Eksperimentimi me fatin e Kosovës!...

Eksperimentimi me fatin e Kosovës!...
Eksperimentimi me fatin e Kosovës!...

Ismail Muçiqi

  • 07 June 2023 - 13:40

Shkruan Gazetari:  Ismail Muçiqi 

 Diplomacia perëndimore që nga çlirimi i Kosovës nuk arriti ta rrumbullaksoj kornizën kushtetuese të integritetit dhe sovranitetit të Shtetit të Kosovës. Më thotë mendja se në marrëdhëniet ndërkombëtare koha po tregon se nuk ka miqësi të vërtetë ka vetëm interes në këtë Botë. Kosova po eksperimentohet plotë qe 23 vite nga diplomatët e ndryshëm të Bashkimit Evropian dhe të fuqive të mëdha të cilët shkojnë e vijnë por nuk përfundojnë asgjë. Kjo po ndodh edhe tani kur Shteti i Kosovës po sfidohet nga politika fashiste serbe përmes bandave kriminale të instaluara në pjesën veriore. Këto banda të cilat kanë kryer krime më të ndryshme në Bosnje në Kroaci e herë pas here në Mal të Zi tani janë aktivizuar për ta destabilizuar Shtetin e Kosovës duke i sinkronizuar aksionet nga kabineti i Vuqiqit dhe i Kishës Ortodokse në Beograd. Është e pashpjegueshme dhe shumë shqetësuese qëndrimi dhe pozicioni i faktorit ndërkombëtarë karshi këtyre bandave kriminale të cilat po i manipulojnë qytetarët serbë përmes inskenimit gjoja se institucionet e Shtetit të Kosovës po e rrezikojnë sigurinë dhe ekzistencën e popullit serbë në katër komunat e pjesës veriore. Në të gjithë Botën u panë skenat kur bandat serbo ruse i sulmuan ushtarët e KFOR-it duke i shkëputur nga rreshti ushtarak 30 ushtarë të NATO-së.

Në vend që të akuzohet dhe dënohet serbia e cila i ka futë duart thellë në destabilizimin e Kosovës diplomatët perëndimorë të cilët janë të thirrur për zgjidhjen e problemit dhe për ruajtjen e stabilitetit në rajon ata po pozicionohen në krahë të Vuqiqit duke i fajësuar institucionet e Shtetit të Kosovës për ngjarjet e fundit, në zbatimin e ligjit dhe të kushtetutshmërisë në territorin e Kosovës. Është befasi për opinionin se si diplomatët të akredituar të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së brenda 24 orëve tri herë i ndërrojnë deklaratat dhe qëndrimet ndaj ngjarjeve të fundit në Kosovë. Koha po tregon se fuqia dhe autoriteti i institucioneve perëndimore është jo inventivë dhe jo mjaft i besueshëm. Mjerisht kësaj gjendje në aspektin negativë po i kontribuojnë edhe vetë partitë opozitare në Kosovë përmes liderëve dhe grupeve të interesit të cilat janë të njohura për opinionin Shqiptarë.

Vetë fakti se përfaqësuesit e partive politike nuk arritën asnjëherë që ti harmonizojmë qëndrimet dhe pikëpamjet për interesin madhorë të Kosovës nuk donë koment. Këto parti të ndihmuara nga disa mediume private të cilat janë të lidhura ngusht me interesat e vjetra bashkë me një numër të ashtuquajturve analistë - opinionist më shumë  po e ndihmojnë Vuqiqin dhe qeverinë në Beograd sesa që po punojnë në interes të Kosovës. Kërkesat për shkarkimin e Albin Kurtit po rikthehen nga të njëjtit njerëz – liderë politikë të cilët në kohën më të errët të pandemisë kur e gjithë Bota u bashkua për ti bërë ballë korona virusit këto parti që tani janë në opozitë u bashkuan për ta rrëzuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në kohën kur në spitalet tona vdisnin me dhjetëra njerëz në ditë.

Kur Kosova nuk ka qenë më e varfër dhe më e hendikepuar në mungesë të klasës intelektuale e cila do të duhej të angazhohet për fatin e Shtetit dhe popullit të Kosovës. Opinioni më në fund duhej të vedisohej dhe të kontribuojë në klasifikimin e figurave politike të cilat duhej te ishin përgjegjëse për gjendjen në Kosovë. Ka ardhur koha që të bojkotohen këto struktura qe janë ne skenën politike të cilat ka kohë që janë konsumuar nga të gjitha vlerat morale politike dhe njerëzore. Kosovës i duhet unitet moral, politikë dhe kombëtarë, e jo kullak e bajraktarë.   

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".