Serbia frikësohet nga anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në OKB

Serbia frikësohet nga anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në OKB
Serbia frikësohet nga anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në OKB

Gani Qarri

  • 22 February 2024 - 19:10

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Frika e anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në OKB-, për çka Republika e Kosovës është duke punuar dhe lobuar me ngulëm, është pika kryesore kundër së cilës po aktivizohet gjithnjë e më tepër, diplomacia serbe për të penguar dhe pamundësuar këtë avancim fondamental të shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Madje nga Serbia po insistohet, që çështja e Kosovës të rikthehet serish në Këshillin e sigurimit të OKB-së, pavarësisht faktit se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i marrëveshjes së Ohrit ndalojnë Serbinë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara!

 

Ky është edhe momenti vendimtar kur Kosova gjithmonë dhe pa ndërprerë, në të gjitha takimet me ndërmjetësuesit ndërkombëtar në dialog, duhet ta mbajë para vetes opinionin e GJND-së si vulë të deklaratës së pavarësisë së Kosovës duke insistuar me këmbëngulje në të drejtën, e patjetërsueshme për anëtarësim sa më parë, edhe në OKB. Siç dihet mirëfilli, Serbia as që i zbaton marrëveshjet për të cilat parimisht ajo pajtohet edhe vet, e më pastaj për të njëjtat pendohet dhe kundërshton respektimin dhe zbatimin e tyre, e cila kështu po vepron edhe me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. E sikur mos të mjaftonte vetëm kjo, Vuçiq i bënë thirrje edhe krahut të vetë politik në qeverisjen e Serbisë që të mos dakordohen me nismën e Kosovës për anëtarësim në OKB, me shpresën se do ta pengojnë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Madje duke folur për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vuçiq ka thënë në televizionin publik serb, se çështja kryesore është ta pengojnë Kosovën që ta marrë një ulëse në OKB. Dhe duke pasur parasysh faktin që Kosova e ka fituar të drejtën e shpalljes së pavarësisë, pengimi për anëtarësim në OKB, sipas tij, është gjëja kryesore, pasi që ” Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, pas ankesës të cilën, më 2010 e kishte bërë vetë Serbia hegjemoniste, i ka dhënë të drejtë Kosovës dhe ka vulosur pavarësinë e saj. Kështu që iniciativa e Serbisë për rikthimin e çështjes së Kosovës për zgjidhje në OKB, ka gjetur përkrahje vetëm te diplomacia ruse dhe ambasadorit Aleksandar Bocan-Kharchenko, i cili në pritjen zyrtare me rastin e një feste kombëtare, në ambasadën ruse në Beograd, ka thënë se Rusia mbështeti kërkesën e Serbisë për seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për kthimin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gafë ruso-serbe, që fatmirësisht, nuk e mbështet askush nga faktori ndërkombëtar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".