KOSOVA SOT një çerek shekulli në shërbim të shtetit dhe qytetarëve

KOSOVA SOT një çerek shekulli në shërbim të shtetit dhe qytetarëve
KOSOVA SOT një çerek shekulli në shërbim të shtetit dhe qytetarëve

Florim Zeqa

  • 06 September 2023 - 07:36

Shkruan: Florim Zeqa

Sa është e lehtë, po aq është e vështirë të përshkruhen me fjalë të gjitha të arriturat dhe sukseset e një çerek shekulli të gazetës Kosova Sot. E lehtë të shkruhet pasi ka mjaftë çka të shkruhet e thuhet, e vështirë për shkak se çka do që të shkruhet e thuhet nuk mund të përfshihen të gjitha në një shkrim autorial.

Lindje e re dhe rritë e shpejtë në kohë të vështira 

Në fund të viteve 90-ta, pas suspendimit të autonomisë së Kosovës dhe fillimit të rezistencës së popullit të Kosovës, në rrethanat e okupimit klasik të Serbisë, 25 vjet më parë, më 12 shtator 1998 u botua numri i parë i gazetës Kosova Sot. Ishte kjo një gazetë ndryshe nga të tjerat. Duke u pozicionuar tërësisht në mbrojtje të interesit nacional, brenda një kohe relativisht të shkurtër, Kosova Sot arrinë të jetë gazeta numër një në vend me infromim real të ngjarjeve dhe zhvillimeve në vend, duke krijuar besueshmëri të plotë tek lexuesit e kohës.

Kosova Sot e dalur në treg si alternativë e informimit të drejtë në kushte lufte dhe të okupimi të egër nga regjimi i Millosheviqit, gazetarët dhe reporterët e gazetës ishin çdo ditë në misionin e tyre fisnik, të informimit të drejtë dhe në mbështetje të plot të luftës së UÇK-së, që në njëfarë forme edhe vetë gazeta u rreshtua me angazhimin e saj në logjistikë të fuqishme të luftës së drejtë për liri, kurse secili gazetar dhe punëtor i gazetës, ishte një ushtar i UÇK-së në rolin që i takonte në mbështetje të luftës, me raportim të drejtë dhe pasqyrim besnik të ngjarjeve nga fronti, duke rrezikuar për të depërtuar në zonat më të thella të luftës dhe nga atje me dëshmi e fakte duke paraqitur ngjarjet besnike, betejat e lavdishme të UÇK-së por edhe krimet monstruoze të regjimit të Millosheviqit mbi popullatën e pa armatosur, duke u hakmarrë ndaj saj në pamundësi të ballafaqimit me grupet e organizuara të luftëtarëve të UÇK-së në frontet e luftës. 

Kësisoji në 6 muajt e parë të botimit në kushte luftë, Kosova Sot u bë halë në sy të pushtetit okupator të Millosheviqit, duke u përcjell hap pas hapi, duke bërë gjithçka për ta pamundësuar dhe ndaluar botimin e saj, për ta krijuar terrin informative i cili kishte filluar me mbylljen e mjeteve publike të informimit.

Kosova Sot lidere dhe idol i qytetarëve dhe vetë ushtarëve të UÇK-s për informim të guximshëm e të drejtë

Gazeta e rreshtuar tërësisht në mbrojtje të luftës së drejtë, nuk hezitoi që hapur ta dokumenton mbështetjen për UÇK-në me rastin e nxjerrjes së kalendarit të vitit 1999, pra më 31-12 1998, dhe 1 e 2 janar të vitit 1999, shkrimet në gazetë dhe kalendari që personifikon ushtarin e UÇK-s dhe përkujton Halit Gecin, mësuesin e vrarë nga ushtria serbe, i cili ngjalli reagim të ashpër nga regjimi. Ministri i atëhershëm i informacionit në qeverinë e Millosheviqit, Aleksandër Vuqiqi, presidenti i sotëm i Serbisë, ka dalur hapur në RTS me ekzemplarin e gazetës dhe kalendarin e publikuar duke kërcënuar me likuidim se nuk do të durohen këto veprime. Kërcënim ky i cili bëhet realitet shumë shpejtë, ku dora e zgjatur e regjimit të Millosheviqit në Prishtinë vendosi për t’ju hakmarrë gazetës Kosova Sot, të cilën e dënoi me 800.000.00 dinarë të rinj, që i bije mbi 500 mije DM.

Mirëpo, asgjë nuk përfundon më kaq, më 18 mars 1999 regjimi serb i hodhi ne aksion policinë dhe e ndaloi botimin e gazetës më të madhe të kohës në vend, Kosova Sot. Pra, gazeta u konfiskua në të gjitha pikat e shitjes në tërë Kosovën, edhe rrjetit të shitjes iu konfiskuan gazetat, edhe nëpër veturat shpërndarëse, duke kërcënuar shpërndarësit e gazetës me jetë, nëse ata do ta haseshin ditën tjetër duke bërë shpërndarjen e saj! 

