DASh do të hetojë nëse janë përdorur Humvee’it amerikanë gjatë stërvitjeve të grupit terrorist të Radojiçiqit

DASh do të hetojë nëse janë përdorur Humvee’it amerikanë gjatë stërvitjeve të grupit terrorist të Radojiçiqit

A.P

  • 03 October 2023 - 21:15

Njohësi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Westminster, Aidan Hehir ka thënë se automjetet që u panë në pamjet e publikuara nga ministri i Brendshëm Sveçla dhe drejtori i Policisë të dielën janë Humvee amerikanë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas tij, terroristët duket se i kanë përdorur këto automjete kur janë stërvitur para sulmit terrorist.

Eksperti britanik ka shkruar se “departmenti amerikan i Mbrojtjes nuk do të jetë i lumtur që Serbia i ka përdor këto automjete për të trajnuar terroristë?”.

Hehir ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shumë për të shpjeguar.

“Makinat duken sikur ‘Humvee’ amerikanë. Sigurisht, Departamenti i Mbrojtjes nuk do të jetë i lumtur që Serbia i ka përdorur për t’i trajnuar terroristët makinat që iu dhanë donacion nga SHBA? Vuçiq ka shumë për të shpjeguar”, ka shkruar ai. Ndërkohë, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka konfirmuar se kjo çështje tashmë po shqyrtohet nga autoritetet e SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisje të ofruara nga SHBA kudo në botë. Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Departamentit Amerikan të Shtetit

Ndërkohë 19 automjetet e dhuruara të SHBA-së për Serbinë në vitin 2017 të tipit “Humvee” sipas autoriteteve serbe do të ishin në dispozicion të Brigadës së III-të të ushtrisë serbe.

(Kosova Sot Online)