“Dinari serb” antikushtetues, të hidhet në Referendum!

“Dinari serb” antikushtetues, të hidhet në Referendum!
“Dinari serb” antikushtetues, të hidhet në Referendum!

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 02 February 2024 - 13:37

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi Hyseni

*** E vetmja valutë e ligjshme shtetërore në Kosovë, është përdorimi i Euro-s, por mjerisht nuk figuron në Nenin 11(Valuta), edhe pse që nga viti 2002 de fakto përdoret në qarkullimin e sistemit bankar, por ende nuk është sanksionuar de jure  në Nenin 11 (Valuta) të Kushtetutës (Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 15 qershor 2008). Kjo  është shumë absurde, që për më se 2 dekada, të mos e kesh të sanksionuar valutën-simbolin tënd shtetëror të Republikës së Kosovës !?

Ndërkaq, pranimi i “dinarit serb” në Kosovë, do të thotë njohjen e Serbisë në Kosovë, mbase kjo valutë është simbol shtetëror  i Republikës së Serbisë. Prandaj, në asnjë mënyrë nuk duhet pranuar, sepse de fakto do ta njihnim Serbinë kolonizatore dhe imperialiste.

Madje “dinari serb” (si valutë zyrtare shtetërore) nuk figuron në asnjë nen dhe, në asnjë pargraf të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst nuk  ka se çfarë  të “sqarohet” e as të “zgjerohet”, duke krijuar konfuzion dhe mjegulla të dendura në opinionin publik guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, por e ka për detyrë ta zbatojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës! Kjo është detyra e tij parësore (numër 1). Për më tepër, asnjë rregullore dhe, asnjë ligj a dekretligj nuk mund të zbatohen nëse janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008).

Fundja, askush nuk mund të jetë mbi Kushtetutën. pavarësisht  nga funksioni, që ushtron sipas detyrës në pushtet.

Prandaj, as presidentja Vjosa Osmani, as kryeministri Albin Kurti, as kryeparlamentari Glauk Konjufca e as guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili nuk kanë të drejtë ta pranojnë “dinarin serb” si mjet pagese në sistemin bankar në Kosovës, sepse të gjithë, do ta dhunonin Kushtetutën e Kosovës, e cila as de fakto e as de jure nuk njeh kurrfarë “dinari serb” si mjet pagese në qarkullimin monetar shtetëror të Republikës së Kosovës.

Këtë e vërteton edhe Neni 11 i Kushtetutës (Valuta) , ku thuhet :    “Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme.” (Kushtetuta e Republikës së Kosovës). Këtij Neni nuk mund t’i shmangen as presidentja, as kryeministri e as guvernatori (që na qenka i  pavarur), mbase asnjëri nuk  kanë të drejtë ta shkelin këtë Kushtetutë në fuqi. Për më tepër, çdo akt ligjor apo nënligjor (rregullore, sqarim, dektretligj etj.) apo kompetenca dhe autorizime të këtyre tre titullarëve të lartë shtetërorë, janë zero për Kushtetutën, nuk vlejnë, nëse janë në shpërputhje flagrante me dispozitat e saj.

Valuta është simbol shtetëror

Tash, kur pas agresionit serb në Banjskë të Mitrovicës (24 shtator 2023), presidentit serb Aleksandër Vuçiq po i ngushtohet fushëveprimi i politikës dhe i diplomacisë mashtruese dhe manipuluese për të ndërhyrë në Kosovë, ka shpikur edhe një “trik” të ri për ta diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Brukesl, duke propozuar që “dinari serb” të  legalizohet si mjet pagese në qarkullimin monetar në Kosovë.

Edhe pse të të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovës (2000-2024), janë treguar alergjike dhe të rezervuara ndaj zbatimit në praktikë (de fakto dhe de jure) të institutit të REFERENDUMIT për çështjet vitale të popullit dhe të shtetit të pavarur të Kosovës, qeveria e sotme e Albin Kurtit nuk do të duhej ta bënte të njëjtin gabim politik të elitave paraprake shtetërore të Kosovës. Por, pa hezituar, duhet të shpallë REFERENDUMIN, ku të gjithë qytetarët, do të votojnë në mënyrë të ligjshme dhe demokratike, duan apo nuk duan, që  “dinari serb” të përdoret si mjet pagese në sistemin monetar në Kosovë.

Mirëpo, Albin Kurti nuk duhet ta pranojë një ofertë të tillë politike të A, Vuçiqit, sepse është me prapavijë të thellë të hegjemonizmit dhe të kolonializmit serb, që ka për qëllim rikthimin  e sovranitetit kolonial serbomadh në Kosovë (1912-1999).

Sa më sipër, jo politika, as diplomacia, financiare dhe ekonomike, por populli-SOVRANI e ka fjalën kryesore, do apo nuk do ta përdorë “dinarin serb” në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".