Pasiviteti i jetës publike, shoqërore - kulturore nëpër fshatrat tona?!...

Pasiviteti i jetës publike, shoqërore - kulturore nëpër fshatrat tona?!...
Pasiviteti i jetës publike, shoqërore - kulturore nëpër fshatrat tona?!...

Ismail Muçiqi

  • 08 November 2023 - 13:55

Shkruan: Gazetari: Ismail Muçiqi

  Po ndodhin fenomene të ndryshme në jetën e përditshme. Pothuajse gjithandej fshatrave dhe vendbanimeve nëpër Kosovë po mbizotëron një heshtje, një pasivitet i jetës shoqërore, publike që nuk ka ndodhur më parë. Që nga fillimi i proceseve demokratike, kur filloj pluralizmi në Kosovë partitë politike asnjëherë nuk arritën të krijojnë atmosfere mobilizuese në organizimin e jetës nëpër fshatrat tona. Janë të rralla tubimet nëpër qendrat e fshatrave dhe vendbanimeve ku qytetarët do duhej të debatonin për hallet, problemet më të ndryshme, kërkesat për transformimin e një jete më të mire që e kërkon koha. Është e dhimbshme për qytetarët të cilët jetojnë me halle dhe probleme të ndryshme, probleme këto të cilat kërkojnë zgjidhje. Partitë politike të qakorduar aktivizohen vetëm atëherë kur vijnë zgjedhjet, dhe këtu përfundon komunikimi me bazën deleguese. Këto parti nuk janë të vetëdijshme apo nuk qajnë hallet se jeta në fshatrat tona është e përditshme. Andaj takimet, mbledhjet janë të nevojshme për të debatuar dhe për ti zgjidhur problemet që ndodhin gjithandej ndërmjet njerëzve. Ky pasivitet po e rëndon jetën e qytetarëve.

Sot rrallë kush apo fare njerëzit nuk dine kujt ti drejtohen në fshat apo Bashkësi Lokale për të kërkuar ndonjë këshillë apo për ta zgjedhur ndonjë problem që e rëndon individin familjen apo fshatin. Rrallë kush ka njohuri nëpër fshatrat tona apo e din se kush është përfaqësues i lagjes, i fshatit apo kush është Plaku i Katundit apo Këshilli i Pajtimit. Këtë gjendje e kanë krijuar partitë politike të cilat gjithë energjinë e tyre e kanë përqendruar në kabinetet e tyre partiake qendrore, duke e vjelur votën e qytetarëve për interesat e tyre personale, grupore apo partiake. Askush nuk skuqet për premtimet e rreme që gjatë zgjedhjeve duke u premtuar votuesve se do të gjindet afër tyre për ti zgjedhur hallet dhe problemet që e rëndojnë qytetarin. Nuk është qudi që shpeshherë nëpër fshatrat tona ndodhin mosmarrëveshje dhe probleme më të ndryshme deri tek qërimi i hesapeve ndërmjet njerëzve. Po qka ndodh?: njeriu me halle dhe derte nuk din kujt ti drejtohet. Pasi që jeta dhe aktivizimi qytetarë nëpër fshatrat dhe Bashkësitë Lokale është në fund të pusit e mos të themi në zero. Kjo gjendje po krijon probleme në jetën e përditshme.

Edukata dhe arsimimi janë për tu dëshiruar. Nga kjo amulli e pasivitetit shoqërorë dhe qytetarë po lindin dukuritë negative eksese të ndryshme, sjellja delikuente e të rinjve deri tek konsumimi i substancave narkotike (drogës) dukuri që e shkatërron familjen dhe rrethin shoqërorë. Se deri kur do të vazhdojë ky liberalizëm i papërgjegjshëm i njerëzve që mirën me jetën politike nuk po dihet. Por pasojat do të shihen më vonë. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".