Serbia po e saboton dialogun për marrëveshje finale të pajtimit, shqiptarët duhet të ti përgjigjen duke nxjerr në tavolinë projektin e bashkimit

Serbia po e saboton dialogun për marrëveshje finale të pajtimit, shqiptarët duhet të ti përgjigjen duke nxjerr në tavolinë projektin e bashkimit
Serbia po e saboton dialogun për marrëveshje finale të pajtimit, shqiptarët duhet të ti përgjigjen duke nxjerr në tavolinë projektin e bashkimit

Gani Qarri

  • 26 January 2024 - 22:25

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Derisa shihet publikisht se BE e pjesërisht edhe emisari amerikan Eskobar, hapur, ia mbajnë anën Serbisë e cila veçanërisht me letrën që i dërgojë BE-së, dëshmoi se shkel me të dy këmbët dakordimet e arritura në Bruksel dhe Ohër, si dhe nuk është fare e interesuar, që të arrij çfarëdo marrëveshje të sinqertë paqësore normalizimi me Kosovën, opsioni i vetëm potencial dhe i pa zëvendësueshëm, i zgjidhjes së çështjes së hapur në mes të Kosovës dhe Serbisë, mbetet hartimi i një projekti nacional i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, një unitet federal ky, me mundësi bashkimi edhe të trojeve tjera etnike shqiptare, përreth kufijve të vendeve tona.

 

