Hap pas hapi, Serbi do të kushtëzohet për anëtarësim në BE me kushtin më serioz, njohjen e pavarësisë së Kosovës

Hap pas hapi, Serbi do të kushtëzohet për anëtarësim në BE me kushtin më serioz, njohjen e pavarësisë së Kosovës
Hap pas hapi, Serbi do të kushtëzohet për anëtarësim në BE me kushtin më serioz, njohjen e pavarësisë së Kosovës

Gani Qarri

  • 05 December 2023 - 21:55

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

 

Këshilli i BE-së, tanimë ka zyrtarizuar edhe publikisht kërkesën, që rruga e Serbisë për integrim në BE, të lidhet drejtpërsëdrejti me normalizimin e raporteve me Kosovën, andaj me kushtin e paralajmëruar të BE-së, duket se vërtetë ngadalë, por sigurt, Serbisë po i ngushtohet mundësia e integrimit në BE dhe kthehet në një proces një kahesh, që detyrimisht do të qojë në njohjen reciproke në mes të dy shteteve të pavarura.

 

Për aq më tepër, Këshilli Evropian do t’i kërkojë Komisionit Evropian që të paraqesë urgjentisht një propozim për ndryshim dhe plotësime në kriteret nga Kapitulli 35, në negociatat për anëtarësim të Serbisë në BE, i cili në këtë kapitull negociues do të përfshij Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe aneksin për zbatimin e saj. Madje, mediumi serb N1, që thuhet se kishte pasur qasje në draftin e konkluzioneve të liderëve evropianë të përgatitura për samitin e ardhshëm, raporton për këto sekuenca nga ky draft, i cili pretendon se edhe afati për përmbushjen e tij, është fundi i janarit 2024. Me të njëjtin dokument siç raporton N1, liderët evropianë do t’i bëjnë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e saj të Ohrit pa vonesa dhe parakushte të mëtejshme, duke përmendur se kjo vlen për të dy palët. “Këshilli i BE-së mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draft-statutin e marrëveshjes paraqitur palëve nga ndërmjetësi i BE-së, me mirëkuptimin se është e nevojshme të punohet më tej mbi këtë bazë”, shtohet në dokument, por gjithashtu shpreh keqardhjen për mungesën e zbatimit të tij në terren. Kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së përkujtojnë se normalizimi i marrëdhënieve mes dy palëve dhe zbatimi i detyrimeve nga dialogu janë kushte thelbësore në rrugën evropiane dhe paralajmërojnë se të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit. Derisa Qeveria e Kosovës është treguar e gatshme për ecje përpara, duke kërkuar nga Serbia vetëm nënshkrimin e marrëveshjeve që presin të zbatohen, si garanci për obligimin që merr, kushtet për Serbinë, thuhet se janë edhe më serioze. “Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së presin që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për arrestimin e autorëve të sulmeve ndaj qytetarëve, ushtarëve të KFOR-it, organeve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve gjatë demonstratave të 29 majit, si dhe ti dorëzojë autorët e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në veri të Kosovës. Këshilli Evropian përsërit se nuk ka arsyetim për dhunën, dënon ashpër aktet e dhunshme dhe shpreh keqardhjen që Serbia nuk ka marrë masa të mjaftueshme në këtë drejtim. Në të njëjtin dokument, Këshilli i BE-së shpreh shqetësimin për grumbullimin e forcave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. “Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre të vazhdueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione e dhunë dhe të ndalojnë retorikën përçarëse”, thuhet në draftin të konkluzioneve të Këshillit Evropian. Këshilli Evropian mirëpret që Serbia ka ndërmarrë “disa hapa” në drejtimin e duhur, duke përfshirë inkurajimin publikisht të serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, por shton se duhet të inkurajojë serbët e Kosovës që të kthehen në institucionet që i kanë braktisur. Udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së përkujtojnë konkluzionet e tyre të mëparshme se dështimi për të qetësuar situatën në terren do të ketë pasoja dhe i referohen deklaratës së mëparshme të kreut të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, se është gati të vlerësojë më tej masa ndaj Serbisë dhe Kosovës, nëse është e nevojshme. Ky draft është pjesë e versionit të parë të projekt-konkluzioneve që duhet të finalizohet dhe miratohet nga ministrat e çështjeve evropiane të vendeve anëtare të BE-së në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme më 12 dhjetor, dhe më pas të konfirmohet nga drejtuesit brenda Këshillit Evropian, në samitin e fundit të rregullt të vitit, i cili është planifikuar për 14 dhe 15 dhjetor në Bruksel. Prandaj dhe pritet që dokumenti në fjalë, të miratohet pa ndryshime të mëdha, kurse një ditë më vonë, pra më 13 dhjetor, do të mbahet në Bruksel edhe samiti, BE-Ballkani Perëndimor, ku pritet të marrin pjesë liderët e të gjitha vendeve të rajonit.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".