Por, lufta e regjimit të Millosheviqit kundër gazetës më të madhe në vend Kosova Sot nuk përfundon këtu. Vetëm gjashtë ditë më pas, më saktësisht më 24 mars 1999, në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, vetëm dy orë pasi që filluan bombardimet, përgjigjja e regjimit të Milosheviqit vjen duke filluar me flakë vënien e djegien, shkatërrimin e mbi 3000 metrave katrorë të hapësirave të shtypshkronjës se gazetës Kosova Sot, me pajisjet më të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin edhe shumica e librave shkollor dhe materialeve shkollore në gjuhën shqipe. 

Pra, më 24 mars 1999 regjimi i Milosheviqit zgjodhi pikërisht gazetën dhe shtypshkronjën e gazetës Kosova Sot si të paren e NR. 1 për t’u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi që edhe vetë roli dhe ndikimi i gazetës Kosova Sot ishte një goditje shumë e madhe kundër regjimit kriminel serb të Milosheviqit që nga dita e parë e fillimit të botimit të gazetës më 12 shtator 1998 e deri në ditën kritike të ndalimit dhe të djegies. Dëmi i djegies ishte mbi 5 milionë Euro. Megjithatë Kosova sot nuk është dorëzuar pas këtij akti barbarë, pasi që gjatë kohës së bombardimeve përsëri është riorganizuar për informimin e qytetarëve kosovar, me një redaksi në Shkup dhe një në Tiranë, duke e shpërnda për kosovarët në Maqedoni dhe në Shqipëri, për të mos munguar informimi nga frontet e luftës dhe kauza për të cilën po luftonte populli i Kosovës.

Kosova Sot vazhdon misonin e saj fisnik

Pas përfundimit të luftës gazeta Kosova Sot rifilloj duke vazhduar misionin e saj fisnik në informim të lexuesit besnik, duke raportuar dhe qenë dëshmitare e të gjitha rrjedhave të procesit të ndërtimit të shtetit dhe demokracisë se re, por duke mos hezituar për të denoncuar devijimet, duke afirmuar vlerat e vërteta të procesit të shtet ndërtimit, por edhe duke kritikuar dhe mos amnistuar, por duke denoncuar të gjithë ata që ne emër të meritave të luftës, apo të benefiteve të ndryshme politike, u rreshtuan për tu bërë dorë e zgjatur dhe bashkëpjesëmarrës të instalimit të krimit. 

Misioni për informim të drejtë i gazetës Kosova Sot ka vazhduar edhe në formë e shtypur, po vazhdon edhe tani në versionin elektronik, pa devijuar në misionin e filluar që nga dita e parë kur është botuar. Edhe pse tani më po bëhen 24 vjet nga përfundimi i luftës, dhe përpjekja për ta realizuar të drejtën e dhe edhe përkundër që ne gjykatë është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëme të luftës, e njëjta as që është marrë parasysh dhe as nuk është shqyrtuar nga gjyqësori i instaluar me arsyetimin se nuk janë kompetent, duke udhëzuar që padia të dërgohet në gjykatat e Serbisë në Beograd, ose siç e thonë: "Cjapi të shkoj te Kasapi", sepse sot në krye të shtetit serb e kemi po të njëjtin njeri që ka dhënë urdhër për dënim, dhe shkatërrim, pra Aleksandër Vuçiqi që nga ish ministër i informacionit në regjimin e Millosheviqit, sot është president shteti dhe kontrollon përsëri të gjitha shtyllat e tij. Edhe pse vendi i krimit është bërë ne Prishtinë (Kosovë), gjykatat nuk e kanë parë të drejtë dhe arsyeshme për ta marr parasysh e gjykuar këtë rast për të kërkuar kompensimin e dëmit të shkaktuar, duke udhëzuar që e njëjta padi të bëhet në gjykatën serbe në Beograd.

Kosova Sot, forcë kreativiteti dhe zë i fuqishëm i ndryshimeve shoqërore

Pavarësia editoriale e gazetës nga partitë politike, nga oligarkia e pushtetit dhe grupeve e tjera të interesit, gazetën Kosova Sot e bënë të dallohet nga të përditshmet tjera kosovare.

Pasi drejtuesit e gazetës, stafi redaktorial, gazetarët së bashku me bashkëpuntorët i qendruan besnik misionit të tyre të shenjtë, e të qënurit në shërbim të shoqërisë e jo e pushtetarëve.

Andaj, jo rastësisht ka bërë që Kosova Sot nga një gazetë fillestare e para 25 viteve, falë profesionalizmit të stafit të gazetës, të bëhet sot lidere në gazetarinë kosovare dhe pjesë e pandashme e familjeve kosovare.

