Blerim Isufaj urgjentisht duhet larguar nga pozita e Kryeprokurorit Special, skandalin me kryeterroristin Milan Radojçiq vetë e ka krijuar dhe pa pikë turpi e ka pranuar

Blerim Isufaj urgjentisht duhet larguar nga pozita e Kryeprokurorit Special, skandalin me kryeterroristin Milan Radojçiq vetë e ka krijuar dhe pa pikë turpi e ka pranuar
Blerim Isufaj urgjentisht duhet larguar nga pozita e Kryeprokurorit Special, skandalin me kryeterroristin Milan Radojçiq vetë e ka krijuar dhe pa pikë turpi e ka pranuar

Gani Qarri

  • 03 January 2024 - 20:21

Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri

Me heqjen konspirative të fletarrestit ndaj kryekriminelit Milan Radojçiq, përmes akteve terroriste të të cilit, Serbia për mbi 20 vjet ka penguar hapur rendin juridik dhe kushtetues në veri të vendit, duke cenuar jo vetëm individët por edhe popullin dhe shtetin e Kosovës, akte për trajtimin e të cilave, është e thirrur pikërisht Prokuroria Speciale dhe kryeprokurori i kësaj Prokurorie, që për habi, jo vetëm nuk dëshiron ta dijë se veriu i Kosovës dhe siguria kombëtare nuk janë vetëm çështje të ftohta juridikopenale të një kryeprokurori si Blerim Isufaj, por çuditërisht edhe lë pa mend një popull të tërë, kur me lehtësinë e krejt botës, thotë se vetëm ai i di arsyet, pse i ka hequr fletarrestin një terroristi si Millan Radojçiq.

 

 

