Asociacioni, zgjidhja e fundit bazuar në Kushtetutën e shtetit

Asociacioni, zgjidhja e fundit bazuar në Kushtetutën e shtetit
Asociacioni, zgjidhja e fundit bazuar në Kushtetutën e shtetit

Dr. Hysni Aliu

  • 07 February 2024 - 17:08

Shkruan:Dr. Hysni Aliu

Kosova ka filluar rrugën e vetë dhe do ta vazhdoj atë përkundër kërcënimeve të pabaza e kriminale. Të gjithë ata që po e gjykojnë Kosovën dhe Kurtin për veprimet në zbatim të ligjit, do pendohen e do kërkojnë falje për gabimet e bëra, sepse koha do tregon që kanë qenë shumë gabim ashtu siç ishin gabim për tabelat, kryetarët e komunave në veri dhe dokumentet e tjera në fazat e mëhershme. Këto gjëra që po i bën Kosova, i mundësojnë asaj që shumë shpejt të arrin në fazën kur do ta paraqet edhe draftin e asociacionit në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

 

Në shkrimin e parafundit shpreha shqetësimin në lidhje me tendencën e BE-së që ti pranoj pasaportat e lëshuara nga zyra për Kosovë e Serbisë dhe institucionet e tyre paralele në Kosovë. Shqetësimi im ishte që kjo do të thoshte një fillim i ndarjes de jure të Kosovës ne dy etnitete, pra atë shqiptare dhe Serb, dhe së këndejmi do të formohej një Republikë Serbe e dytë sikurse ajo në Bosnje. Në atë shkrim kam shprehur mendimin që ky proces i kobshëm për Kosovën duhet të ndalet duke i mbyllur institucionet paralele serbe në Kosovë, duke ndërpre financimin e tyre dhe heqjen e dinarit nga përdorimi dhe duke i shpallur si të paligjshme dhe të papërdorshme ato pasaporta për shtetin e Kosovës. Kjo do i pamundësonte edhe BE-së të fillon hapjen e një dere të vogël për Republikën serbe në Kosovë, ku hapi i parë do ishin pasaportat e pastaj edhe legalizimi i institucioneve paralele serbe në Kosovë. Hapat që i mori qeveria Kurti dhe BQK- ja në raport me dinarin serb dhe institucionet paralele, janë si pasojë direkt e veprimeve të dëmshme në Këshillin Evropian dhe planeve të tmerrshme brenda BE-se nga disa vende anëtare të BE-se të prira nga Hungaria e ndoshta edhe Franca dhe 5 vendet jo njohëse. Pra Qeveria Kurti ka nuhatur plane famëkeqe dezintegruese për Kosove, e si rrjedhojë është detyruar të reagoj në mënyrën që po e shohim. Reagimet e Vuçiqit janë teatrale, e fatkeqësisht këtyre reagimeve ju bashkëngjitën edhe BE, SHBA dhe OSBE, duke vulosur teatralitetin e shërbëtorit të Putinit. Në një deklarim të vetin para dy ditësh Vuçiq tha: “Kemi gabuar që nuk i kemi lejuar tabelat RKS më herët, sepse edhe kështu këtë gjë e ka parashikuar marrëveshja e vitit 2011, por vetëm donim ta shtyjmë për një kohë atë vendim. Kurse i njëjti njeri një vit më parë ofroj tanket e aeroplanët deri në kufi pikërisht si pasoj e ndalimit të tabelave të automjeteve. Deri më tani Serbia nuk e ka plotësuar asnjë marrëveshje të Brukselit, deri në momentin që është mbështetur për muri. Njëjtë po ndodhë edhe me vendimin për dinarin serb dhe për institucionet paralele serbe. Mua nuk më befason aspak reagimi teatral i Vuçiqit, por po më befasojnë reagimet e disa ndërkombëtarëve që në mënyrë tepër naive po i bashkëngjiten këtij teatri, duke kërkuar nga Kosova lejimin e paligjshmërisë deri në pafundësi. Edhe pse z. Kurti dhe BQK ja treguan që vendimi do zbatohet në faza, kjo nuk ju mjaftoj ndërkombëtarëve,sepse ata duan që afati të zgjatet pafund. Gjersa më herët i vunë Kosovës sanksionet, sepse Kosova mbajti zgjedhjet në veri dhe dërgoj kryetarët në zyrat e tyre, tani Kosovës mund ti vihen sanksione sepse i mbylli institucionet paralele serbe në Kosovë dhe filloj zbatimin e ligjit për paranë. Kësaj mënyre të vepruarit mund ti thuash gjithçka tjetër, përveç normale. Kosova po i çliron Serbët e Kosovës nga Vuçiqi , Radoiçiqi e Lista serbe, ashtu siç treguan grafitet që u shfaqen në veri kundër Radoiçiqit ditëve të fundit. Argumentet e bashkësisë ndërkombëtare se ndalja e dinarit dhe mbyllja e institucioneve paralele rrezikojnë popullatën serbe janë më tepër se çmenduri, janë dashakeqësi dhe mënyrë e të menduarit bardh e zi. Si po u rrezikuakan serbët e Kosovës në një shtet ku të gjitha institucionet funksionojnë. Kosova ka sistemin e vet pensional i cili i ofrohet secilit individ që përmbushë kriteret, ka sistemin social për familjet e varfra, ka shtesat e fëmijëve, ka mundësitë e punësimit për serbët në institucione të rregullta të Kosovës. Madje Kosova nuk po ua mohon marrjen edhe të pagave e pensioneve dyfishe për serbët duke i bërë ata popullin më të privilegjuar në Evropë e ndoshta edhe në botë, e vetmja që Kosova po kërkon është shuarjen e institucioneve paralele dhe bërja e pagesave me euro, pra kompletimi i elementeve të shtetësisë, gjëra që nuk kanë ndodhe qe 23 vite. Kosova ka filluar rrugën e vetë dhe do ta vazhdoj atë përkundër kërcënimeve të pabaza e kriminale. Të gjithë ata që po e gjykojnë Kosovën dhe Kurtin për veprimet në zbatim të ligjit, do pendohen e do kërkojnë falje për gabimet e bëra, sepse koha do tregon që kanë qenë shumë gabim ashtu siç ishin gabim për tabelat, kryetarët e komunave në veri dhe dokumentet e tjera në fazat e mëhershme. Këto gjëra që po i bën Kosova, i mundësojnë asaj që shumë shpejt të arrin në fazën kur do ta paraqet edhe draftin e asociacionit në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Nëse dëshironi të ndodhe kjo atëherë mos e pengoni funksionimin e rendit dhe ligjit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".