KOSOVA SOT misionare e informimit dhe zë i fuqishëm i ndryshimeve shoqërore

KOSOVA SOT misionare e informimit dhe zë i fuqishëm i ndryshimeve shoqërore
KOSOVA SOT misionare e informimit dhe zë i fuqishëm i ndryshimeve shoqërore

Florim Zeqa

  • 23 March 2024 - 11:23

Shkruan: Analisti - Florim Zeqa

Shikuar nga distanca 25 vjeçare, përkatësisht në 25 vjetorit të djegies dhe shkatërrimit të shtypshkronjës në 24 marsin e vitit 1999, gazeta KOSOVA SOT na del të ketë pasur një rol të madh dhe shumëdimensional si në informimin e drejt dhe të pavarur të opinionit publik dhe rreth zhvillimeve në vijat e frontit, ashtu edhe në botimin e librave shkollor në gjuhën shqipe dhe materialeve tjera shkollore me logo të Republikës së Kosovës.

Ringjallja e gazetës nga feniksi

Bazuar në kontributin sipër cekur të gazetës, jo rastësisht gazeta KOSOVA SOT u zgjodh nga pushtuesit, si i pari medium për t’u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s në 24 Marsin e vitit 1999, pasi roli dhe ndikimi i gazetës KOSOVA SOT ishte një goditje e madhe kundër regjimit pushtues të Millosheviqit.

Edhe përkundër dëmit në vlerë mbi 5 milion euro pas djegies dhe shkatërrimit të shtypshkronjës, falë përkushtimit dhe vendosmërisë së pronarit dhe stafit profesional për të vazhduar punën dhe kontributin në shërbim të qytetarëve dhe ushtrisë çlirimtare, e ngritën gazetën nga feniksi në një medium të fuqishëm për rrethanat e kohës, duke e ngritur gazetën brenda një kohe të shkurtër në piedestalin e shtypit të shkruar në vend.

Tani 25 vite pas, në versionin e medies elektronike KOSOVA SOT ONLINE, vazhdon betejën për informim të drejtë e të pa varur, në interesin publik të ndërtimit të shtetit ligjor dhe të avancimit të demokracisë plurale, gjithnjë pa hezituar për tu ballafaquar me denoncimin e dukurive negative që hasen në shoqëri, luftimin e pa kompromis të grupeve të interesit, kundër politikës së inkriminuar dhe mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale që vazhdojnë ta pengojnë dhe sfidojnë zhvillimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës, që edhe 25 vjet pas në liri po e vrasin shpresën e qytetarëve për të besuar dhe jetuar e prosperuar në shtetin e tyre të lirë për të cilin aq shumë kemi sakrifikuar.

Një çerek shekulli në shërbim të shtetit dhe qytetarëve

KOSOVA SOT është gazeta online numër një në vend me informim real të ngjarjeve dhe zhvillimeve në vend, duke krijuar besueshmëri të plotë tek lexuesit e kohës nëpër të cilën po kalojmë.

KOSOVA SOT e dalur në treg si alternativë e informimit të drejtë në kushte lufte dhe të okupimit të egër nga regjimi i Millosheviqit, gazetarët dhe reporterët e gazetës ishin çdo ditë në misionin e tyre fisnik, të informimit të drejtë dhe në mbështetje të plot të luftës së UÇK-së, që në njëfarë forme edhe vetë gazeta u rreshtua me angazhimin e saj në logjistikë të fuqishme të luftës së drejtë për liri, kurse secili gazetar dhe punëtor i gazetës, ishte një ushtar besnik i UÇK-së në rolin që i takonte në mbështetje të luftës, me raportim të drejtë dhe pasqyrim besnik të ngjarjeve nga vijat e frontit, duke rrezikuar edhe jetën për të depërtuar në zonat më të thella të luftës dhe nga atje me dëshmi e fakte duke paraqitur në mënyrë reale dhe besnike betejat e lavdishme të UÇK-së por edhe krimet monstruoze të regjimit të Millosheviqit mbi popullatën e pa armatosur, duke u hakmarrë ndaj saj në pamundësi të ballafaqimit me grupet e organizuara të luftëtarëve të UÇK-së në frontet e luftës.

