Jo opozitës-jo"zajednicës"!
Gani Qarri
Shkruan: Gani Qarri
Në fakt siç u shpreh edhe eksperti britanik i marrëdhënieve ndërkombëtare Daniel Smith, e drejta e pavarësisë së Kosovës është njohur tash e mese 13 vite, edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi më i lartë juridik i OKB-së, ndaj pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, është e pa mundur të arrihet marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve me këtë shtet hegjemonist.
Në këtë kontest, fillimisht duhet ti thuhet prerë dhe me vendosmëri, Jo-opozitës, e cila ka marrë turrin e theqafjes, që me çdo mënyrë, mu në prag të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ta vrasë edhe shtetësinë e Kosovës me bosnjëzim, ngase kur i thuhet, jo opozitës, drejtpërsëdrejti i thuhet Jo e madhe edhe “zajednicës”, si fëmijë autentik i lindur nga po kjo opozitë e inkriminuar, marrëveshjeve të kundërligjshme të të cilës edhe sot, po ua shesh sherrin me të madhe, Kosova.
Opozita është ajo që e ka nënshkruar e miratuar edhe në Kuvend "zajednicën", duke bashkuar votat e deputetëve të saj me dorën e zgjatur të Serbisë dhe mashën e Aleksandër Vuçiqit në Kosovë, të ashtuquajturën, “lista serbe”, ndaj sot dëshiron që ta fut me forcë, nën obligimin e bëmave të veta kundërkushtetuese edhe Qeverinë aktuale, e cila nuk ka të bëjë asgjë me "zajednicën" ajo është fëmijë vetëm i opozitës, dhe Qeveria nuk ka asnjë detyrim ndaj saj, nëse Serbia nuk pranon reciprocitet, që edhe shqiptarët nën serbi, të marrinë, atë që do ti ofrohet pakicës serbe në Kosovën e pavarur.
Prandaj, me gjithë turrin e theqafjes, që ka marrë opozita e inkriminuar për formimin me çdo kusht të “zajednicës” vetëm që aktet tradhtare të ish udhëheqësve të tyre, Thaçi& Mustafa, të qohen në vend, për të plotësuar dëshirat e Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, Kosova si shtet shumë i vogël dhe me territorin më të vogël nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk mund të lejojë për asnjë çmim, që vetëm pse dëshiron opozita, Kosova të kantonalizohet përbrenda dhe kthehet në konglomerat zajednicash e minirepublikash, të pakicave edhe ashtu shumë minimale, në krahasim me pakicat në Serbi, FYROM, Mal të Zi etj.
Siç dihet në Serbi, FYROM dhe Mal të Zi, ka, jo një, por disa pakica kombëtare, të cilat janë shumë më të numërta se në Kosovë, madje me përqindje nga 30- 43% të popullsisë së përgjithshme, por që përkundër këtij fakti, asnjëra prej tyre, nuk janë shpërblyer me “zajednica”, minirepublika apo ngrehina një etnike në shtetin ku jetojnë.
Ndaj insistimi i turpshëm i opozitës së inkriminuar, që medoemos pikërisht Republika e Kosovës, e banuar me mese 95-96 % popullsi unike shqiptare, të shkërmoqet duke e shndërruar në konglomerat "zajednicash" serbe, turke, boshnjake, rome, ashkalike, e ndoshta dikur edhe me ndarje në “zajednica” partiake, sipas ndikimit që mund të kenë partitë, në rajone, në mënyrë që shqiptarët në vend të vet, të ngelnin përsëri si qytetarë të dorës së dytë apo të tretë, pa asnjë të drejtë shtetërore dhe fuqi vendimmarrëse, idetë si këto duhet të hidhen kategorikisht poshtë dhe të shpallen edhe ligjërisht të dënueshme.