Me deklarata të tilla zyrtare, të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufajt, të dhëna publikisht, para mbarë opinionit vendor e ndërkombëtar, se vet ai ishte urdhërdhënësi i tërheqjes së fletarrestit kundër terroristit dhe kryebanditit në veri të Kosovës Millan Radojçiq dhe "lavdërimin" sa të frikshëm, po aq edhe monstruoz, se pa miratimin e tij, urdhërarresti kundër Millan Radojçiqit, nuk ka mundur të tërhiqet, dëshmoi katërçipërisht, se në çfarë rreziku grandioz janë kthyer për ligjin, qytetarët dhe vet shtetin e Kosovës, kryeprokurori dhe tërë KPK, që jo vetëm nuk e kanë shkarkuar Blerim Isufajn, menjëherë pas kësaj deklarate, por, po të njëjtin njeri, e kanë propozuar dy herë edhe për kryeprokuror të shtetit, akt i cili nuk guxon të tolerohet për asnjë minutë më tej, dhe urgjentisht edhe vet KPK duhet të thirret në përgjegjësi të përshpejtuar ligjore dhe penale. Njeriu i cili pa pikë hezitimi dhe pa asnjë fije turpi e droje edhe zyrtarisht e pranoi, se ai ishte urdhërdhënësi i tërheqjes së fletarrestit kundër paramilitarit terrorist dhe kryebanditit të veri-ut të Kosovës, që ishte në kërkim penal të organeve të sigurisë së shtetit të Kosovës dhe akuzohej paraprakisht për vrasje kriminale, i mbështetur nga KPK, edhe sot vazhdon ta keqpërdorë pozitën e lartë e të pa merituar, zyrën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe vet këtë institucion kaq të rëndësishëm të shtetit, në mënyrën më flagrante, për t`ia bërë avokatin krimit të organizuar. Blerim Isufaj, duke urdhëruar tërheqjen e fletarrestit dhe vërtetuar publikisht dhe pa fije droje as turpi, se pa miratimin e tij, urdhërarresti kundër Millan Radojçiqit, nuk ka mundur të tërhiqet!!-, atij që tanimë ka pranuar publikisht se bashkë me shumë kriminel tjerë, janë involvuar direkt në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023,por kundër të cilit as pas më tepër se tre muajsh, Prokuroria Speciale nuk ka ngritur aktakuzë, nuk guxon në asnjë mënyrë, ta turpëroj edhe më tej, në mënyrë kaq të rëndë, një shtet dhe popull sovran, akt për të cilin, tërë KPK është fajtore dhe duhet të vendoset në bankën e të akuzuarve. Përplasjet e fundit të Blerim Isufajt me Kryeministrin Kurti dhe ministren e drejtësisë Albulena Haxhiu, pas kritikave të tyre drejtuar dështimit të Prokurorisë speciale për ngritjen e akuzave kundër grupeve kriminale në veri të Kosovës, janë edhe një dëshmi më tepër, që flet qartë, se në krye të këtij organi të rëndësishëm, është duke qëndruar një nga njerëzit më të dyshimtë për lidhje të ngushta me nëntokën kriminale, i cili i mbështetur nga KPK, vijon ta keqpërdorë pozitën e lartë e të pa merituar zyrtare të kryeprokurorit, të Prokurorisë Speciale e cila është formuar për luftimin e kriminelëve dhe jo për heqjen e fletarresteve edhe të atyre që kanë pranuar publikisht se janë involvuar në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023. Kështu që, nga momenti kur edhe zyrtarisht Blerim Isufaj e ka pranuar, se ai vet, ishte urdhërdhënësi i tërheqjes së fletarrestit kundër kryeterroristit dhe kryebanditit të Kosovës Millan Radojçiq, akti më i pakët që do duhej ndërmerrte, KPK, duhej të ishte shkarkimi urgjent i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës,Blerim Isufajt, i cili jo vetëm befasoi për të keq, por i futi frikën mbarë opinionin publik dhe qytetarëve të gjithë Kosovës me peshqeshin e pështirë që për festat e fundvitit ua përplasi në fytyrë shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duke vërtetuar pa pikë turpi, se vet ai është urdhërdhënësi i heqjes së fletarrestit dhe pa miratimin e tij, urdhërarresti kundër Millan Radojçiqit, nuk ka mundur të tërhiqet. Blerim Isufaj me këtë deklaratë shumë shqetësuese, sikur dëshmoi edhe njëherë më tepër lidhjet e ngushta me rrjetet kriminale dhe pazaret e ndyta, të kryera në mënyrë tinëzare për tu, tërhequr kundërligjshëm dhe pa asnjë shpjegim, e përgjegjësi ligjore, fletarresti i ngritur kundër kryeterroristit Milan Radojçiq. Prandaj edhe kritikat e fundit ndaj Blerim Isufajt nga Kryeministri Kurti dhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, drejtuar dështimit të Prokurorisë speciale për mos ngritjen e akuzave kundër grupeve kriminale në veri të Kosovës, flasin qartë, se në krye të këtij organi të rëndësishëm, është duke qëndruar njeriu i gabuar dhe një nga njerëzit më të dyshimtë për lidhje të ngushta me nëntokën kriminale i cili i mbështetur nga KPK, vazhdon pa asnjë pengesë, t`ia bëjë avokatin krimit të organizuar, madje edhe atyre që kanë marrë publikisht mbi vete, se janë udhëheqës dhe organizator të sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023. Dhe përveçse tërheqja e urdhërarrestit ndaj kryekriminelit Millan Radojçiq, është bërë me miratimin e Blerim Isufajt, ai deklaron se kjo është "çështje e brendshme e prokurorisë" për të cilën ai nuk mund të tregojë arsyet, as nuk mund të ndajë detaje?! Sikur mos të mjaftonin aktet e tij të kundërligjshme, Isufaj përpiqet ta shfajësojë edhe kryeterroeristin Millan Radojçiq, se kinse nuk paska qenë kurrë në