Diplomacia amerikane në ofensivë për inkurajimin e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

Diplomacia amerikane në ofensivë për inkurajimin e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë
Diplomacia amerikane në ofensivë për inkurajimin e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

Gani Qarri

  • 21 May 2024 - 22:25

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Pas nënsekretares së Departamentit të Shtetit amerikan për Çështje të jashtme dhe Diplomaci Publike, Elizabeth Allen, e cila zhvilloi takime të ngjeshura me Kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani, në Kosovë ka zbarkuar edhe zyrtarja tjetër e DASH-it , Zëvendës ndihmës Sekretarja e Departamentit të Shtetit nga byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick.

 

Të dy vizitat e zyrtarëve të Departamentit Amerikan të shtetit, janë dëshmi e përpjekjeve më të reja të SHBA-ve që Qeveria e Kosovës të ndërmarr veprime ligjore e kushtetuese mbi zbatimin e marrëveshjes për "asociacionin", në të cilin mbi të gjitha, çuditërisht-ngulë këmbë i dërguari i posaçëm pro serb Gabriel Eskobar, duke arritur që asociacionin ta shndërroj në pengesën kryesore edhe për futjen në rend dite të anëtarësimit të Kosovës në KiE. Ndërsa sa i takon vizitës së nënsekretares së Departamentit të Shtetit, është deklaruar edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili ka sqaruar se në fokus janë çështjet praktike për marrëdhëniet në mes të dy vendeve, vizitë të cilën sipas Ambasadorit Amerikan është kënaqësi ta mirëpresim në Kosovë Zëvendës Ndihmës Sekretaren Nicole Chulick në Kosovë. Zonja Chulick mbikëqyr zyrat për Evropën dhe Azinë Jugore e Qendrore në Byro-në për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë në Departamentin e Shtetit, e cila gjatë vizitës së saj në Kosovë, u përqendrua në çështjet praktike të marrëdhënieve dypalëshe,përfshirë të drejtat e pakicave dhe të drejtat e njeriut në Kosovë”, ka shkruar Hovenier. Nicole Chulick është pritur në takim si nga presidentja Vjosa Osmani, ashtu edhe nga kryeministri Albin Kurti, vizita që vijnë në kohën kur nga Bashkimi Evropian vazhdojnë kërkesat në adresë të Qeverisë së Kosovës, për ti dhënë përgjigje çështjes së "asociacionit", duke theksuar se krijimi i tij, derivon si rezultat i dialogut të zhvilluar deri më tani.

 

Por habit shumë fakti se megjithëse "Dialogu i ndërmjetësuar nga BE", dhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE) janë dy procese të ndara, si BE ashtu edhe KE, e arsyetojnë presionin e tyre të pakuptueshëm politik ndaj Kosovës, se si të dyja ato, janë organizata të bazuara në respektimin e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të njerëzve që u përkasin pakicave kombëtare, pa sqaruar, asnjëherë se pse i njëjti presion nuk bëhet edhe ndaj Serbisë, madje përkundër të gjitha shkeljeve të marrëveshjes,

 

Serbia vijon të ledhatohet nga BE dhe SHBA, edhe pse vazhdon lidhjet e pashkëputura me Rusinë e Putinit, derisa intensifikohen aksionet ushtarake të Rusisë, për okupimin e Ukrainës. Siç dihet në tetor të vitit 2023, BE e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj – prezantoi një projekt-statut për themelimin e Asociacioni, siç thuhej atëherë; “të bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane” dhe në kornizën ligjore të Kosovës, por Serbia përveçse nuk pranoi ta nënshkruante marrëveshjen, në fund të dhjetorit të vitit 2023, qeveria serbe, i drejtoi edhe një letër zyrtare BEsë, me të cilën deklaronte publikisht, se nuk e pranon marrëveshjen e Brukselit dhe nuk do ti implementojë pikat që kanë të bëjnë me njohjen de fakto të Kosovës, as pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

 

Por për këtë akt të rëndë të shkeljes së marrëveshjes në tërësi nga Serbia, BE as SHBA, duket se nuk trazohen fare dhe qëllimi i tyre i vetëm, është presionin deri në frymëzënie dhe ngufatje totale të shtetit të Kosovës, si vend më i vogël, me opozitë në një linjë me Serbinë e tërësisht antishtetërore dhe pa mbështetje të mjaftueshme ndërkombëtare, gjendje me të cilën shqiptarët assesi nuk duhet të pajtohen dhe sot më tepër se kurrë, kërkohet prej tyre, që të bëjnë çdo gjë, për ta ndryshuar!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".