Beogradi nuk e njeh Kosovën në Bruksel!
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkruan: Prof.Dr.: Mehdi Hyseni
*** Edhe sa dekada, duhet të përsëriten të njëjtat komente dhe analiza të masmediave të ndryshme, si dhe të liderëve politikë të pushtetit të Kosovës, se gjoja Beogradi zyrtar, do ta njohë Kosovën në “Dialogun e Brukselit” (2011-2024) ?!
-Vetëm Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (193 anëtarëshe) në Nju-Jork, de fakto dhe de jure mund ta detyrojë Serbinë, që përgjithmonë të “përshëndetet” me Kosovën-ish-koloninë e saj 100-vjeçare (1912-1999).
Pra, po përsërisim për të satën herë konstatimin se Serbia, do ta njohë Republikën e Kosovës (17 shkurt 2008) sipas parimeve dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe, sipas parimeve dhe objektivave themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, VETËM atëherë, kur të organizohet mbajtja e Sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, kur 193 shtete-anëtare të saj, do të votojnë për dekolonizimin e Serbisë pushtuese dhe aneksuese (1912,XX). Ndryshe, tanimë, duhet pajtuar se, Brukseli ka dështuar (2011-2024).
Mirëpo, nëse ndokujt i përgjighet status quo-ja e këtij problemi të ngrirë, jo më pak se 13 vjet, atëherë mund të vazhdojnë me dështimet e tyre të deritashme, por Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës ( ndonëse këtë e kanë njohur mbi 14 shtete të OKB-së), duke qenë se, edhe në këtë shekull (XXI, dekada II, 2024) , ajo e konsideron si koloni të saj të paprekshme dhe të ligjshme, ashtu siç parashikon edhe Kushtetuta në fuqi e Republikës së Serbisë (2006).
Sa më sipër “Dialogu i Brukselit është atraktiv vetëm për kamerat televizive dhe për zhurnalistët e masmediave të ndryshme të sfondit ballkanik, që “rrahin ujë në havan”, se gjoja Brukseli do ta “disipliinojë” dhe “sanksionojë” Serbinë nëse kjo refuzon njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke ia mbyllur dyert e hyrjes në BE. –Kjo është vetëm “dëshirë fontanash” sa për ta nxitur dhe intensifikuar vazhdimin e pafund dhe të kotë të “Dialogut të Brukselit”. Asgjë më shumë!
Dialogu i Brukselit varet nga BE-ja
Ata që e dinë historinë diplomatike të Evropës (1878-2024), nuk e fajësojnë as Josep Borrelin e as Miroslav Lajçakun, gjoja se këta u përkasin dy vendeve –anëtare të BE-së (Spanja dhe Sllovakia), të cilat ende nuk duan ta njohin Republikën e Kosovës, jo për “hater” të Serbisë, por për shkak se këto dy vende mbrojnë interesat e tyre të brendshme (Spanja me Baskinë dhe me Kataloninë).
Në këtë pikëvështrim problemi është më i ndërlikuar, që ka gjenezën e lashtë historike, politike, diplomatike të interesave të Fuqive të Mëdha Evropiane, të cilat dikur favorizonin dhe ishin rreshtuar në anën e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë për copëtimin, aneksimin dhe kolonizimin e më se gjysmës së territorit të Shqipërisë Etnike.
Këtë histori të vendimeve politike dhe juridike të padrejta ndaj shqiptarëve , fatkeqësisht i dëshnojnë edhe: (1) Kongresi i Berlinit (1878); (2) Konferenca e Paqes e Ambasadorëve në Londër ( 1912-1913), si dhe Konferenca e Paqes e Parisit (1919-1920).
-Realisht, BE-ja nuk mund ta detyrojë Beogradin zyrtar që ta njohë Republikën e Kosovës, as de fakto e as de jure, sepse një akt i tillë është shprehje e vullnetit dhe e interesave të Serbisë, nuk është i detyrueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.
Mirëpo, BE-ja pa asnjë vështirësi, mund t’i detyrojë: Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Spanjën dhe Qipron Greke, që ta njohin Republikën e Kosovës, duke qenë se 22 shtete të tjera-anëtare të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mbi këtë bazë të qëndureshme juridiko-politike dhe diploamtike, BE-ja plotësisht ka të drejtë, t’i detyrojë 5 shtetet e theksuara, që nuk po duan ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ndryshe, këto 5 vende de fakto dhe de jure nuk mund të jenë anëtare të BE-së, sepse nuk po përfillin ligjet e as vendimet e saj politike e as jurdike të 22 vendeve anëtare-shumicës dërrmuese të BE-së.
Një gjendje e këtillë e krijuar brenda strukturës së BE-së, do të thotë se 5-shja (Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qiproja Greke) e ka fjalën kryesore në marrjen dhe në zbatimin e vendimeve të BE-së, duke u distancuar nga 22 shtetet e tjera, të cilat e kanë njohur Kosovën e pavarur dhe sovrane (17 shkurt 2008).
Prandaj, nëse BE-ja toleron një “puç” të tillë në shkeljen e vendimeve dhe interesave të saj, që janë në funksion të zbatimit të axhendës dhe të standareve të integrimit dhe të zgjerimit të saj, atëherë ajo direkt dhe, në mënyrë të vullnetshme rrezikon shthurjen e saj si shkak dhe pasojë e interesave hibride të këtyre 5 vendeve, që tani sheshit janë rreshtuar në anën e mbrotjes së inetresave hegjemoniste dhe kolonialiste të Serbisë
Prandaj, është e kotë dhe qesharake të kritikohen kryesisht Borreli dhe Lajçaku, gjoja se këta “janë fajtorët kryesorë” për falimentimin e deritashëm të “Dialogut të Brukselit 2011-2024).-Jo, nuk janë vetëm këta dy ndërmjetës të BE-së, por, Bashkimi Evropian, që këto 5 shtete po i toleron t’i nëpërkëmbin dhe t’i shkelin në mënyrë flagrante vendimet, rregullat, parimet, standardet, ligjet , projektet dhe axhendën e misionit të zgjerimit dhe të integrimit të BE-së me shtetet e tjera të Ballkanit (Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe BeH).
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".