Kosova si Republikë e pa varur, ka mundësi që të futet në federatë apo edhe konfederatë me Shqipërinë, kur shihet se të gjitha tendencat e Serbisë hegjemoniste, nuk shkojnë përtej interesit të saj meskin, për ta penguar me çdo kusht dhe çmim, funksionimin e shtetit të pavarur të Kosovës, duke insistuar në formimin edhe të një "Republika srpska" të kamufluar si "asociacion" me kompetenca ekzekutive të modelit të Bosnjës, gjë që Kosova, nuk duhet as nuk guxon, ta lejojë në asnjë mënyrë. Andaj përderisa nga BE dhe SHBA, çuditërisht vazhdon të heshtet apo edhe ti lejohet Serbisë fashiste, që Kosovën, ta kontestojë si shtet të pavarur, bashkimi në federatë apo konfederatë me Shqipërinë është me interes jetik për Kosovën dhe përgjigja më e duhur, ndaj qëndrimeve kontroverse të BE-së dhe SHBA-ve, sa u takon raporteve të Serbisë fashiste me demokracinë më të sinqertë evropiane-Republikën e pavarur dhe shtetin e lirë të Kosovës. Për fat të mirë, Kosova për herë të parë pas më tepër se dy dekadave, me Qeverinë Kurti në krye, vitin e kaluar, arriti përfundimisht që ta shtrijë sovranitetin e plotë shtetëror të Republikës së Kosovës, në gjithë territorin e saj, ta rivendosë rendin e ligjin, si dhe të ushtrojë kontroll të 100%-të, në gjithë hapësirën e vet kushtetuese, gjë që me qeveritë e inkriminuara të cilat kooketonin publikisht me bandat serbe të veriut, lejonin veprimtarinë e organizatave terroriste, si; "Mbrojtja civile" dhe e ashtuquajtura "Brigada e veriut" si dhe bashkëjetonin edhe vet me krimin e organizuar, Kosova pa rrëzimin e asaj politike të mallkuar, as që mund të vinte kontroll, në këtë pjesë të territorit të vet, për mese 24 vitet e kaluara. Vetëm me ardhjen e Qeverisë Kurti në pushtet, Kosova vijon ta ketë dhe ushtrojë me krenari kontrollin e plotë ligjor, administrativ dhe atë të sigurisë, në gjithë territorin e saj, prandaj tani as që ka nevojë të nxitohet dhe të pranojë të ushtrohet presion nga askush, jo më vetëm nga Serbia, prej të cilës shastiseshin Thaçi & CO, por as nga Be dhe SHBA e të marr vendime të disfavorshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesin e saj nacional e shtetëror, as për çështjen e asociacionit. Në qoftë se Kosova, u dashka medoemos ta ketë një propozim dokument të gatshëm, për "asociacionin" serb dhe nëse vërtetë vjen në pozitë të atillë, që edhe të sfidohet për të bërë atë "statut", pikësëpari Serbia duhet detyruar nga BE dhe SHBA, ta tërheq letrën qeveritare drejtuar BE-së, ta nënshkruaj marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe Aneksin e Ohrit, dhe vetëm pastaj të fillohet me zbatimin e marrëveshjes, pikë për pikë, duke u shkuar me radhë, ashtu siç edhe është publikuar, pa kapërcyer të gjitha pikat e vendosura të parat në renditje dhe janë me rëndësi jetike për Kosovën, për të dal jashtë rendit të marrëveshjes, vetëm sa për ta formuar “asociacionin” një etnik serb. Edhe nëse formohet ai duhet të jetë reciprok me asociacionin e shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, dhe të ketë nivel të baraspeshuar analog, për të dy pakicat relevante kombëtare në të dy shtetet, që do të ishte vetëm asociacion kushtetues, i cili nuk rrezikon me asgjë rregullimin e brendshëm shtetëror as integritetin territorial të Republikës së Kosovës, përndryshe Kosova as që ka fare nevojë të nxitohet, nëse faktori ndërkombëtar nuk siguron, dhe jep garanci serioze, për trajtim të njëjtë dhe të barabartë të shqiptarëve, në Kosovën Lindore, nga Serbia. Në anën tjetër Qeveria e Kosovës, pas vendosjes së kontrollit të plotë, në të gjithë territorin e shtetit, njëkohësit duhet punuar shumë dhe me tërë seriozitetin e mundshëm, për arsimim më të mirë e cilësor, zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi stabile e punësim të të rinjve, si dhe për krijimin e klimës së përshtatshme për investime kapitale dhe sundim të ligjit. Kosova duhet medoemos, të arrij një nivel të mirëfilltë konkurrues dhe kualitativ të arsimit,si dhe shëndetësi më të përparuar, e në të njëjtën kohë, ta përcjellë me kujdes të shtuar, situatën skandaloze në Shqipëri, që fatkeqësisht me Edi Ramën ka eskaluar më keq se asnjëherë më parë, një qeveri e tej kriminalizuar dhe vend që mjerisht e ka kapluar krimi në çdo cep, ku kryeministri shqiptar me sekserët e tij mafioz, arriti ta korruptoj me qindra mijëra Dollar, edhe ish shefin e FBI-së, McGonigal gjykimi i të cilit, për këtë rast, pritet të filloj në shkurt 2024, në mënyrë që ky infektim i rrezikshëm i krimit të organizuar, mos të bartet edhe në Kosovë. Kështu që Qeveria e Kosovës, duhet të nxitojë, sa nuk është bërë shumë vonë, në parapërgatitjen e projektit, ligjeve të nevojshme dhe rregulloreve të duhura, për bashkimin federal a konfederal mes dy vendeve, madje gjithçka, duhet të bëhet gati me kohë, që edhe të mund të realizohet, gjatë këtij viti, sepse fatkeqësisht në Shqipëri, ka rrezik të përkeqësimit të situatës, andaj dhe do të duhej hartuar me prioritet, një dokument mbi federalizmin e Kosovës dhe të Shqipërisë, sa nuk është bërë edhe më keq. Kurse për tu jetësuar ky opsion i natyrshëm kombëtar dhe i domosdoshëm ndërshtetëror, duhet të mblidhen sa më parë, grupet punuese të të dyja shteteve dhe të punojnë me urgjencë në përgatitjen e një dokumenti të përbashkët, për modelin e konfederalizmit përfundimtar të shqiptarëve, i cili përveç unifikimit politik do ta sillte edhe shpëtimin ekonomik si dhe garantonte sigurinë kombëtare. E nëse vjen deri te kjo alternativë kombëtare, në këmbim të rivendosjes së kufijve të vitit 1956 të Kosovës dhe rikthimit të Medvegjës si e plotë, Bujanocit dhe Preshevës me të gjitha fshatrat që u takojnë, atëherë mund të bisedohet me Serbinë që Leposaviqi dhe Zubin Potokun ti kalojnë asaj, Përndryshe, nëse vazhdon kjo metodë e të biseduarit, dialogu me Serbinë mund të zgjasë edhe 30 vite të tjera, pa arritur të merremi vesh, për asgjë, prandaj BE dhe SHBA duhet të thonë qartë, se zgjidhja e vetme, ndërmjet të dy vendeve, është dhe mbetet rikthimi i kufijve të vitit1956 dhe bashkimi i Kosovës në federatë ose konfederatë me Shqipërinë. Vetëm me këtë opsion parimor, zgjidhet problemi i pakicave kombëtare dhe bije përfundimisht poshtë edhe çështja e "asociacionit" një etnik serb, si dhe kërkesat e BE-së për trajtim me privilegje speciale, vetëm për pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë, të cilët, ata që duan, mund të jetojnë në Konfederatën Shqiptare, ata që nuk dëshirojnë, lirshëm mundë të shkojnë nga kanë ardhur dhe të vendosen në shtetin e tyre amë, në Serbi. Me këtë rast, është me rëndësi të përmendet fakti se, nuk mund të ketë, as kërkohen më, të drejta speciale vetëm për një grusht minoritarësh serbë, kurse Kuvendi i Kosovës, do ta ketë për obligim, ndryshimin e Kushtetutës aktuale, si dhe ti shfuqizojë privilegjet e paprecedent për pakicën serbe, përfshi vendet e rezervuara, padrejtësisht, për ta, në Kuvend. Por mbi të gjitha, Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e vëmendshme dhe të nisë sa më parë, punën parimore me Shqipërinë, që bashkë me Tiranën zyrtare ta kryejnë këtë obligim kaq serioze dhe kapital, për bashkimin në konfederatë të shqiptarëve, si akti më madhor, në shërbim të interesit tonë nacional. Ndërsa, opsioni i rikthimit të kufijve të vitit 1956, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të mund ti ofrohej si alternativë marrëveshjeje shtetit serb dhe mundësi e fundit parimore për zgjidhjen paqësore të raporteve në mes të dy vendeve dhe popujve. E nëse, nuk pajtohet as me këtë Serbia, atëherë obligimin për bashkimin e shqiptarëve në një konfederatë, duhet ta realizojnë Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë me mbështetjen e SHBA-ve dhe Bashkësisë Ndërkombëtare, të cilat duhet ta japin kontributin e tyre, për këtë zgjidhje finale paqësore dhe garantimin e paqes afatgjate edhe në rajon.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".