Shpenzimet për importin e energjisë po i tretin milionat e buxhetit të Kosovës!...

Shpenzimet për importin e energjisë po i tretin milionat e buxhetit të Kosovës!...
Shpenzimet për importin e energjisë po i tretin milionat e buxhetit të Kosovës!...

Ismail Muçiqi

  • 11 January 2024 - 13:46

Shkruan Gazetari: Ismail Muçiqi

Republika e Kosovës është bazeni më i madh i rezervave të thëngjillit jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë. Po kalojnë 23 vite pas çlirimit e Kosova asnjëherë nuk arriti të ndërtojë kapacitete të reja energjetike për nevojat jetike të ekonomisë dhe të popullatës. Kjo ka ndodhur dhe po ndodhë në vazhdimësi për shkak të politikës qorre, pa vizion, pa strategji, të cilën e nisën dhe e vazhduan të gjitha qeveritë që udhëhiqen me Kosovën. Tani në stinën e Dimrit importohet rrymë nga vendet e ndryshme të rajonit duke shpenzuar miliona e miliona euro të buxhetit të varfër të shtetit i cili është vendi më i varfër në Ballkan.

Për shkak të këtyre dështimeve sot në stinën e Dimrit Kosova prodhon 800 megavat energji elektrike ndërsa afër 500 megavat importohen për shkak të papërgjegjësisë të institucioneve të shtetit të cilat nuk arritën të ndërtojnë një Termoelektron me kapacitet deri në 500 megavatë. Kjo ndodhi për shkak të egove dhe mos arritjes të konsensusit të faktorit politikë, të shoqërisë civile dhe grupeve tjera të interesit. Kësaj gjendje i ndihmuan edhe individ të caktuar të cilët lëbuan gjithandej nëpër institucionet ndërkombëtare deri tek banka botërore për të penguar ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë. Është e pafalshme dhe e dhimbshme mënyra e udhëheqjes të institucioneve të shtetit të cilat nuk arritën ta kalojnë provimin në zhvillimin strategjik duke i shfrytëzuar resurset që i ka Kosova.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë shtetet e zhvilluara të Evropës përkatësisht Gjermania i aktivizoj sërish kapacitetet e termoelektronave të dikurshme të cilat tani po punojnë me thëngjill për të prodhuar energji elektrike për nevojat e shtetit. Republika e Kosovës edhe pse ka resurse të pa shterrshme me miliarda tonelata thëngjill sot importon rrymë, nga vendet e ndryshme me qmime te papërballueshme për arkën e shtetit.

Kjo gjendje tregon më së miri shkallën e vetëdijes, përkushtimit dhe papërgjegjësisë për ti hapur perspektiv zhvillimit ekonomik duke zgjeruar dhe ndërtuar kapacitete të reja të cilat janë jetike për jetën e përditshme të qytetarit dhe për qëndrueshmërinë ekonomike të vendit. Këto dështime po i vuajnë qytetarët e Kosovës të cilët asnjëherë që nga çlirimi nuk arritën të lirohen nga reduktimi i rrymës, nga ndërprerja për shkak të rrjetit të infrastrukturës energjetike e cila që moti është e dëmtuar për shkak të amortizimit të vjetëruar dhe dëmtimit nga pasojat e motit të ligë dhe të faktorëve tjerë. Në fund më thotë mendja se fajtorë për të gjitha këto dështime jemi ne qytetarët e këtij vendi të cilët që moti jemi ra në gjumë të ariut pa menduar se sa do ti paguajnë fakturat e jetës së përditshme.  

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".