Shkrimet e larmishme, gazetaria hulumtuese ndaj fenomeneve negative të qeverisjes së vendit dhe aferave korruptive brenda institucioneve shtetërore, duke kontribuar në sundimin e rendit dhe ligjit, me shkrimet e vazhdueshme, kritike e hulumtuese për fenomenet negative të shoqërisë, ka mishëruar lidhjet e fuqishme me lexuesit e saj.

Gazeta Kosova Sot përveqse ka ndikuar në sensibilizimin e opinionit publik, ka përshpejtuar nevojen e ndryshimeve substanciale në qeverisjen e vendit.

Andaj, jo rastësisht Kosova Sot, jo vetëm që është lidere e gazetarisë në vend, është shndërruar në një medium që përkrahë fuqishëm ndryshimin e kursit qeverisës dhe përmirësimin e mirëqënjes qytetare. 

Kosova Sot lidere e gazetarisë dhe mediumi më kredibil informativ në vendin tonë

Veprimtaria mediatike 25 vjeçare e gazetës Kosova Sot, pavarësisht pengesave, shantazheve dhe sfidave të kohës, asnjëherë nuk e ndali misionin e saj, e të qënurit në shërbim të popullit dhe interesave të shtetit të Kosovës.

Pavarësia editoriale e gazetës nga partitë politike, nga oligarkët e pushtetit dhe grupeve të tjera të interesit, ka bërë që gazeta Kosova Sot të jetë avangardë e shoqërisë e jo e pushtetarëve, partive dhe liderëve të korruptuar partiakë. Ruajtja e pavarësisë editoriale, lufta e pakompromis dhe e pandërprerë e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha institucionet shtetërore, në dy nivelet qeverisëse (qendror dhe lokal), në sistemin e dështuar të drejtësisë vendore, skandalet e njëpasnjëshme të mafi-oligarkëve dhe pushtetarëve pa dallime partiake përgjatë këtyre 19 vjetëve ka bërë që Kosova Sot të jetë lidere në gazetarinë kosovare dhe avangardë e ndryshimeve pozitive në vend. Komunikimi i përditshëm gazetës Kosova Sot me lexuesit dhe opinionin publik, përveçse mbështetje, ka krijuar besueshmëri, ndershmëri reciproke dhe lidhje të fuqishme emocionale, gjë e cila ka ndikuar në ecjen dhe zhvillimin e hovshëm të saj! 

Të gjitha këto suksese të gazetës vijnë si rezultat i besueshmërisë dhe lidhjeve të fuqishme që ka krijuar gazeta me opinionin publik kosovar, duke qëndruar gjithnjë në shërbim të kërkesave të lexuesve besnikë të saj.

Në pritje të rikthimit të gazetës së printuar (shtypur)

Në fund edhe dy fjalë si bashkëpuntor afro 10 vjeçar i gazetës Kosova Sot. Në këtë medium e gjeta një ambient krejt tjetër; një ambient të ngrohtë dhe familjarë, një bashkëpunim të sinqertë dhe reciprok, një frymë unifikuese dhe tolerante.

Sikurse çdo punë tjetër, edhe ajo e gazetarisë i ka vështirësitë dhe sfidat e saj. Ndihma e stafit dhe kolegëve në tejkalimin e vështirësive të shfaqura në disa raste gjatë bashkëpunimit, përveqse nxori në sipërfaqe profesionalizmin dhe aspektin human të bashkëpunimit, forcoi edhe më tepër lidhjet tona, duke dëshmuar kështu raportet e shkëlqyera kolegiale.

Si bashkëpunëtorë i jashtëm i gazetës (nga Italia), duhet t’iu përcjelli një kërkesë të lexuesve nga mërgata e jonë, të cilët pas prezantimit të çdo aktiviteti të mërgatës sonë, pyetjen e parë që ma bëjnë bashkatdhetarët është kjo; “Kur botohet dhe ku mund ta gjejmë gazetën e Kosova Sot?

Lexuesit e rregullt e presin që sa më parë ta kenë në dorë përseri gazetën e printuar, për të pirë kafenë e mëngjesit duke e shfletuar gazetën e tyre të preferuar. Eshtë detyrë dhe obligim i institucioneve shtetërore që të bëjnë subvencionimin e shtypit ditor siq e bëjnë të gjitha shtetet e lira dhe demokratike.

Urojë që Kosova Sot të jetë gazeta e parë e printuar që do të bie në dorën e lexuesve në Kosovë, trojet etnike dhe Diasporë.

Urime 25 vjetori i gazetës Kosova Sot në radhë të parë lexuesve, editorit, stafit redaktorial, të gjithë gazetarëve dhe bashkëpuntorëve, duke ju dëshiruar rrugëtim të suksesshëm drejt realizimit të aspiratave të përbashkëta për një shoqëri të civilizuar dhe prosperuese në Republikën e Kosovës.