KOSOVA SOT idol i qytetarëve dhe ushtarëve në vijat e frontit

Gazeta e rreshtuar tërësisht në mbrojtje të luftës së drejtë, nuk hezitoi që hapur ta dokumenton mbështetjen për UÇK-në me rastin e nxjerrjes së kalendarit të vitit 1999, pra më 31-12 1998, dhe 1 e 2 janar të vitit 1999, shkrimet në gazetë dhe kalendari që personifikon ushtarin e UÇK-s dhe përkujton Halit Gecin, mësuesin e vrarë nga ushtria serbe, i cili ngjalli reagim të ashpër nga regjimi. Ministri i atëhershëm i informacionit në qeverinë e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiqi, presidenti i sotëm i Serbisë, ka dalur hapur në RTS me ekzemplarin e gazetës dhe kalendarin e publikuar duke kërcënuar me likuidim se nuk do të durohen këto veprime. Kërcënim ky i cili bëhet realitet shumë shpejtë, ku dora e zgjatur e regjimit të Millosheviqit në Prishtinë vendosi për t’ju hakmarrë gazetës Kosova Sot, të cilën e dënoi me 800.000.00 dinarë të rinj, që i bije mbi 500 mije DM.

Mirëpo, asgjë nuk përfundon më kaq, më 18 mars 1999 regjimi serb i hodhi ne aksion policinë dhe e ndaloi botimin e gazetës më të madhe të kohës në vend, KOSOVA SOT. Pra, gazeta u konfiskua në të gjitha pikat e shitjes në tërë Kosovën, edhe rrjetit të shitjes iu konfiskuan gazetat, edhe nëpër veturat shpërndarëse, duke kërcënuar shpërndarësit e gazetës me jetë, nëse ata do ta haseshin ditën tjetër duke bërë shpërndarjen e saj!

Por, lufta e regjimit të Millosheviqit kundër gazetës më të madhe në vend KOSOVA SOT nuk përfundon këtu. Vetëm gjashtë ditë më pas, më saktësisht më 24 mars 1999, në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, vetëm dy orë pasi që filluan bombardimet, përgjigjja e regjimit të Milosheviqit vjen duke filluar me flakë vënien e djegien, shkatërrimin e mbi 3000 metrave katrorë të hapësirave të shtypshkronjës se gazetës Kosova Sot, me pajisjet më të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin edhe shumica e librave shkollor dhe materialeve shkollore në gjuhën shqipe. Pra, më 24 mars 1999 regjimi i Milosheviqit zgjodhi pikërisht gazetën dhe shtypshkronjën e gazetës KOSOVA SOT si të paren e NR. 1 për t’u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi që edhe vetë roli dhe ndikimi i gazetës KOSOVA SOT ishte një goditje shumë e madhe kundër regjimit kriminel serb të Milosheviqit që nga dita e parë e fillimit të botimit të gazetës më 12 shtator 1998 e deri në ditën kritike të ndalimit dhe të djegies. Dëmi i djegies ishte mbi 5 milionë Euro. Megjithatë KOSOVA SOT nuk është dorëzuar pas këtij akti barbarë, pasi që gjatë kohës së bombardimeve përsëri është riorganizuar për informimin e qytetarëve kosovar, me një redaksi në Shkup dhe një në Tiranë, duke e shpërnda për kosovarët në Maqedoni dhe në Shqipëri, për të mos munguar informimi nga frontet e luftës dhe kauza për të cilën po luftonte populli i Kosovës.

KOSOVA SOT vazhdon me sukses misionin e saj fisnik

Pas përfundimit të luftës gazeta KOSOVA SOT rifilloj duke vazhduar misionin e saj fisnik në informim të lexuesit besnik, duke raportuar dhe qenë dëshmitare e të gjitha rrjedhave të procesit të ndërtimit të shtetit dhe demokracisë se re, por duke mos hezituar për të denoncuar devijimet, duke afirmuar vlerat e vërteta të procesit të shtet ndërtimit, por edhe duke kritikuar dhe mos amnistuar, por duke denoncuar të gjithë ata që ne emër të meritave të luftës, apo të benefiteve të ndryshme politike, u rreshtuan për tu bërë dorë e zgjatur dhe bashkëpjesëmarrës të instalimit të krimit. Misioni për informim të drejtë i gazetës Kosova Sot ka vazhduar edhe në formën e shtypur, po vazhdon edhe tani në versionin elektronik, pa devijuar në misionin e filluar që nga dita kur është botuar numri i parë i gazetës.

