Partitë politike në opozitë, po vrapojnë secila për vete që ti marrin meritat

Partitë politike në opozitë, po vrapojnë secila për vete që ti marrin meritat
Partitë politike në opozitë, po vrapojnë secila për vete që ti marrin meritat

Hajrullah Ternava

  • 16 January 2024 - 07:45

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Opozitarët e Kosovës po bëhen aq mjeshtër të mëdhenj sa që po dinë që në këto rrethana t’ia përshkruajnë vetes edhe sukseset e shumicës qeverisëse në pushtet, sikur ishte rasti i fundit, me rastin e bërjes publik të lajmit për blerje të armatimit modern nga SHBA, nga ana e Qeveris Kurti. Me këtë fakt tani po bëhet shumë qesharake dhe banale situata e krijuar politike në vendin tonë, ku partitë politike në opozitë, po vrapojnë secila për vete që ti marrin meritat për këtë veprim të Qeverisë Kurti, duke deklaruar se ishin ata ish pushtetarët e korruptuar që në mandatin e tyre e paskan pasur të gatshëm këtë plan, dhe madje e paskan pasur gati për ta realizuar.

- Pra bërja publike e kërkesës nga Qeveria e Kosovës për Blerjen e raketave ‘Javelin’ e ka zgjuar edhe një garë të ashpër nga politikanët për të vrapuar që edhe ata që janë jashtë pushtetit, dhe kanë bërë pazare në dëm të shtetit, tani të dalin e të marrin merita. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, derisa e quajti të vonuar këtë kërkesë, tha se blerja e raketave ka qenë në planin 10-vjeçar të zhvillimit të ushtrisë, qysh gjatë mandatit të tij qeverisës! Haradinaj ka thënë se ai po e lexon lajmin se si Kosova ju paska bërë kërkesë Shteteve të Bashkuara për të blerë raketa anti-tank Javelin, por ai ka thënë se lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite! “Për informimin e opinionit publik, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të akorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm”, ka deklaruar ish Kryeministri Haradinaj.

Për më tepër, në shenjë përgjegjësive e pakënaqësie Haradinaj në reagimin e tij ka thënë se Qeveria duhet të jep llogari se pse është vonuar kjo blerje. “Kjo qeveri, sot nuk mund të krekoset pse paska bërë një kërkesë për blerje të këtij sistemi anti-tank, por duhet të japë llogari pse është vonuar kaq shumë! Duhet të japë përgjigje pse nuk ka përmbushur objektivat e akorduara me planin 10-vjeçar të furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me armatim të domosdoshëm, edhe pse i kanë tepruar dhjetëra milionë të parapara për blerje të armatimit dhe mjeteve të tjera logjistike për FSK-në”, ka thënë Ramush Haradinaj. Mirëpo këto krekosje opozitare dhe akuza janë zmbrapsur nga përfaqësues të partisë në pushtet. Deputeti i kësaj partie, Enver Dugolli ka publikuar fakte, disa grafike ku tregohet se sa ka qenë buxheti për armatim gjatë qeverisjes së Haradinaj, dhe tani sa është rritur buxheti gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

Ai ka thënë se është për tu habitur se si ata që për mandatet e tyre kanë ngurruar dhe nuk kanë vepruar, tash për inate politike sillen në këtë mënyrë duke marr lëvdata për vete dhe nuk tregojnë se fare nuk kanë qenë të interesuar. “Për lajmin se Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemeve raketore anti tank “Javelin” paska reaguar edhe kryetari i AAK-së z.Ramush Haradinaj. Thënë të drejtën kam pritur që këtij lajmi por mbi të gjitha, vëmendjes dhe angazhimit të Qeverisë Kurti për të investuar në Mbrojtje dhe Siguri do t’i gëzoheshin të gjithë, por ja që nuk po del ashtu”, ka deklaruar Dugolli, Për blerjen e armatimit nga SHBA, pati reagime edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, prej nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se blerja e armatimit ishte negociuar nga ish-kryetari i partisë, Kadri Veseli!?

Madje ai është përpjekur që edhe donacionin amerikan për mjetet e blinduara që ju dhuruan FSK-s ta trajton si fillim të blerjes së armatimit nga ish qeveria. “E vërteta e blerjes se armatimit nga SHBA, negocimin dhe kontraktimin e bëri Kadri Veseli në vitin 2018. Një pjesë e këtij armatimi, mjetet e blinduara “Humvee” nga SHBA kishin arritur në Kosovë me 25.07.2020”, ka pohuar ai. Edhe Haxhiu i PDK-s e konsideron vonesë të pa arsyeshme dhe sjellje të pa përgjegjshme nga Qeveria Kurti çështjen e blerjes së armatimit nga SHBA-të, për qka sipas Haxhiut duhet të jep llogari kryeministri I Kosovës. Edhe pse e sheh të nevojshëm kontraktimin e blerjen së armatimit nga SHBA me qëllim të mbrojtjes së vendit, ai thotë se megjithatë zgjidhja më e sigurt është zënia e hapit të shpejtë për anëtarësim në NATO. “Kosova vendi ynë do të jetë e sigurt vetëm me anëtarësimin në NATO dhe aleance të përhershme me SHBA dhe BE”. Ka deklaruar Haxhiu. Një reagim rreth këtyre zhvillimeve e ka bërë edhe ish-ministri I Mbrojtjes, Armend Mehaj. Për ta demantuar opozitën ai ka thënë se ky investim për ushtrinë ka nisur gjatë kohës sa ai ka qenë ministër, dhe jo vetëm raketat “Javelin” e Dronët Bajraktar, por edhe shumë sisteme e kontingjentet të tjera janë blere e janë në proces, e që konsideron se duhet të mbesin pa u bërë publike sepse janë vetëm në shërbim të interesit kombëtar dhe jo të garës për poenë politike.

Mehaj ka treguar se mbi 292 milion euro janë shpenzuar gjatë mandatit të tij për furnizimin e FSK-s me lloje të ndryshme armatimi. Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Bëhet fjalë për 246 raketa të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri. DASH-i tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën. “Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes se Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e DAH-it. Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së.

Pavarësisht faktit që kjo qeveri po investon në blerjen e armatimit modern, që armata e jonë të jetë më e përgatitur me armatimin më modern, opozita kur i vëren sukseset e qeverisë, megjithatë nënçmon ato dhe i bishtëron ato, dhe do që t’ia përshkruaj vetes këto suksese. Që opinioni ti sheh ato si meritë e partive të tyre që janë në opozitë të tanishme. Kjo është përpjekja më skandaloze për mashtrim në përpjekje për përvetësim apo grabitje të meritave, pavarësisht faktit që mu ato parti që tash janë në opozitë, që nga çlirimi e deri para tri viteve ishin në pushtet, por nuk arritën që të blejnë kaq armatim modern dhe në sasi kaq të madhe, për të cilin armatim modern tani po e din edhe qytetaret e vendit tonë.

Sukseset e kësaj Qeverie në secilën fushë që po ndodhin, po e pengojnë opozitën, prandaj tani ata po tentojnë që ta bindin qytetarin se këto suksese të kësaj qeverie janë te „atyre që ma parë e paskan porositur këtë armatim kaq modern“, sepse e kanë të qartë se në zgjedhjet e radhës që supozohen se do të ndodhin në këtë vit, elektorati do i shpërblej me votë ata të cilët po bëjnë çmos jo vetëm për mbrojtjen e shtetit në koordinim më faktorin ndërkombëtar, por edhe për ta armatosur ushtrinë tonë me armatimin më modern të cilin e posedojnë ushtritë e aleancës së NATO-s.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".