Përpjekja arbitrare e BE-së për legalizimin e pasaportave serbe në Kosovë, nuk duhet të pranohet

Përpjekja arbitrare e BE-së për legalizimin e pasaportave serbe në Kosovë, nuk duhet të pranohet
Përpjekja arbitrare e BE-së për legalizimin e pasaportave serbe në Kosovë, nuk duhet të pranohet

Gani Qarri

  • 08 March 2024 - 08:03

Shkruan: Sociologu - Gani Qarri

Emërimi i një Raportuesi Special i cili do të angazhohet në parlamentin Evropian për njohjen e pasaportave të minoritarëve serbë të Kosovës të lëshuara nga institucionet paralele të Serbisë, të cilat veprojnë ilegalisht, që ata edhe me pasaporta ilegale, të përfitojnë nga liberalizimi i vizave në emër të Republikës së Kosovës, vërtetë është edhe një provokim që nuk mund të kapërdihet, shumë i rëndë dhe i papranueshëm për vendin tonë. Akt vërtetë tepër cinik dhe fort provokues, i paramenduar në hollësi, me qëllim tejet ofendues dhe veprim të skajshëm keqdashës, nga disa vende mbështetëse ndaj Serbisë, të cilat mjerisht, gjenden brenda vet Bashkimit Evropian!

-Madje sipas njoftimeve zyrtare, Brukseli ka emëruar sllovenin Matjazh Nemec si përfaqësuesi evropian dhe raportues për heqjen e vizave për pjesëtarët e pakicës serbe të Kosovës të cilët edhe pse janë shtetas të Kosovës, nuk kanë marrë pasaportat e shtetit tonë, por janë pajisur me pasaporta të Serbisë nga organet ilegale serbe, që me ndihmën e ndërkombëtarëve, aty-këtu veprojnë edhe sot “lirshëm” në Kosovë. Matjazh Nemec e ka konfirmuar edhe vet, emërimin e tij, në këtë pozitë, përmes rrjeteve sociale, duke u zotuar se pret një vendim të shpejtë “për anulimin e vizave” për minoritarët serbë të Kosovës, që kanë marrë pasaporta ilegale, të lëshuara nga organet ilegale, paralele serbe.

Siç dihet, qytetarët e Kosovës të cilët posedojnë pasaporta të Republikës së Kosovës e gëzojnë qarkullimin pa viza që nga 1 janari i këtij viti, vendim nga i cili u përjashtuan ata qytetarë të Kosovës të cilët, posedojnë pasaporta ilegale, të lëshuara nga zyrat paralele serbe, të cilat nuk i njeh Republika e Kosovës, ngase veprojnë ilegalisht, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Por ata pak minoritar serb, të cilët kanë marrë pasaporta nga strukturat paralele serbe, u përjashtuan nga liberalizimi i vizave edhe kur u hoqën vizat për qytetarët e Serbisë, në dhjetor të vitit 2009 dhe nëse vijojnë të refuzojnë pasaportën e shtetit të Kosovës, me ligj ata nuk gëzojnë regjim e lëvizjes pa viza, me vendet evropiane.

Çuditërisht, në nëntor të vitit 2023, me insistimin e Serbisë, Komisioni Evropian propozoi fillimin e procedurave për liberalizimin e vizave edhe për këta minoritarë serb që janë pajisur me pasaporta ilegale nga Serbia, por atë kohë, pati reagim të ashpër nga Qeveria e Kosovës e cila u deklarua fort dhe me vendosmëri kundër, duke shprehur shqetësimin serioz, për një propozim të tillë pa konsultime paraprake me Kosovën. Republika e Kosovës, siç dihet edhe nga opinioni, nuk i njeh pasaportat e lëshuara nga strukturat paralele serbe dhe me të drejtë, i konsideron ato dokumente të lëshuara nga një institucion ilegal, të cilat nëse tani BE, i përfshin në liberalizimin e vizave, vetëm stimulon dhe ndihmon publikisht, funksionimin e institucioneve paralele të Vuçiqit, të cilat abuzojnë në emër të Kosovës, duke e paraqitur edhe Kosovën si “territor” i Serbisë.

Njohja e këtyre dokumenteve cenon edhe integrimin e minoritetit serb në Kosovë, si dhe dëmton përpjekjet afatgjate të Qeverisë, për integrimin e serbëve lokal, pati deklaruar kohë më parë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Ai tha gjithashtu, se pjesëtarët e komunitetit serb me pasaporta të Republikës së Kosovës, njëjtë si të gjithë qytetarët e vendit tonë, mund të lëvizin lirshëm në zonën e shteteve Schengen, por jo edhe ata minoritar, që kanë marrë dokumente të lëshuara kundërligjshëm, nga strukturat ilegale serbe.

Siç dihet, përkundër të gjitha, kundërshtimeve, vendimin për heqjen ose jo të vizave edhe për këtë kategori të minoritarëve nga Kosova, e marrin Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian, që në fakt përfundon punën në prill, pasi që ky institucion, pastaj futet në fushatë parazgjedhore për zgjedhjet evropiane të cilat do të mbahen në qershor, kështu që vendimi mundë të jetë i shpejte, nëse nuk e kundërshton përsëri fort dhe nuk reagon urgjentisht e me vendosmëri serish, Qeveria e Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".