Asociacioni është shpikje e tepruar, qytetarët serb janë më të privilegjuarit në Republikën e Kosovës

Asociacioni është shpikje e tepruar, qytetarët serb janë më të privilegjuarit në Republikën e Kosovës
Asociacioni është shpikje e tepruar, qytetarët serb janë më të privilegjuarit në Republikën e Kosovës

Skender Kapiti

  • 11 June 2024 - 08:15

Shkruan:ANALISTI - Skënder Kapiti

Serbët në Kosovë gëzojnë liri dhe të drejta qytetare dhe kombëtare si asnjë minoritet tjetër në botë. Shpikja posaçërisht e këtij eksperimenti për Kosovë, e kësaj Bashkësie të Komunave me shumicë serbe, ka qenë e mirë menduar dhe me objektiv më se të qartë për të krijuar një mini shtet serb në Kosovë. Fatkeqësisht dhe mjerisht Kosova nuk kishte në këto vite politikë të aftë, vizionare dhe patriotike. Dhe kështu ndodhi me politikanët e Kosovës me këta politikanë e pushtetarë euforik, të papërvojë,injorantë, servilë dhe të korruptuar të cilët ranë në këtë kurth duke e pranuar këtë shpikje antikombëtare serbo-ruse.

-Nuk është e pranueshme që BE të japë një draft-projekt dhe as t’ua imponojë shqiptarëve detyrimisht dhe apriori që ta zbatojnë institucionet në Kosovë ato se çfarë dëshiron të marrë Serbia.

Qeveria e Kosovës duhet t’u kërkojë ndërkombëtarëve dhe t’i pyesë se çfarë të drejtash u mohohen serbëve në Kosovë, dhe ku ka në botë që minoriteti të ketë kaq të drejta sa ka minoriteti serb në Kosovë.

Opinioni shqiptar në Kosovë, askush mos të mendojë se do ta lodhin presionet dhe kushtet imponuese për ta detyruar atë që verbërisht të pranojë çfarë duan të huajt, sepse gabimet nuk ndreqen më. Albin Kurti është në presion të jashtëzakonshëm si nga ndërkombëtarët, ashtu edhe nga Tirana por edhe nga opozita në Kosovë. Nëse Kurti nënshkruan dhe dakordësohet me gjithçka çfarë kanë bërë paraardhësit, pushtetarët injorantë dhe zullumqarët e mëparshëm, atëherë për çfarë e votoi Kurtin populli i Kosovës. Dihet tashmë se PDK, LDK, AAK dhe të tjerët para Kurtit nënshkruanin gjithçka në dëm të Kosovës, mjaftonte që ata të kishin pushtetin dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Kosova ka qenë e shqiptarëve dhe sot është shtet shqiptar i pavarur dhe nuk mundet që kushdo qoftë i huaj , qoftë edhe mik e aleat nuk mundet që të jetë “hisedar” në sovranitetin e Kosovës.

Kosova është shtet i pavarur dhe nuk duhet pranuar asnjë marrëveshje që ia cungon sovranitetin dhe territorin. Nuk duhet pranuar as emërtesa e këtij projekti, sepse vetë fjalë Bashkësi e Komunave me shumicë serbe, është shumë intriguese dhe hipokrite , pasi Bashkësi do të thotë shtet, sepse vetë shteti është bashkësi e njerëzve që kanë gjuhë, tradita dhe identitetin kombëtar. Kosova është shtet i shqiptarëve, ndoshta shteti në Evropë më i pastër entnikisht, dhe pakica serbe në Kosovë të marrë atë çfarë kanë shqiptarët në Kosovën Lindore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".