Amerika pa shqiptarët, do i cenon ndjeshëm interesat e saja gjeostrategjike e gjeopolitike në Ballkan

Amerika pa shqiptarët, do i cenon ndjeshëm interesat e saja gjeostrategjike e gjeopolitike në Ballkan
Amerika pa shqiptarët, do i cenon ndjeshëm interesat e saja gjeostrategjike e gjeopolitike në Ballkan

Fadil Maloku

  • 03 August 2023 - 13:00

 

Shkruan: Sociologu- Fadil Maloku

Në rast se Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH-i), po edhe segmentet tjera të rëndësishme (jo) vendimmarrëse me qëndrimin e tyre (padyshim!) të prerë (de jure) e zyrtar përkrahin po edhe e imponojnë (de facto) idenë e bosnizimit të Kosovës me pretekstin e ndryshimit të gjeopolitikës (që doli nga lufta e në Ukrainë), atëherë, ad acta, jo vetëm që do e shfuqizojnë gjeostrategjiken e tyre të balancave që u instalua në vitin 1999 për Ballkanin Perëndimor, por, rrezikojnë ndjeshëm përveç aleancës dhe miqësisë me shqiptarët të humbin edhe besimin (blanko) që e kanë ndërtuar ata për Amerikën dhe qeverinë e saj, gjatë tri dekadave të kaluara. Natyrisht, për gjithë këtë “skenar hipotetik apokaliptik”, për Kosovën dhe faktorin shqiptar në Ballkan, nuk e fajësoj vetëm Uashingtonin e as Brukselin (që natyrshëm mbrojnë interesat e tyre nacionale e strategjike), por, injorancën, hipokrizinë dhe mendjelehtësinë e kastës politike kosovare.

E cila për këto tri dekada të tëra miqësinë dhe aleancën me Amerikën e ndërtoj në premisa të gabuara sociale (shkaku i krimit dhe korrupsionit kulmor); e keqkuptoj miqësinë (duke kujtuar që shtetësinë dhe demokracinë duhet të ua ndërtojnë ata); e komprometoj procesin e sovranitetit (shkaku se u vetëkënaq me improvizimin e shtetndërtimit); e kufizoj shtrirjen e ingerencave dhe kompetencave mbi gjithë territorin e saj (duke lejuar pushtete paralele e paramilitare të Serbisë); etj. Thënë edhe më thjeshtë politikanët indolent dhe të shantazhuar (përmes Gjykatës së Hagës; Thaçi me kompani dhe Isa Mustafa përmes skandaleve e korrupsionit) , arritën ta bëjnë hisedarë aktive Serbinë, në sovranitetin edhe ashtu të kufizuar dhe të plogështuar nga trashëgimia e ish administratës së UNMIK-ut.

Tani, nëse vërtetë do ndodh ky ndryshim kursi i politikës së jashtme amerikane (që po themi me supozim se është i ndikuar, nga gjeopolitika dhe agresioni rus në Ukrainë), shqiptarët domosdoshmërish (për mendimin dhe gjykimin sociologjik) do gjenden para dy dilemave; ose të bëjnë koncesione tjera shtesë, (duke ia dhuruar Serbisë veriun Kosovës) dhe të mbesin në kursin e rrethanave të reja; gjeopolitike e gjeostrategjike të aleatëve dhe të bëhen sërish skllevër post modern të Kompanive Transnacionale evropiane. Ose, të vazhdojnë të qëndrojnë stoikisht ndaj gjitha kërkesave e presioneve për koncesione (qē po kërkohen) dhe të shndërrohen edhe faktor destabilizues të rajonit. Duke rënë kështu pre edhe e erërave “kujdestare” të fundamentalizmave e radikalizmave që i “ushqeu” djallëzisht Serbia dhe armiqtë tjerë të lindjes! Amerika, duhet poashtu ta kuptoj faktin se në këtë ri konfigurim hipotetik, emancipimi i sotëm politik e shqiptarëve, përveç rikuperimit të natyrshëm po kërkon përveç vëmendjes edhe faktorizimin dhe protagonizmin e tij; social, ekonomik, po pse jo edhe ushtarak në rajonin e Ballkanit. E në rast, se ky projeksion i faktorizimit dhe protagonizmit të tyre, nuk gjënë mirëkuptim te aleatët dhe miqtë amerikan, jam shumë i bindur se në ketë “derë” miqësie e aleance do trokas dikush tjetër…!? Pra, thënë edhe më thjeshtë; shqiptarët në rast se injorohen e aq me keq anatemohen e stigmatizohen nga po këta miq e aleat, atëherë, frikësohem që ata do të joshen pamshirshëm me “ujërat” e ekstremizmave (nacionalshovenizmit social) dhe aktivizimin e radikalizmave e fundamentalizmave fetar të gjitha llojeve!?)!? Për këtë shkak mendoj se për hire të sigurisë dhe stabilitetit të jo vetëm rajonit perëndimor, po edhe gjithë Evropës, Amerika nuk duhet ta “tëholloj”, por, përkundrazi duhet ta “trash” (lexo; kultivoj e çmoj) e ta stimuloj me kujdesin maksimal këtë aleancë e miqësi padyshim shumë të sinqertë e kredibile nga ana e shqiptarëve…

Pra, thënë edhe më thjeshtë; shqiptarët në rast se injorohen e aq me keq anatemohen e stigmatizohen nga po këta miq e aleat, atëherë, frikësohem që ata do të joshen pamëshirshëm me “ujërat” e ekstremizmave (nacionalshovenizmit social) dhe aktivizimin e radikalizmave e fundamentalizmave fetar të gjitha llojeve!?)!? Për këtë shkak mendoj se për hire të sigurisë dhe stabilitetit të jo vetëm rajonit perëndimor, po edhe gjithë Evropës, Amerika nuk duhet ta “tëholloj”, por, përkundrazi duhet ta “trash” (lexo; kultivoj e çmoj) e ta stimuloj me kujdesin maksimal këtë aleancë e miqësi padyshim shumë të sinqertë e kredibile nga ana e shqiptarëve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".