Edhe pse tani më po bëhen 25 vjet nga përfundimi i luftës, dhe përpjekja për ta realizuar të drejtën edhe përkundër që ne gjykatë është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëme të luftës, e njëjta as që është marrë parasysh dhe as nuk është shqyrtuar nga gjyqësori i instaluar me arsyetimin se nuk janë kompetent, duke udhëzuar që padia të dërgohet në gjykatat e Serbisë në Beograd, ose siç e thonë: "Cjapi të shkoj te Kasapi", sepse sot në krye të shtetit serb e kemi po të njëjtin njeri që ka dhënë urdhër për dënim, dhe shkatërrim, pra Aleksandër Vuçiqi që nga ish ministër i informacionit në regjimin e Millosheviqit, sot është president shteti dhe kontrollon përsëri të gjitha shtyllat e tij. Edhe pse vendi i krimit është bërë ne Prishtinë (Kosovë), gjykatat nuk e kanë parë të drejtë dhe arsyeshme për ta marr parasysh e gjykuar këtë rast për të kërkuar kompensimin e dëmit të shkaktuar, duke udhëzuar që e njëjta padi të bëhet në gjykatën serbe në Beograd.

KOSOVA SOT, forcë kreativiteti dhe zë i fuqishëm i ndryshimeve shoqërore

Pavarësia editoriale e gazetës nga partitë politike, nga oligarkia e pushtetit dhe grupeve e tjera të interesit, gazetën KOSOVA SOT e bënë të dallohet nga të përditshmet tjera kosovare.

Pasi drejtuesit e gazetës, stafi redaktorial, gazetarët së bashku me bashkëpunëtorët i qëndruan besnik misionit të tyre të shenjtë, e të qënurit në shërbim të shoqërisë e jo e pushtetarëve.

Andaj, jo rastësisht ka bërë që KOSOVA SOT nga një gazetë fillestare e para 25 viteve, falë profesionalizmit të stafit të gazetës, të bëhet sot lidere në gazetarinë kosovare dhe pjesë e pandashme e familjeve kosovare.

Shkrimet e larmishme, gazetaria hulumtuese ndaj fenomeneve negative të qeverisjes së vendit dhe aferave korruptive brenda institucioneve shtetërore, duke kontribuar në sundimin e rendit dhe ligjit, me shkrimet e vazhdueshme, kritike e hulumtuese për fenomenet negative të shoqërisë, ka mishëruar lidhjet e fuqishme me lexuesit e saj.

Gazeta Kosova Sot përveçse ka ndikuar në sensibilizimin e opinionit publik, ka përshpejtuar nevojën e ndryshimeve substanciale në qeverisjen e vendit.

Andaj, jo rastësisht Kosova Sot, jo vetëm që është lidere e gazetarisë në vend, është shndërruar në një medium që përkrahë fuqishëm ndryshimet pozitive në vend dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

KOSOVA SOT lidere e gazetarisë dhe mediumi më kredibil informativ në vendin tonë

Veprimtaria mediatike e gazetës KOSOVA SOT, pavarësisht pengesave, shantazheve dhe sfidave të kohës, asnjëherë nuk e ndali misionin e saj, e të qënurit në shërbim të popullit dhe interesave të shtetit të Kosovës.

Pavarësia editoriale e gazetës nga partitë politike, nga oligarkët e pushtetit dhe grupeve të tjera të interesit, ka bërë që gazeta KOSOVA SOT të jetë avangardë e shoqërisë e jo e pushtetarëve, partive dhe liderëve të korruptuar partiakë. Ruajtja e pavarësisë editoriale, lufta e pa kompromis dhe e pandërprerë e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha institucionet shtetërore, në dy nivelet qeverisëse (qendror dhe lokal), në sistemin e dështuar të drejtësisë vendore, ka bërë që KOSOVA SOT të jetë lidere në gazetarinë kosovare dhe avangardë e ndryshimeve pozitive në vend. Komunikimi i përditshëm gazetës KOSOVA SOT me lexuesit dhe opinionin publik, përveçse mbështetje, ka krijuar besueshmëri, ndershmëri reciproke dhe lidhje të fuqishme emocionale, gjë e cila ka ndikuar në ecjen dhe zhvillimin e hovshëm të saj!

Të gjitha këto suksese të gazetës vijnë si rezultat i besueshmërisë dhe lidhjeve të fuqishme që ka krijuar gazeta me opinionin publik kosovar, duke qëndruar gjithnjë në shërbim të kërkesave të lexuesve besnik të saj.

(Kosova Sot Online)