Sanksionet amerikane kundër zyrtarëve të lartë të “REPUBLIKA SRPSKA ”, mesazh paralajmërues i fundit edhe për Vuçiqin

Sanksionet amerikane kundër zyrtarëve të lartë të “REPUBLIKA SRPSKA ”, mesazh paralajmërues i fundit edhe për Vuçiqin
Sanksionet amerikane kundër zyrtarëve të lartë të “REPUBLIKA SRPSKA ”, mesazh paralajmërues i fundit edhe për Vuçiqin

Gani Qarri

  • 03 August 2023 - 07:44

 

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Sanksionimi më i ri nga SHBA, kundër katër zyrtarëve të "Republikës Srpska", dëshmon se më në fund, po fillon një goditje paralajmëruese edhe për vet Aleksandër Vuçiqin dhe krahun e tij kriminal në qeverinë e Serbisë. Madje, ani pse i ardhur paksa me vonesë, ky sanksionim po godet me masa konkrete edhe vet Vuçiqin, në mënyrë që nga faktori ndërkombëtar, të izolohet politika radikale luftënxitëse në Serbi, përmes izolimit të vartësve të Vuçiqit, të nxitur dhe të instrumentalizuar si "dodikët" e "republikës serbe" në Bosnje e Hercegovinë nga Serbia, njëjtë si banditët serb në Kosovë.

- Shtetet e Bashkuara, kësaj radhe, kanë vendosur sanksione, pikësëpari ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga "republika srpska", për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur më 1995 në Dejton të SHBA-ve.

Kurse në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të të ashtuquajturës "republika srpska", Nenad Stevandiq, kryeministri Radovan Vishkoviq dhe ministri i Drejtësisë së këtij entiteti të vendosur mbi gjakun e krimit dhe gjenocidit ndaj boshnjakëve, Millosh Bukejlloviq. Vendimin e vet, Thesari amerikan e bazoi në faktin se zyrtarët e sanksionuar janë përgjegjës të drejtpërdrejtë, për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të “republikës srpska” për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, të pavlefshme në këtë entitet. Por përkundër të gjithave,presidenti serb Aleksandër Vuçiq, përveçse nuk ka reaguar kundër një projekti të tillë, ai edhe i ka mbështetur dhe inkurajuar ata për të vepruar në këtë mënyrë, ndaj SHBA sanksionimin e udhëheqësve të cekur, e arsyetoi se me vendimin e tyre, ata e kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, akt për të cilin do duhej të sanksionohej edhe vet Vuçiqi. Veprime që kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, e bashkë me to, rrezikojnë edhe paqen e fituar me aq mund në Marrëveshjen e Dejtonit, sjellje që kërcënon tërë trajektoren e të ardhmes së shtetit dhe integrimit të suksesshëm në institucionet euroatlantike”, siç ka deklaruar edhe nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Financimin e Inteligjencës, Brian E.Nelson. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Bosnje e Hercegovinës në përpjekjet e tyre për sundim të ligjit derisa të sigurohemi që paqja dhe prosperiteti të mbizotërojnë”, shtoi ai. Prandaj dhe është mese e pritshme që ky vendim ndëshkimi dhe izolimi të ndikojë drejtpërsëdrejti edhe tek qeveria e Serbisë dhe presidenti kriminal serb Vuçiq, i cili është personi kryesor që luan rol tërësisht destruktiv politik në rajon, duke nxitur dhe inkurajuar forcat destabilizuese jo vetëm në Kosovë por edhe në BIH. Për aq më tepër, sikur që dihet tanimë publikisht, presidenti i “republikës srpska”, Millorad Dodik, pikërisht me mbështetjen e Aleksandër Vuçiqit, e ka sponsorizuar edhe ligjin që i shpallë të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e këtij entiteti. Prandaj qysh në korrik të vitit 2017, Thesari i Shtetit amerikan e kishte akuzuar Dodikun se po pengonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, i cili në listën e sanksioneve amerikane, është futur më 5 janar të vitit 2022, kur SHBA edhe e akuzoi atë drejtpërdrejtë,se kishte shkelur, penguar dhe kërcënuar që "Marrëveshja e Dejtonit" të mos zbatohej, si dhe akuzuar se ai është përfshirë edhe në aktivitete korruptive. Pas miratimit të ligjit për shpalljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, të pavlershme në territorin e “republikës serbe”, përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt më 1 korrik, ishte detyruar ta përdorte autoritetin e tij, për ta shfuqizuar dhe dënoi publikisht ligjin e tillë të "srpska-së", i cili tha se minon rendin kushtetues, sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit, por pavarësisht vendimit të Shmidit, më 7 korrik, Dodik e nënshkroi ligjin në fjalë, akt kundër të cilit Vuçiqi, jo vetëm që nuk reagoi, por e përcolli tërësisht në heshtje, sikur mos të kishte ndodhur asgjë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".