Reforma në sistemin e drejtësisë e rrezikuar nga opozita dhe gjykata kushtetuese e politizuar

Reforma në sistemin e drejtësisë e rrezikuar nga opozita dhe gjykata kushtetuese e politizuar
Reforma në sistemin e drejtësisë e rrezikuar nga opozita dhe gjykata kushtetuese e politizuar

Dardan Grapci

  • 03 April 2023 - 08:08

Shkruan: ANALISTI - Dardan Grapci

Mendoj se rikthimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës në piken zero, nga ana e Gjykatës Kushtetuese, është goditja më e rëndë që ka mundur ti jepet projektit të filluar nga qeveria e Kosovës për një drejtësi të reformuar. Reforma në sistemin e drejtësisë dhe lufta kundër krimit të organizuar ka qenë zotimi kryesor elektoral, pastaj pjesë e programit qeverisës për të cilin qytetarët kanë besuar. Sidoqoftë është pozitive që kjo qeveri është zotuar të vepron me urgjencë për të filluar dhe korrigjuar atë që e ka kundërshtuar gjykata Kushtetuese, për të mos u vonuar me reformën e filluar.

- Për kundër pakënaqësive të shprehura në fillim të publikimit të opinionit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria e Kosovës e ka pranuar atë dhe ju ka nënshtruar vendimit, për të filluar dhe ndërtuar një ligj të ri nga fillimi, duke e korrigjuar të tanishmin dhe rishkruar atë. Është për tu përshëndetur qëndrimi shumë i matur i kryeministri Albin Kurti i cili ka deklaruar se nëse nuk mundësohet formulim me vërejtjet e Kushtetueses, duhet vendim i ri politik për një ligj të ri, pasi i tanishmi është kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Po ashtu është për tu konsideruar qasje korrekte edhe adresimi i saktë i përgjegjësisë, kur kryeministri ka deklaruar se projektligji tash duhet rishkruar nga Ministrja e Drejtësisë duke shtuar se beson që projektligji paraprak, që u hodh poshtë nga Kushtetuesja, të ketë qenë i mire dhe jo i pa pranueshëm dhe në kundërshtim në atë masë që e ka “konstatuar” Gjykata Kushtetuese. Për të pasur një sistem të drejtësisë të avancuar sipas standardeve demokratike evropiane, me legjislacionin e ri duke përfundimisht që drejtësia të shkëputet nga të gjitha format e mundshme të diktateve dhe ndikimeve politike.

Le të besojmë se jo rastësisht kreu i Qeverisë deklaroi se topi tash rikthehet në dikasterin që e ka hartuar ligjin, pra te ministrja Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, e cila me ekipin profesional të ekspertëve duhet ta rishkruan projektligjin. Nëse vërtetë në rastin ë parë ka pasur mangësi të atilla për të cilat edhe është refuzuar ligji nga Kushtetuesja, për ta finalizuar një projekt të ri të këtij ligji duhet të angazhohen ekspertët dhe të ecet tutje. Nëse nuk veprohet me urgjencë për ta ripunuar ligjin e refuzuar, atëherë ka rrezik që Qeveria dhe Kuvendi ta humbin edhe këtë vit në përpjeke të finalizimit të pakos ligjore të reformimit të sistemit të drejtësisë pasi që opozita është pozicionuar për ta kundërshtuar secilën nismë ligjore që ndërlidhet me drejtësinë, duke e shfrytëzuar Gjykatën Kushtetuese dhe përbërjen e saj aspak profesionale dhe të politizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".