Bije alarmi për zgjimin e vonuar të Bashkimit Evropian dhe SHBA, për ta luftuar ndikimin luftënxitës rus në Ballkan

Bije alarmi për zgjimin e vonuar të Bashkimit Evropian dhe SHBA, për ta luftuar ndikimin luftënxitës rus në Ballkan
Bije alarmi për zgjimin e vonuar të Bashkimit Evropian dhe SHBA, për ta luftuar ndikimin luftënxitës rus në Ballkan

Gani Qarri

  • 05 August 2023 - 07:46

 

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Raportimi i gazetës prestigjioze gjermane, për ndikimin e madh rus në politikën aktuale serbe, propagandimin në kanalet diplomatike ndërkombëtare në favor të Serbisë dhe rrezikun që paraqet kjo propagandë ruse, për ndezjen e sërishme të konfliktit të ri në Ballkan, duke shfrytëzuar vazhdimin e klimës së tensionuar dhe situatën e pa zgjidhur përfundimisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse nga BE dhe SHBA, nuk ndërmerren me kohë,masat adekuate, është mjaft shqetësuese!

-Kjo situatë e krijuar dëshmon se vërtetë perëndimi po tregohet krejtësisht i pa fuqishëm për ta zmbrapsur ndikimin rus, nxjerr Serbinë nga kthetrat e Putinit dhe shkëputur atë nga dominimi rus, ani pse vazhdimisht është raportuar, për praninë në masë të madhe ruse në Serbi, gjë që është për tu shqetësuar.

Gazeta gjermane «Rheinische Post» alarmon se si Moska po e përhap propagandën me favorin e autoriteteve në Beograd, propagandë kjo që mund të çojë në luftë, si mungese e përgjigjes adekuate nga Perëndimi, kur dihet se Rusia, përveç armëve ka edhe mundësi tjera në dispozicion për të rritur ndikimin e saj në rajon. Madje autori Martin Kessler shkruan se presidenti rus Vladimir Putin në skenën diplomatike po përpiqet me të gjitha forcat, që ti përfitojë edhe vendet të cilat nuk janë deklaruar qartë kundër luftës në Ukrainë dhe se “makina mediatike e Moskës po përhap me shpejtësi të madhe edhe propagandë, e shembull për këtë është Serbia, përndryshe edhe kandidate për anëtarësim në BE. Rreth 60 për qind e aktiviteteve të tregtisë së jashtme të Serbisë zhvillohen me vendet e Bashkimit Evropian dhe dy të tretat e të gjitha investimeve të huaja vijnë nga Evropa Perëndimore dhe vetëm në dy dekada, Brukseli i ka transferuar Serbisë rreth tre miliardë euro ndihmë shtetërore, kryesisht nga arkat gjermane”, shkruan “Rheinische Post”. Por, sado që Perëndimi të interesohet për Serbinë, “presidenti saj Aleksandër Vuçiç udhëheq një politikë jo transparente të “ sharrës” midis aleatit tradicional të Rusisë dhe BE-së e SHBA-së – Vuçiq ndihet i lidhur ideologjikisht me Putinin”, vlerëson autori. Edhe ai ndan ambiciet dhe ëndrrat e tij utopike për një perandori të madhe serbe”,njëjtë si Rusia, kurse Putinin, Vuçiq e sheh si një model,” citon Kessler gazetarin gjerman Thomas Bray, i cili edhe ka raportuar nga rajoni për agjencinë gjermane të lajmeve dpa për më shumë se 40 vjet dhe ka bërë gjithashtu një studim të hollësishëm mbi ndikimin e medieve ruse në Serbi. Sipas atij studimi, gazeta gjermane shkruan se imediat e kontrolluara nga Vuçiqi në Serbi, janë tërësisht në kthetrat e propagandës ruse, e cila inkurajohet nga agjenci si Sputnik Serbia dhe RT Ballkan (ish-Rasha Today). Prandaj raportimet e tilla janë mjaftë serioze të cilat vijnë si Alarm, që flet hapur për mungesën e politikës së koordinuar perëndimore në raport me Serbinë, kur dihet mirëfilli fakti se për dy dekada të pasluftës në Kosovë dhe në ish republikat tjera, perëndimi nuk ka vepruar me rigorozitetin e duhur, për të spastruar dhe dekriminalizuar politikën serbe në pushtet e cila, siç dihet, ka një të kaluar të inkriminuar, të luftës e gjenocidit të pa ndëshkuar asnjëherë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".