Loja e vjetër e Aleksandër Vuçiqit është duke vazhduar për të mos i respektuar marrëveshjet që janë nënshkruar- dakorduar

Loja e vjetër e Aleksandër Vuçiqit është duke vazhduar për të mos i respektuar marrëveshjet që janë nënshkruar- dakorduar

Hajrullah Tërnava

  • 04 March 2023 - 09:42

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Përvojat e deritashme me politikat serbe na mësojnë se ato sikur në të kaluarën që Serbia i ka nënshkrua shumë nga vendimet e marra, e që ishin të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët, dhe megjithatë deri më tani nuk janë jetësua ato vendime të nënshkruara, prandaj nga kjo përvojë, dhe nga përvojat në të kaluarën me përfaqësuesit e shtetit serb, tani lindin dyshimet se po vazhdon avazi i njëjtë i mos respektimit të marrëveshjeve të kaluara të arritura në Bruksel nga Serbia, edhe për këtë të fundit më 27 shkurt, për kinse dakordimin dhe pranimin e planit Franko Gjerman në takimin e nivelit të lartë Kurti Vuçiq.

-Pasi dy krerët e shtetit janë kthyer në shtetet e tyre, Vuçiq ka filluar hap pas hapi ti kthehet retorikës së vjetër të mohimit të asaj për çka është dakorduar dhe parimisht e ka pranuar por nga asnjëra palë nuk është nënshkruar. Ai ka thënë se në asnjë rast nuk do të pranon që të flet, të bisedoj dhe negocioj për njohjen e Kosovës as për anëtarësimin e saj në OKB. Vuçiq ishte shumë agresiv në deklarimin para medieve dhe qytetarëve të Serbisë duke u zotuar se pavarësisht asaj për çka janë pajtuar palët në Bruksel, ka diçka që ai nuk do ta bënë kurrë. Vuçiq, tha se Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin e shumë gjërave nga plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por tha se “nuk dua dhe nuk mund të diskutoj për njohjen reciproke dhe hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara”. Ndryshe, sikur që dihet, vetëm tre ditë më parë presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takuan në Bruksel, më 27 shkurt, dhe ranë dakord të vazhdojnë diskutimin për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Presidenti i Serbisë konfirmoi se teksti i planit të publikuar nuk mund të negociohet më dhe se ai është bërë kornizë për procesin e negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ndërsa kur është pyetur për artikullin ku thuhet se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën në organizatat ndërkombëtare, Vuçiq u përgjigj: “Prandaj nuk e firmosa planin”. Gjithsesi se kjo dëshmon lojën e Vuçiqit se do të ketë përpjekje të reja për kushtëzime e shantazhe, për ta dështuar edhe këtë marrëveshje parimore që më 27 shkurt është dakorduar. Vuçiq thotë se megjithatë do të diskutohet për zbatimin e planit dhe paralajmëroi ardhjen e Miroslav Lajçakut së shpejti në Beograd dhe Prishtinë. Ai saktësoi se është i gatshëm të negociojë zbatimin e pjesëve të planit si përfaqësimi rajonal, vulat doganore, qarkullimi i lirë i njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve, kurse derisa është pyetur nëse është koha për të zbatuar pjesën e planit që thotë se anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare nuk do të bllokohet, Vuçiq tha se nuk do të marrë pjesë në zbatimin e “disa gjërave”. Ai po ashtu ka konfirmuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si obligim nga Marrëveshja e Brukselit, nuk është në hartën e zbatimit. Vuçiq tha gjithashtu se plani i BE-së erdhi si ide e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. “Ata sollën një letër. Nuk kishte fare mundësi për negociata.

Ata thanë ‘merre ose lëre’”, tha ai. Sidoqoftë ai ka treguar se para shtetit që e drejton eksitojnë edhe kushtëzime serioze nëse dështon ky procesi I përforcuar me presion për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Vuçiq tha se kur drejtohet shteti duhet menduar për pasojat. “Dhe ata më thanë qartë se refuzimi i planit do të thotë ndalim i integrimit në BE, përfundim i investimeve, ulje e nivelit të punësimit, tërheqje e investimeve. Dhe një sërë masash të tjera gjithëpërfshirëse, duke përfshirë se Serbia do të izolohet nga bota”, ka deklaruar presidenti serb Vuçiq. Lidhur me zhvillimet e fundit, takimin Kurti Vuçiq në Bruksel dhe mos firmosjen e dokumentit për shkak refuzimi nga pala serbe, ka komentuar edhe Profesori amerikan, Daniel Server. Server thotë se fakti që Aleksandër Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruajë për planin Franko-Gjerman e vë barrën e rëndë mbi të. Gjithashtu profesori amerikan thotë se veprimi i Vuçiqit tregon se kanë qenë joefektiv edhe stimujt e dhënë në fillim për ta detyruar që ta nënshkruaj.

Analisti amerikan thotë se BE-ja vendosi të ecë përpara dhe se ajo që ndodhi më 27 shkurt ishte më e mira që mund të bënin. Sipas Daniel Server s’do të jetë e lehtë që Aleksandër Vuçiq të heqë dorë nga kërkesa për Asociacionin, derisa e lë të hapur mundësinë që ai të merret më ndonjë prej dispozitave të tjera që i shkojnë në favor të Kosovës. Ai thotë se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum që Vuçiq nuk e ka nënshkruar marrëveshjen. “Por zyrtarët e Kosovës kanë një mundësi që ta zhvendosin momentin e këtyre bisedimeve në bazë të kësaj marrëveshjeje të panënshkruar”, ka shkruar Server. Po ashtu Server shton se amerikanët dhe evropianët duhet ta pranojnë që strategjia e tyre e të qenit të butë ndaj Vuçiqit ka dështuar dhe se tashmë duhet të hiqen edhe “karotat dhe shkopinjtë”.

Nga gjithë kjo që u tha deri tani, ndërkombëtarët tani duhet të jenë këmbëngulës në ofertën e tyre të planit franko-gjerman që nënshkruesve iu drejtuan që ta marrin ose ta lënë, e që do të thotë se ai i cili nuk e pranon-nënshkruan këtë plan duhet të ndëshkohet nga shtetet e BE-së, sikur që u tha më lartë si për shembull: përfundimin e investimeve në atë shtet, uljen e nivelit të punësimeve, tërheqja e investimeve, e sidomos edhe tërheqjen e liberalizimit të vizave ndaj qytetarëve të atij shteti, e masa tjera që e detyrojnë Serbinë ta pranoj këtë marrëveshje si plan franko-gjerman, prandaj vlerësimet janë se është shanse e mirë që këto bisedime do të sjellin që dy shtetet në bisedime ta pranojnë në tërësi këtë plan, dhe të vjen deri te njohja reciproke mes veti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".