paraburgim, kurse për tërheqjen e urdhërarresti, përveçse e vërteton vet, se nuk mund të bëhej pa miratimin tij, ai habit edhe më tepër, me deklaratën tjetër, se arsyet nuk mund t’i jap, ngase, "opinioni nuk mundet t`i dijë të gjitha”!?... E tërë kjo zhveshje lakuriq e Blerim Isufajt për të treguar vet, se është në shërbim të krimit dhe jo të sundimit të ligjit, u shpërfaq pasi që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar disa herë rresht për dështimet e Prokurorisë Speciale në ndjekjen e krimit dhe ngritjen e aktakuzave, në veçanti kundër kriminelëve të llojit të Radojçiqit, pas sulmit terrorist serb në veri të Kosovës. Me veprimet e tij të frikshme, Isufaj shkon edhe më larg, duke lansuar edhe deklaratat më konfuze, se ngritja e aktakuzave nuk është çështje e Kurtit, ngase Prokuroria na qenka institucion i pa varur!? Mjerisht komente të tilla të vrazhda dhe reagime po kaq arrogante ndaj krerëve të shtetit të cilët guxojnë të kërkojnë nga Prokuroria, zbatimin e ligjit kundër kriminelëve dhe Krimit të Organizuar veçanërisht në veri të vendit, Blerim Isufaj kishte shprehur edhe ndaj Ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu, vetëm pse ajo ka deklaruar se Isufaj po e keq interpreton dhe manipulon qëllimshëm, pavarësinë e institucionit në të cilin ai është përgjegjësi kryesor i ndjekjes së krimit, institucion që në fakt, është dhe do duhej të ishte i pavarur, në sensin ndërinstitucional. Andaj, jo rastësisht të gjitha aktgjykimet bazamentin e kanë në frazën e mirënjohur: ‘’Në emër të popullit’’, sepse secili institucion shtetëror i nënshtrohet vullnetit të shprehur të popullit të cilit i shërben dhe prej nga e merr legjitimitetin për të ekzistuar dhe vepruar. Pra, drejtësia është e pavarur vetëm kur ajo njëmend vepron në përputhje me ligjin dhe konform me vullnetin e popullit, ka deklaruar ministrja Albulena Haxhiu. Ministrja ia ka bërë të qartë Blerim Isufajt se në veri të Kosovës është cenuar jo vetëm individi apo një grup njerëzisht, por populli dhe shteti i Kosovës, akte për penalizimin e të cilave, është e thirrur pikërisht Prokuroria Speciale, me kryeprokurorin e famshëm dhe urdhër-dhënësin fuqiplotë, të tërheqjes së fletarresteve kundër një krimineli dhe tanimë edhe terroristi të rrezikshëm serb, si Millan Radojçiq, Blerim Isufaj! Akte me të cilat Serbia për mbi 20 vjet ka cenuar hapur rendin juridik dhe kushtetues në veri të Kosovës me në krye pikërisht terroristët si Milan Radojçiq, pra veriu i Kosovës dhe siguria kombëtare nuk janë thjesht çështje të ftohta juridiko-penale të një prokurori apo kryeprokurori si Blerim Isufaj, që me lehtësinë e botës thotë se vetëm ai i di arsyet, pse i ka hequr fletarrestin një terroristi të rrezikshëm si Milan Radojçiq. Kurse sikur të mos hiqej fletarresti kundër Millan Radojçiqit, nga Blerim Isufaj, (mos)operimi i Radojçiqit, do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri, andaj këtë përgjegjësi e bartë pikërisht Blerim Isufaj, për vet faktin se kur dikujt i hiqet fletarresti, duhet që diçka të ketë ndërruar për të mirë, kurse mu këtë vit, po nga kryekrimineli Millan Radojçiqi të cilit iu hoq fletarresti, nga Blerim Isuafaj, me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, u organizua edhe tentim-aneksimi i veriut të Kosovës! Athua e ka të qartë tanimë, kryeprokurori Belrim Isufaj se kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe se Republika e Kosovës nuk i përket Prokurorisë, por secili institucion edhe Prokuroria Speciale duhet t’i shërbej Republikës dhe vullnetit të popullit. Kështu që, nëse Blerim Isufaj ka pasur presione nga politikanët e asaj kohe le të largohet nga detyra për mungesë guximi, përndryshe me këtë mënyrë të sjelljes ai e merr në qafë edhe Republikën e Kosovës dhe një ditë duhet të jap përgjegjësi për të gjitha. Vullneti i popullit është i qartë: ai do drejtësi dhe shtrirje të rendit e ligjit, në gjithë vendin, pa dallim, vullnet për të cilin breza e breza të tërë janë angazhuar dhe sakrifikuar, mijëra të tjerë kanë dhënë edhe jetën, ndaj nuk ka njeri në botë kushdo qoftë ai që merr guximin të dal e të thotë publikisht siç deklaron Blerim Isufaj, se; "Unë ia hoqa flet arrestin Radojçiqit dhe pikë"!. Kjo nuk kalon, i thotë me plot të drejtë Ministrja Haxhiu, Blerim Isufajt. Deklaratat e pa turp të Blerim Isufajt, dëshmojnë se ai, pikërisht për shkak të mos dekretimit, edhe për kryeprokuror të shtetit, është duke i shantazhuar qëllimisht krerët e shtetit me sjelljet e tij sabotuese nga pozita të cilën shihet publikisht, se e mban pa meritë as të drejtë, në Prokurorinë Speciale. E vet kjo situatë e krijuar, flet për nevojën e patejkalueshme, që Blerim Isufaj, urgjentisht të shkarkohet edhe nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, duke ju shqiptuar fillimisht masa disiplinore e pastaj të vendoset edhe para përgjegjësisë penale dhe të marrë edhe dënimin e merituar, ngase kryekriminel si Millan Radojçiqi, nuk mund të lirohen në emër të pazareve të fshehta as dëshirave dhe miqësive personale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".