Lista e fryrë trefishuar me veteranët e luftës është lojë e pastër e pa ndëshkuar e krimit të organizuar

Lista e fryrë trefishuar me veteranët e luftës është lojë e pastër e pa ndëshkuar e krimit të organizuar
Lista e fryrë trefishuar me veteranët e luftës është lojë e pastër e pa ndëshkuar e krimit të organizuar

Nexhat Haziri

  • 18 March 2023 - 09:09

Shkruan: ANALISTI - Nexhat Haziri

Zvarritja e gjykimit të aferës se listave të veteranëve të UÇK-së, sa nga njëra gjykatë në gjykatën tjetër dhe vonesat e prokurorisë për plotësim dhe përgatitje të lëndës apo aktakuzave, ka të bëjë me një drejtësi të ndikuar nga politika. Kur them nga politika flas për të akuzuarit dhe pozicionet e tyre politike, qofshin para ngritjes së aktakuzës apo pas saj. Dhe si pasojë e këtij veprimi nga ana e sistemit të drejtësisë në Kosovë, vendit po vazhdohet ti shkaktohen dëme financiare në buxhetin e shtetit, edhe ashtu të varfër dhe në një situatë të krizës ekonomike globale, që natyrisht është prekur jo pak edhe Kosova.

- Manipulimi i listave të veteranëve të UCK-së duke e ngritur numrin e tyre në 60.000, padyshim që është bërë për interesa politike dhe elektorale, por edhe për interesa financiare si formë e krimit të organizuar për të cilin institucionet e drejtësisë po dështojnë qëllimisht për ti dhënë epilog duke e zvarritur këtë aferë.

Dhe kam bindjen se kjo çështje do të zvarritet edhe më tej dhe Kosova do të vazhdoj të paguaj për “çlirimtarët e rrejshëm” tani me status të veteranit të UÇK-së, deri sa politika të heqë dorë nga ndikimi në institucionet e drejtësisë, që për fat të keq nuk po duket se po ndodhë një gjë e tillë as në këtë qeverisje të z. Kurti, pasi e tërë lufta e cila po bëhet në emër të reformave në drejtësi i ngjason asaj në Shqipëri kur partitë politike me ardhjen në pushtet në emër të reformave “çlirojnë” institucionet e drejtësisë nga partia rivale për ti kapur vet, qoftë edhe përmes të të ashtuquajturit VETING, dhe deri sa vazhdon ky fenomeni shqiptar i trajtimit të tillë të institucioneve të drejtësisë, ndikimit politik në këto institucione, jam shumë skeptik që afera me listat e veteranëve do të marrë epilogun e shumë pritur dhe të merituar që abuzuesit të marrin dënimin jo vetëm për dëmin që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit por edhe vetë vlerës së UÇK-së dhe luftës së saj për çlirim.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".