Angazhimi i drejtpërdrejtë i SHBA-ve është çelësi i arritjes së një marrëveshje të balancuar

Angazhimi i drejtpërdrejtë i SHBA-ve është çelësi i arritjes së një marrëveshje të balancuar
Angazhimi i drejtpërdrejtë i SHBA-ve është çelësi i arritjes së një marrëveshje të balancuar

Gani Qarri

  • 16 October 2023 - 07:51

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Opsion i vetëm i ringjalljes së dialogut Kosovë-Serbi, i dështuar nga BE, mbetet vetëm te aktivizimi i fuqishëm dhe pa kompromis i SHBA-ve, për ta quar përpara procesin dhe finalizuar atë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila brenda saj, do ta ketë njohjen e ndërsjellë.

-Në një deklarim të tij, gjatë mbajtjes së të ashtuquajturit “Forum i Sigurisë në Beograd”, ambasadori amerikan në Beograd, Cristofer Hill, ka thënë se çështja me Kosovën është më komplekse sesa vetëm njohja e saj nga Serbia, duke shtuar se është e nevojshme që fillimisht të kuptohet se çfarë ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen, dhe pas kësaj të pasojë edhe deskalimi.

Kjo dëshmon edhe njëherë më tepër, se opsion i vetëm i ringjalljes së dialogut Kosovë-Serbi, i dështuar nga BE, mbetet vetëm te aktivizimi i fuqishëm dhe pa kompromis i SHBA-ve, për ta quar përpara procesin dhe finalizuar atë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila brenda saj, do ta ketë njohjen e ndërsjellë. Angazhimin e drejtpërdrejtë të SHBA-ve, e bënë edhe më të domosdoshëm, fakti se veçanërisht ambasadori amerikan në Serbi, përveç shprehjeve tjera tendencioze, kundër shtetit të Kosovës, ai vijon ta lavdëroj emisarin e BE-së Miroslav Lajçak i cili më tepër vepron si përfaqësues i Serbisë se sa si ndërmjetësues në dialog, madje Hill, thotë se kinse Miroslav Lajçak, ka sjellë elementet e duhura në tavolinën e negociatave dhe ato duhet të ecin përpara.

“Duhet të ulemi dhe të gjejmë atë që është e drejtë. Sipas tij, negociatori (Lajcak) ka sjellë një lloj statusi për serbët në veri, si "asociacioni i komunave me shumicë serbe", në këmbim të një ndërkombëtarizimi më të madh për Kosovën, që të dyja palëve u nevojitet dhe mendoj se këto janë elementet e duhura në tavolinë dhe tani për tani kjo është rruga e duhur për të ecur dhe shpresoj se mund t’ia dalim” ka thënë ai. Hill tha se është e nevojshme të inkurajohen të dyja palët që të dëgjojnë njëra-tjetrën, duke theksuar se është e vlefshme të kemi mirëkuptim të ndërsjellë. Ai komentoi gjithashtu se shumë besojnë se është detyrë e ShBA-së të ofrojë vende në Bashkimin Evropian, e vendi nga vjen, tha se mbështet atë që BE-ja po bën dhe po përpiqet të bëjë në rajon.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që BE dhe ShBA të përpiqen të gjejnë një mënyrë për të mbështetur njëri-tjetrin së bashku dhe që Ballkani të jetë aty ku e ka vendin gjeografikisht. Ka shumë kushte normative dhe kjo është e kuptueshme sepse në çdo klub të mirë duhet të ketë disa standarde, prandaj mendoj se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të bëjnë gjithçka për t’i arritur ato”, tha ambasadori, duke shtuar se këto kushte ndonjëherë janë të vështira. Hill u shpreh gjithashtu se ai nuk mendon që Rusia ka shumë për të ofruar në këtë rajon. “Nuk kam asnjë dyshim se ky vend dhe vendet e tjera të rajonit duhet të anëtarësohen në BE dhe NATO. E ardhmja e tyre është atje dhe nuk ka rrugë tjetër, nuk ka alternativë dhe sigurisht që nuk është Moska.

Sa më shpejt që njerëzit ta kuptojnë këtë, aq më shpejt do të arrihen ato qëllime”, dhe sa herë që sheh më shumë trupa të NATO-s, e di se ata do të kontribuojnë për zgjidhjen, duke kujtuar vizitën e Admiralit Munsch dhe paralajmëruar vizitën e të dërguarve ndërkombëtarë në rajon në ditët në vijim, që sipas tij, flasin për përpjekjet dhe rëndësinë e zgjidhjes së situatës në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".