Unë mbështes VETTING-un edhe në politikë, për ta pastruar politikën

Unë mbështes VETTING-un edhe në politikë, për ta pastruar politikën
Unë mbështes VETTING-un edhe në politikë, për ta pastruar politikën

Skender Kapiti

  • 17 January 2024 - 15:50

Nga: Skënder Kapiti

 Kritikë ka dhe do të ketë gjithmonë. 

(Sqarim për disa kritikë të mi)

 Askush nuk është i pakritikueshëm sepse askush nuk është i pagabueshëm. Edhe dijetarët dhe filozofët  më të mëdhenj botëror janë kritikuar, edhe udhëheqësit e strategët botëror kanë gabuar. Njeriu gjithmonë duhet të përpiqet për përsosjen morale. Dhe përsosja morale kërkon që njeriu të edukohet me arsimim të pandërprerë, që njeriu të jetë vetëvetja ai duhet të ketë intgritet, paanshmëri dhe drejtësi si vlerat e virtytet më të larta.

Në kohët moderne si çështje apo si problematikë pothuajse gjithëpërfshirëse është politika, si aktivitet kryesor  së cilës i përkushtohet  vetë demokracia, pasi demokracia   i kërkon popullit që të angazhohet në politike për zgjedhjen e pushtetit. Kjo pasi politika merret , promovon e garon duke premtuar politika, programe e projekte gjithë shoqërore si punësim, arsimim, shëndetësi, mirëqenënie, luftë kundër korrupsionit, siguri, paqe, e deri uje, ndricim, zhvillim urban  etj., e pothuajse gjithçka.

Parimi patriotik dhe politik i imi është ky: mbështes të renë, mbështes cdo alternativë e të re e cila premton ndryshimin kundër korrupsionit, kundër të vjetrës së konsumuar që bëhet pengesë dhe që bllokon  zhvillimin, konsolidimin dhe integrimin, dhe kritikoj e dal kundër cdo politike së cilës koha ia heq maskën e patriotizmit fals, dhe kur koha fakton keqqeverisjen, hajninë, papërgjegjshmërinë dhe korrupsionin politik.

Lexova një shkrim-koment   të një opinionisti që kishte si titull një titull të një shkrimi tim, ku komenti i tij fillonte me “Një koment i thjeshtë kundër fantazive dhe shpikjeve të “intelektualëve” dhe “atdhetarëve” që për interesa private dezinformojnë shqiptarët”.Edhe unë këtij kritiku të shkrimit tim por edhe disa të tjerëve po u përgjigjem akoma edhe më thjeshtë se nuk është dezinformim fakti se në Shqipëri e  Kosovë problem kryesor sot është korrupsioni gjithë politik e institucional i cili madje është bërë shqetësim edhe ndërkombëtar dhe që mbeti si problem dhe si kusht kryesor për integrimin. Nuk është dezinformim por është realitet politik se SHBA-të kanë shpallur “non grata” shumë persona  VIP  për korrupsion si të ish pushtetit e ashtu edhe të këtij pushteti aktual pa marrë parasysh ngjyrimet politike. Është realitet Vetting-u dhe SPAK-u, pra Drejtësia e Re e cila ka hapur epokën e re, atë të Vetting-ut politik ,atë të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit ligjor dhe modern në Shqipëri, por që kundër tyre janë disa kritikë intelektualë e mediatikë servilë e mercenarë.

Po kështu nuk është dezinformim  fakti se SPAK dhe drejtësia e re e monitoruar nga SHBA-të ka prangosur, dënuar, arrestuar dhe po heton ministra, deputetë, zëvendësministra, drejtorë dhe kryetar bashkish të qeverisë së Edi Ramës, gjë për të cilën unë e përshëndes dhe e mbështes Drejtësinë e re, SPAK-un dhe SHBA-të.

Mirëpo pse unë kritikoj të gjithë politikën që ka ngarkesa, pesha  , shtrëngesa  e kusure korruptive pa marrë parasysh ngjyrimet politike, kjo bëhet shkak që disa kritikë tejet të anshëm politikisht nuk janë dakord disa prej tyre pse unë nuk pajtohem  me korrupsionin e të majtës politike dhe disa të tjerë më kritikojnë pse unë kundërshtoj dhe kritikoj  korrupsionin e të djathtës.

