Mandati i dytë i Blerim Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale, edhe një hap tutje për ta vazhduar bërjen e avokatisë në shërbim të krimit të organizuar

Mandati i dytë i Blerim Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale, edhe një hap tutje për ta vazhduar bërjen e avokatisë në shërbim të krimit të organizuar
Mandati i dytë i Blerim Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale, edhe një hap tutje për ta vazhduar bërjen e avokatisë në shërbim të krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 12 December 2023 - 20:44

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

 

Emërimi i serishëm i Blerim Isufajt, edhe për një mandat të ri në krye të Prokurorisë Speciale të Kosovës, mjerisht dëshmon përjashtimin e qëllimshëm të konkurrencës së drejtë e reale, mungesën e madhe të kuadrove meritor dhe një skenar tjetër të enkas, të paramenduar, nga nëntoka kriminale, me qëllimin e mbrapsht, për ta deformuar edhe më tepër dhe penguar e zhagitur sa më gjatë spastrimin dhe reformimin e sistemit të kalbur të drejtësisë në Kosovë!

 

 

Një veprim tejet i dyshimtë, i cili dëshmon edhe njëherë më tepër, se në Kosovë, edhe në shekullin XXI, akoma kemi një sistem totalisht të dështuar e gati inegzistet dhe të lidhur fort dhe shumë thellë me nëntokën e krimit të organizuar, ndoshta jo vetëm me atë në vend, por edhe më gjerë. Emërimi i serishëm i Isufajt, hedh dyshime të mëdha edhe për përgatitjen dhe inteligjencën e kuadrove në këtë sektor, e me këtë rast të vet zgjedhësve mjeranë, përndryshe nuk ka se si të shpjegohet shpërblimi i përsëritur me këtë pozitë për të njëjtin person, si Blerim Isufajn, që në fakt duket hapur, se vije si kundërpërgjigje e qëllimshme, për kompensimin e humbjes së betejës në luftën e pistë, për kryeprokuror të shtetit me manovrime të kalkuluara, të kritikuara publikisht nga shoqëria civile dhe nga përfaqësitë e huaja në Kosovë. Në fakt, pozitën e kryeprokurorit e kanë pamundësuar refuzimet e argumentuara publike, për mos-dekretim nga ana e Presidencës, Qeverisë dhe Ministrisë së drejtësisë, që së bashku me Shoqërinë civile dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në Kosovë dhe ambasadat më të fuqishme të shteteve mike në vendin tonë, që nga fillimi e patën monitoruar katapultimin e paligjshëm dhe të manipuluar për kryeprokuror të shtetit, duke i dhënë argumente të fuqishme edhe presidentes për ta refuzuar dekretimin e kandidaturës së manipuluar të Isufajt, nga KPK. Prandaj Ministria e Drejtësisë, duhet të shoh të gjitha mundësitë ligjore, për të mos lejuar kandidatë të imponuar, por në pozita të tilla të larta, të emërohen kuadro të merituar, dhe jo persona të riemëruar qëllimshëm, si kundërpërgjigje për mos dekretimin e tij, për kryeprokuror të shtetit. Përndryshe mbetja edhe një mandat e Blerim Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale, do të jetë shumë e dëmshme, kur dihet fakti se pikërisht kjo prokurori, është ajo që për paaftësinë dhe turpin e saj, deri më tash nuk ka të fituar asnjë rast të aferave më të mëdha kriminale. Afera të cilat kanë defiluar publikisht, por kanë dështuar me turp, të zgjidhen e fitohen nga Prokuroria Speciale, në proceset maratonike gjyqësore, sepse pikërisht në këto raste kaq të rënda, duket se qëllimisht janë caktuar prokuror të kapur të cilët dyshohet se në vend të grumbullimit të argumenteve, kanë dëmtuar edhe provat autentike, duke ja bërë vet, avokatinë më të fortë, krimit të organizuar. Një storie tjetër e dështuar gjatë mandati të deritashëm të Blerim Isufajt në krye të Speciales është edhe bllokimi dhe mos procedimi i deritanishëm, i dosjeve të krimeve serbe dhe dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia në Kosovë, një histori kjo edhe më e dhimbshme dhe tërësisht e pa falshme, e cila vetëm në këto dy vitet e fundit ka filluar, të aktivizohet vetëm në raste të caktuara specifike dhe duke shpalosur procedurat e ndjekjes së ndonjë rasti të izoluar. E për aq më keq, ka dyshime se mbase edhe këto, po bëhen me porosi speciale, dhe vetëm si raste të seleksionuara, që edhe ashtu shihet qartë, se nuk po trajtohen me masat e nevojshme ligjore dhe veprime të vendosura e serioze të ndëshkimit mbi bazën e ligjit, por po numërohen sa për statistika që në fakt, duket se përsëri janë, veprime të ndërmarra seleksionuese, vetëm në funksion të grupeve të caktuara të interesit, gjë që është për tu dënuar në mënyrën më të rëndë ligjore, kurse personat që qëndrojnë prapa tyre, të marrinë dënimet meritore me përjashtim nga puna dhe gjykime me shumë vite burg!

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".