitiv ndërkombëtar për betejën kundër korrupsionit me aksionet antikrim

Gani Qarri

  • 02 February 2023 - 15:17

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

 

Fakti i vlerësimit pozitiv për Kosovën, në luftë kundër korrupsionit, i shprehur në raportin e fundit të Transparency Internacional, është raport mjaft inkurajues i cili konstaton se ka progres në këtë fushë, ndonëse shteti i Kosovës ende nuk e ka, plotësisht nën kontroll korrupsionin, pavarësisht luftës, që dy vitet e fundit zhvillohet pareshtur kundër tij.

 

Kosova vlerësohet me 41 pikë, që flet se ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, megjithëse vazhdon të mos e ketë nën kontroll të plotë këtë dukuri, vlerëson raporti i organizatës ndërkombëtare, Transparency International (TI), për vitin 2022.

Ndërsa siç dihet, për vlerësimin e 180 vendeve dhe territoreve të botës, organizata përdor një shkallë prej zero deri në 100 pikë, që donë të thotë nga zeroja, që tregon një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër nga korrupsioni, kurse Kosova në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit radhitet në pozitën e 84, me 41 pikë, që tregon se është ngritur për dy pikë më shumë se në vitin e kaluar, pra një lëvizje simbolike përpara. Kosova, sipas TI, ka bërë përparim edhe me një kornizë të përmirësuar ligjore për financimin e fushatave politike dhe zgjedhore, reforma këto, zbatimi i të cilave do të jetë kyç në muajt e ardhshëm”, theksohet në raport. Po ashtu, notë kaluese Transparency International i ka dhënë edhe ekzekutivit aktual me reformat e filluara ligjore, ani pse ende ka shumë për të bërë në këtë drejtim.  “Qeveria duhet ta përmirësojë transparencën dhe të vijojë të përmbahet nga ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë”, thuhet nga TI, edhe pse vitin e kaluar nuk kanë dalë në pah skandale të korrupsionit.Madje shpenzimet e ulëta buxhetore për investime kapitale në vitet e fundit kanë reduktuar edhe mundësitë për korrupsion në shpërndarjen e kontratave publike – gjë që,në të kaluarën ka qenë problem i theksuar, shton Transparency International. Sipas organizatës TI, rajoni i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi “është i njohur për rezistencën e ulët ndaj krimit të organizuar” e vendet e këtij rajoni, kanë qenë të ngadalshme në adresimin e këtij rrezikum, ku “institucionet përgjegjëse nuk kanë ende burime të mjaftueshme dhe pavarësi”, thuhet në raport. Krahas Kosovës, përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit kanë bërë edhe Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Kroacia është vlerësuar me 50 pikë, tri më shumë se vitin e kaluar; Maqedonia e Veriut me 40 pikë, një më shumë se vitin e kaluar, dhe Shqipëria me 36 pikë, po ashtu një më shumë se vitin e kaluar, por më pak se Kosova, e cila është ngritur për dy pikë! Për aq më tepër në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, ka edhe kthim prapa si Serbia me 36 pikë, apo dy pikë më pak se vitin e kaluar, Mali i Zi vlerësohet me 45 pikë, apo një më pak dhe Bosnje e Hercegovina me 34 pikë, po ashtu një pikë më pak se vitin e kaluar.  Kurse në krye të listës së organizatës Transparency International, për luftimin e korrupsionit, janë Danimarka me 90 pikë dhe Finlanda me 87 sosh, përderisa në fund fare, radhiten Siria me 13 pikë dhe Somalia me 12 pikë. E duke vlerësuar situatën në përgjithësi, raporti në fjalë, thekson se pjesa më e madhe e botës “vazhdon të dështojë në luftën kundër korrupsionit: 95 për qind e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim që nga viti 2017” dhe korrupsioni e ka bërë botën tonë një vend më të rrezikshëm”, ka deklaruar Delia Ferreira Rubio, kryetare e organizatës Transparency International. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi duke u shprehur se zotimi ynë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional është duke dhënë sinjalet e para shumë optimiste,siç dëshmon edhe raportit të Transparency International për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit ku Kosova është përmirësuar për tri pikë dhe 17 vende në renditje. “Derisa qeveritë të cilat nuk kanë arritur të bëjnë përparim kundër korrupsionit, nxisin rritjen e dhunës e të konfliktit dhe i rrezikojnë njerëzit kudo, ndaj mesatarja globale e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit mbetet 43 –pra e pandryshuar për të njëmbëdhjetin vit radhazi. Sipas organizatës, më shumë se dy të tretat e vendeve kanë problem serioz me korrupsionin, duke pasur më pak se 50 pikë, e në këtë grup bëjnë pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kroacisë, anëtare e Bashkimit Evropian, që ka 50 pikë. Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se veprimet e qeverisë së tij po vlerësohen pozitivisht nga Transparency International dhe  zotimi ynë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar institucional, është duke dhënë sinjalet e para optimiste.

Kosova në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International, është ngritur nga pozita 104 në pozitën e 87, duke përmirësuar pozitën e saj për 17 vende, ende pa u bërë një vit nga marrja e detyrës dhe veprimet kundër korrupsionit në Kosovë, po vlerësohen pozitivisht nga organizata më kredibile, gjë që na obligon të punojmë edhe më shumë, derisa Kosova të jetë sa më afër me vendet e pastra nga korrupsioni”, ka theksuar Kurti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".