Në këndvështrimin tim, unë që kur u shemb komunizmi kam qenë që krimet e tij të ndëshkohen dhe që në politikën shqiptare të mos kishte komunistë qoftë ai Berisha, Nano, Gjinushi, Ruci, Rama, Meta  e të tjerë, dhe as agjentë të ish sigurimit të shtetit, dhe as trashëgimtarët e pinjollët e ish diktarurës.

Këtyre kritikëve dhe komentuesve "kritikë” të mi po i sqaroj  se : unë së pari rrjedh nga një familje thellësisht nacionaliste dhe me kontribute kombëtar si ndoshta rrallë kush tjetër, gjë te cilën nuk dua ta përdor si justifikim për këtë replikë timen me ju kritikët e mi  sepse në fund të fundit të gjithë shqiptarët e vërtetë e kanë detyre kombëtare që të jenë patriotë e të kontribuojnë për atdheun realisht dhe  jo vetëm  me rrahje gjoksi, me kritika  dhe me patriotizëm interneti.

Jemi kundërshtar të regjimit komunist dhe për pasojë të kësaj edhe e kemi pësuar rëndë prej atij regjimi. Kemi mbështetur fort Partinë Demokratike të Shqipërisë për rrëzimin e komunizmit, dhe më herët edhe betejën paqësore dhe politikën patriotiko-kombëtare të Rugovës, kemi kontribuar në luftën çlirimtare të Kosovës, jam edhe veteran i UCK-së. Unë ndoshta më shumë se kushdo kam mbështetur të renë  politike në Kosovë, Kurtin dhe Osmanin. Gjithashtu komunikoj dhe u jam mirënjohes, vlerësoj  dhe  mbështes edhe veprimtarët intelektualë patriotë si Profesorin erudit e patriot Eshref Ymeri, Mehdi Hyseni, Vilheme Haxhiraj, Bedri Tahiri, Fahri Dahri, Mecan Hoxha, Ilir Malindi, Xhevahir Cirongu, Hasan  M. Shahinaj dhe shumë të tjerë  për ndershmërinë dhe për përkushtimin intelektual e patriotik të tyre. 

Ne jemi edukuar me edukatë prindërore patriotike dhe patriotizmin e kemi trashëgimi  dhe prandaj edhe nuk  pajtohemi as  me të këqijat politike, pavarësisht se nga cila politikë vijnë ato.

Unë përkrah gjithmonë të renë sepse besoj te më e mira dhe te ndryshimi dhe nuk mbetem peng i mos ndryshimit, fanatizmit, por në momentin që koha nxjerr në dritë dështimet, mashtrimet dhe hipokrizitë dhe sidomos korrupsionin unë nuk mbetem peng dhe nuk bëhem pelerinë intelektuale e korrupsionit të kujt do qoftë vjetërsire politike që i del boja, e cila bllokon dhe mban peng ndryshimin dhe që pengon emancipimin.

Unë mbështes VETTING-un në politikë, për ta pastruar politikën.

Politika në demokraci i nënshtrohet provës së realitetit, realitet i cili kërkon ndryshimin, por ndryshimin e së tashmes  nuk e bën e shkuara sado që ajo mund të ketë pasur edhe ndonjë meritë  në kohët e pas rënies së komunizmit. Dhe SHBA-të duke parë se ndryshimin nuk e bën dot vetë  shoqëria shqiptare atëhere SHBA-të e detyruan politikën shqiptare që të miratojë Reformën në Drejtësi, gjë për të cilën unë besoj se edhe ju jeni dakord, sepse Reforma ne Drejtësi, kjo thjesht dhe shumë thjesht madje nuk është as fantazi dhe as dezinformim, por realitet dhe reformë jetike për Shqipërinë.

Nuk mund të jesh patriot nëse nuk je për një shtet shqiptar të fortë, të drejtë, ligjor dhe demokratik; nuk mund të jesh patriot nëse nuk je edhe pro amerikan dhe nëse nuk je mirënjohës ndaj aleatit të madh e jetik të shqiptarëve, SHBA-ve.

 Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve dhe nuk është as e ndonjë individi, as e ndonjë grupi dhe as e ndonjë partie.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".