Nga konflikti në zgjidhje: Dinamika gjeopolitike lundruese në kërkimin e paqes në Nagorno-Karabakh

Nga konflikti në zgjidhje: Dinamika gjeopolitike lundruese në kërkimin e paqes në Nagorno-Karabakh
Nga konflikti në zgjidhje: Dinamika gjeopolitike lundruese në kërkimin e paqes në Nagorno-Karabakh

Gurakuç Kuçi

  • 05 June 2023 - 12:38

Shkruan: Dr. Gurakuç Kuçi

 Pasojat e luftës së vitit 2020 hapin rrugën për paqe në vitin 2023. Marrja e kontrollit të plotë të Nagorno-Karabakut nga Azerbajxhani shtron terrenin për pranimin e realitetit të ri territorial nga Armenia, me kërkesën për siguri dhe të drejta për armenët etnikë. Ndryshe nga qasja e Serbisë në Kosovë, Armenia kërkon një rrugë tjetër drejt zgjidhjes, duke formuar një dinamikë unike në ndjekjen e paqes së qëndrueshme.

Armenia njeh Azerbajxhanin me territor 86,600 km2 që përfshin edhe Nagorno-Karabakut. Në këmbim, Azerbajxhani duhet të pranoj territorin e Armenisë prej 29,800 km2 dhe ofron siguri për banorët etnikë armenë në Nagorno-Karabakh. Konflikti mes këtyre dy vendeve daton rreth 30 vjet që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Por realisht problemi është 100 vjeçar. Nagorno-Karabakh u bë një çështje e diskutueshme për shkak të veprimeve të vetë BRSS. Më 4 korrik 1921, Plenumi i Byrosë së Kaukazit të Partisë Komuniste votoi për integrimin e Karabakhut në Armeni. Megjithatë, të nesërmen, Stalini ndërhyri, duke vendosur ta mbante rajonin brenda Azerbajxhanit kundër vullnetit të popullsisë së tij kryesisht armene (94% armene). Më pas, në vitin 1923, u krijua zona administrative autonome e Nagorno-Karabakh.

Kjo situatë tërheq disa paralele me historinë e Kosovës se si kjo e fundit u mor nga Shqipëria iu dha Serbisë e më vonë Jugosllavia i dha sa represion aq edhe autonomi e më shumë të parën se të dytën.  Motivimi i Stalinit për këtë vendim ishte kryesisht gjeopolitik. Azerbajxhani është një rajon i pasur me naftë në kufi me Detin Kaspik dhe ka burime të tjera të vlefshme nëntokësore. Duke e mbajtur Karabakhun brenda Azerbajxhanit, Stalini synonte të ruante një prani dhe stabilitet të fortë sovjetik në zonë. Për më tepër, nga një perspektivë etnopolitike, Stalini u përpoq të shmangte krijimin e një precedenti për grupet e tjera etnike brenda Bashkimit Sovjetik, veçanërisht në rajonin e Kaukazit, i cili kishte tensione të shumta etnike dhe potencial për fragmentim të mëtejshëm.  Ky vendim ishte në përputhje me strategjinë e Stalinit për ndërtimin e kombit brenda Bashkimit Sovjetik.

Qëllimi i tij ishte të krijonte dhe përforconte republikat socialiste sovjetike të bazuara në linja administrative dhe etnike. Mbajtja e Karabakhut brenda Azerbajxhanit i lejoi atij të ruante integritetin territorial të republikave sovjetike duke menaxhuar dinamikat e ndryshme etnike brenda rajonit. Kjo qasje ishte në përputhje me politikën më të gjerë sovjetike të kontrollit dhe menaxhimit të diversitetit etnik brenda një kuadri të centralizuar socialist. Në vitin 2020, beteja për rajonin rezultoi në vdekjen e rreth 7,000 ushtarëve. Një betejë e nisur nga Azerbajxhani dhe që përfundoi më fitoren e këtij të fundit.

Kjo betejë zgjati 44 ditë dhe përfundoi me armëpushim pasi Azerbajxhani arriti të marrë kontrollin mbi zonë, por çështja përfundoi kur në korridorin e Laçinit u vendosën edhe 2000 trupa me mandat 5 vjeçar si paqeruajtëse nga Rusia.  Megjithatë muaji maj i këtij viti ka një valë diplomatike për paqe mes dy vendeve. Më 19 maj 2023, të dyja palët u angazhuan në një takim trepalësh në Moskë me Sergei Lavrov, Ministrin e Jashtëm të Rusisë. Gjithashtu, më 14 maj, përfaqësues nga Armenia dhe Azerbajxhani u takuan me Charles Michel, kreun e Këshillit të Bashkimit Evropian. Së fundmi ata kanë pasur edhe një takim me Putinin më 25 maj. Gjatë takimit me Putinin, liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit janë përplasur për çështjen e korridorit të Laçinit, që lidh Karabakun me Armeninë. Armenia akuzoi Azerbajxhanin për vendosjen e bllokadës, ndërsa Azerbajxhani i mohoi këto akuza. 

 Humbja e Armenisë më 2020 dhe zvogëlimi i aftësive të kontrollit mbi zonën, po ashtu edhe humbja e madhe e ushtarëve nga të dyja palët, por edhe një qeveri me një qasje më demokratike në Armeni, krijuan edhe mundësi për realitete të reja. Këtu rol ka luajtur edhe diplomacia perëndimore më shumë se ajo e Kremlinit. Sidoqoftë në këtë proces paqeje, Armenia nuk ka kërkuar asociacion siç bën Serbia për serbët në Kosovë, por në vend të kësaj ka kërkuar siguri dhe mbrojtje për të drejtat e grupit etnik armen që banon në Nagorno-Karabakh. Azerbajxhani merr mbështetje nga Turqia, ndërsa Rusia dhe Perëndimi mbajnë lidhje më të ngushta me Armeninë. Ndërsa ky proces paqeje i afrohet përfundimit të tij, ai pjesërisht do t'i shërbejë interesave të Rusisë në Azerbajxhan. Armenët në Karabakh e perceptojnë Rusinë si një mbrojtëse, duke forcuar lidhjen e Rusisë me Armeninë.

Nga ana tjetër, politika e vazhdueshme e influencës e Turqisë në Kaukaz sugjeron që Armenia mund të lidhet më ngushtë me Rusinë dhe jo me Perëndimin. Rrjedhimisht, Perëndimi do të ketë një interes më të vogël në rajon, pasi megjithëse ka luajtur një rol diplomatik në promovimin e paqes, ai nuk ka mundur të krijojë një politikë gjithëpërfshirëse për partneritete strategjike në vend të aleancave.  Aleancat formohen bazuar në faktorë të tillë si civilizimi, ideologjia dhe gjeopolitika. Nëse të tri kushtet nuk janë të integruara në mënyrë optimale atëherë nuk kemi aleanca por partneritete. Perëndimi aleancë mund të ketë me shqiptarët e Kosovën por jo me Armeninë e Azerbajxhanin që janë “near abroad” për Rusinë. 

*autori është doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe histori e diplomacisë 

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".