Për aq më tepër, me nënshkrimin e marrëveshjes kundër kushtetuese dhe miratimin edhe në Kuvend, të një ngrehine të shpifur dhe të paqenë kurrë në trojet tona, si "zajednica" nën dirigjimin e dyshes renegate të krerëve të opozitës Thaçi & Mustafa, opozita e kriminalizuar, në sytë e shqiptarëve, nga ajo datë nuk mund të identifikohet më, me shtetin e Kosovës por me “zajednicën” kundërkushtetuese serbe, që është edhe fëmijë autentik i opozitës!
E duke pasur parasysh dëmin aq të rëndë, që i është shkaktuar shtetit të Kosovës, me nënshkrimet kuislinge dhe miratimin renegat të “zajednicës” edhe në Kuvend, jo vetëm udhëheqësit kuisling të partive të inkriminuara, por edhe deputetët e këtyre partive, të cilët e kanë votuar miratimin e “zajednicës”, duhet të thirren urgjentisht në përgjegjësi penale.
Dhe nga data që kanë votuar “zajednicën”, automatikisht tu hiqet statuti i deputetit, tu ndalen pagat dhe të kërkohet kthimi i mjeteve financiare që kanë marrë, në mënyrë të padrejtë, nga shteti i Kosovës, për arsye se, që nga momenti kur ata kanë votuar “zajednicën”, kanë kaluar në anën e kundërt të historisë dhe praktikisht nuk kanë ngelë më, deputet luajal të shtetit të Kosovës, duke ulur veten në robot votash dhe argat të thjeshtë të “zajednicës” kundërkushtetuese serbe.
Kjo për faktin se pa votat e tyre, përkundër nënshkrimeve renegate të Thaçit e Mustafës, “zajednica” kurrë nuk do ta kishte fuqinë që ka marrë, me të cilën kërcënon hapur, sot më tepër, se kurdoherë më parë, rregullimin e brendshëm kushtetues dhe vazhdimësinë e shtetit të Kosovës.
Një opozitë turpi, e cila edhe në pushtet, ka qëndruar vetëm duke bërë pazare me tokat e Kosovës, duke i falur mbi 2500 hektar tokë të vlershme autoktone të vendit tonë, FYROM-it dhe mese 8300 hektar tjerë shtetit xhuxh të Malit të Zi, madje akti i fundit, vetëm për zënien e përkohshme të karriges së kryeministrit nga Ramush Haradinaj, dhe vendosjen e tij, në krye të qeverisë së PAN-it me president kuislingun Thaçi, i cili nuk hezitoi të kërkonte publikisht ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut me pjesët më vitale të vendit tonë, Serbisë hegjemoniste.
Opozitë që në kohën sa ishte në pushtet, zhvlerësoj edhe vendimin e GJND-së, duke i vendosur fusnotë shtetit tonë dhe kthyer Kosovën në vend me status të pa vendosur juridiko-politik, nënshkroi dy herë marrëveshjen për "zajednicën" duke bashkuar votat edhe me listën serbe për ta miratuar edhe në Kuvend aktin kundërkushtetues për formimin e "zajednicës", si dhe vet kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi i qoi letër edhe sekretarit të NATO-s, se Ushtria e Kosovës (FSK), nuk do të vendosej në veri, pra në pjesën legjitime të territorit të shtetit tonë të lirë e të pavarur, veprime kuislinge të cilat e bëjnë edhe më të pamundshme, që populli i Kosovës, t`ua jap votën dhe falë besimin.
Prandaj, sot nuk është koha as luksi që Kosova ta formojë “zajednicën”, përkundër gjendjes kaotike në të cilën,po kjo opozitë e inkriminuar, e ka sjellë Kosovën në kontekst me Serbinë hegjemoniste, por momenti i fundit, që përveç Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, edhe opozita e inkriminuar, përfundimisht ta kuptojnë se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe njohja e pavarësisë së saj, nga Serbia, nuk është çështje kompromisi, as arsyetim për formim të "zajednicave", por akomodim me realitetin, tanimë të pakthyeshëm në rajon dhe Evropë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".